Bashkimi Evropian ka reaguar pas arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë përmes një komunikate se "arrestimi dhe deportimi i gjashtë shtetasve që kanë jetuar ligjërisht në Kosovë, ngrit pyetje për respektimin e procesit të rregullt gjyqësor".
"Sundimi i ligjit është parim themelor i Bashkimit Evropian. Në përputhje me vendosshmërinë për të ndërtuar një të ardhme të lirë dhe demokratike, siç edhe përcaktohet me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, të gjitha veprimet e institucioneve lokale të Kosovës janë të lidhura me respektimin e sundimit të ligjit dhe promovimit të të drejtave universale dhe lirive themelore të njeriut. Procedurat arbitrare lidhur me arrestimin, ndalimin apo azilin janë kundër këtyre parimeve", është thënë në deklaratë.
Tutje në deklaratë thuhet se pavarësisht të drejtës së Turqisë për të kuptuar detajet lidhur me tentimet e dështuara për grushtshtet më 2016, gjykimi i drejtë duhet të respektohet për secilin.
"Sa i përket Turqisë, ne e kuptojmë se ky vend ka nevojë për të sjellë para drejësisë përpjekjet për gushtshtet më 15 korrik mirëpo çdo keqbërje e supozuar lidhur me këtë proces duhet të jetë subjekt i normave ndërkombëtare kur kërkohet ekstradimi. Duhet të respketohet e drejta e secilit për gjykim të drejtë. Si një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe si anëtar i Këshillit të Evropës, Turqia tashmë ka nënshkruar këto parime", ka deklaruar Kocijançiq përmes deklaratës.
Më 28 mars, është bërë e ditur se autoritetet e Kosovës kanë arrestuar dhe deportuar drejt Turqisë pesë punonjës të Institucionit Arsimor Gulistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, si dhe një mjek turk.
Krerët më të lartë shtetërorë kanë deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni për një hap të tillë.
Pak kohë pas njoftimit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka liruar nga pozita ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi.
Pas vendimit të kryeministrit Haradinaj, ka reaguar presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili ka kritikuar qëndrimin e kryeminstrit kundër deportimit të shtetasve turq, duke thënë se ai “do të paguajë” për këto veprime.
Ndonëse Erdogan ka kritikuar qasjen e kryeministrit Haradinaj, ai ka përshëndetur homologun e tij nga Kosova, presidentin Hashim Thaçi.
Gjatë një fjalimi të mbajtur të dielën në kongresin e rregullt të partisë në pushtet AKP, presidenti turk ka deklaruar se operacioni kundër Lëvizjes Gyleniste në Kosovë nuk ka qenë as i pari dhe nuk do të jetë as i fundit.
"Prej këtu e falënderoj presidentin e Kosovës. Por kryeministrit i them 'turp'. Largimi nga detyra i kreut të inteligjencës, ministrit të Brendshëm, të cilët na i dhanë anëtarët e organizatës terroriste FETO, është një gabim historik. Ata kanë bërë detyrën e tyre", ka thënë Erdogan.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u është kundërpërgjigjur më pas kritikave të Erdoganit, duke thënë se të gjithë duhet ta dinë se askush nuk mund të përzihet në punët e brendshme të Kosovës.
“Kosova dhe unë s’kemi hyrë në punët e brendshme të Turqisë, as në të kaluarën, as sot, as në të ardhmen. Por, po ashtu punët tona të shtëpisë nuk do të mund t’i bëjë dikush në emër tonë në Kosovë. Do t’i bëjmë vetëm ne. Këtë le ta dinë të gjithë”, ka deklaruar të hënën Haradinaj.
Pas deportimit kanë reaguar familjarë të të deportuarëve, përfaqësues të lartë vendorë si dhe institucione e organizata ndërkombëtare.
Familjarët e gjashtë shtetasve turqve të deportuar në Turqi, u kanë drejtuar një letër publike deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me situatën e krijuar pas deportimit dhe u kanë kërkuar deputetëve të Kosovës që të angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe të shtetasve të tjerë të huaj që jetojnë në Kosovë.
Grupi Parlamentar i LDK-së e ka njoftuar sot se ka parashtruar kërkesën që Kryesia e Kuvendit të caktojë një seancë për të mërkurën në orën 14:00 për të diskutuar lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, duke komentuar për incidentin i ka thënë Zërit të Amerikës se SHBA-ja është e inkurajuar për faktin që institucionet shtetërore të Kosovës kanë njoftuar vendosmërinë e tyre për të shqyrtuar këtë ngjarje dhe për të përmirësuar garancitë procedurale për mbrojtjen e të drejtave në bazë të procesit ligjor.