Ndërlidhjet

"Zhdukja më e rëndë se vdekja"


Fotografi nga ekspozita “Më mirë varri se mos me ditë”, kushtuar familjeve të personave të pagjetur, Prishtinë 2021.
Fotografi nga ekspozita “Më mirë varri se mos me ditë”, kushtuar familjeve të personave të pagjetur, Prishtinë 2021.

Shaip Ramabaja nga lagjja Hajvali e Prishtinës, tash e 23 vjet, është duke kërkuar djalin e tij, Bashkimin, të cilin për herë të fundit e ka parë më 18 prill të vitit 1999.

Asokohe, familja e tij, për shkak të dhunës së forcave serbe në Kosovë, është zhvendosur në fshatin Mramor, rreth 15 kilometra në lindje të kryeqytetit.

Por, të përndjekur sërish nga forcat serbe, Shaipi, sikurse edhe një numër shumë i madh i të zhvendosurve të tjerë shqiptarë që ua kishin mësyrë fshatrave të Gollakut, është detyruar të kthehet në Hajvali.

Bashkim Shaip Ramabaja, atëkohë 27 vjeç.
Bashkim Shaip Ramabaja, atëkohë 27 vjeç.

Djali i tij, Bashkimi, asokohe 27-vjeçar, ka mbetur në mal, për t’iu shmangur forcave serbe.

Sipas informatave që ka Shaipi, Bashkimi - pas 22 prillit ’99 - ka tentuar të shkojë në Kolovicë - një lagje periferike e Prishtinës - ku i ka pasur dajat e tij. Por, rrugës është kapur nga forcat serbe.

“Ai ka tentuar që të hyjë në Kolovicë. Në Kolovicë të Re është zënë. E kanë çuar në burg në Lipjan. Prej aty, më 12 qershor, i kanë nisur për në Serbi. Më tutje nuk di asgjë, vetëm nëse gënjej. Më pas, Allahu e di, se a e kanë vrarë apo çfarë, nuk di asgjë më për të”, rrëfen Shaipi për Radion Evropa e Lirë.

“Njeriun e mban shpresa”

Shaipi thotë se pas përfundimit të luftës në qershor të vitit ’99, ka angazhuar avokat për të kërkuar të birin e tij nëpër burgjet e Serbisë, por përpjekjet nuk i kanë sjellë ndonjë rezultat.

Ai thotë se tani i ka humbur gati të gjitha shpresat se fati i Bashkimit mund të zbardhet ndonjëherë.

“Frikohem që 99 për qind jo [nuk do të zbardhet fati i djalit tim], ndërkaq një për qind mbase diçka po. Janë bërë 23 vjet më 18 prill. Njeriun e mban shpresa. Kam pritur shumë, por për ne, prindërit, është dy herë më e rëndë sesa vdekja. Prej atij momenti, gruan nuk e kam mirë".

"Ka pasur sulm në tru nga mërzia, sepse nënat janë më të ndjeshme. E rëndë është shumë. Zoti mos e sprovoftë dashamirin, sepse vdekja është vdekje, por të paktën të dinim ndonjë drejtim... Do të shkonim ndonjëherë e të luteshim për të, sepse e kemi pasur fëmijë”, shprehet Shaipi.

Ai thotë se nuk pret që fati i të birit të tij, por edhe i mbi 1,600 personave të tjerë të pagjetur nga lufta në Kosovë, të zgjidhet me ndonjë marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Për një sekondë u plakëm 50 vjet”

Pritje të tilla nuk ka as Jasmina Zhivkoviq, nga Komuna e Ferizajt, e cila prej më shumë se dy dekadash po përpiqet të zbulojë se çfarë i ka ndodhur babait të saj pas 28 shtatorit, 1999, kur i ka humbur çdo gjurmë.

“Kam dyshim të madh se mund të arrihet një marrëveshje e drejtë lidhur me personat e pagjetur, sepse mendoj se, para së gjithash, kjo është çështje njerëzore, humanitare. Në këtë çështje duhet të jenë të përfshira organet hetuese, shkenca, ndërkaq politika duhet të ketë më së paku ndikim”, thotë Jasmina për Radion Evropa e Lirë.

Paun Zhivkoviq, babai i Jasminës.
Paun Zhivkoviq, babai i Jasminës.

Babai i saj, Paun Zhivkoviq, ka qenë drejtor i Shkollës së Mesme Teknike në Ferizaj.

Sipas Jasminës, ditën kur është zhdukur, ai është shoqëruar nga KFOR-i - misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë - për t’i marrë disa dokumente në zyrë, në mënyrë që të kërkonte një punë tjetër.

Në atë kohë, familja Zhivkoviq ka jetuar në Shtërpcë - mjedis ky i banuar me shumicë serbe afër Ferizajt.

E gjitha çfarë di familja e Jasminës për fatin e babait të saj, është nga rrëfimi i pjesëtarëve të KFOR-it, të cilët, mbrëmjen e 28 shtatorit të vitit 1999, i kanë thënë se Paun Zhivkoviq dhe një shok i tij, i quajtur Marko, janë zhdukur.

Më pas, siç rrëfen Jasmina, dëshmitarët kanë thënë se “persona me uniformë kanë hyrë në zyrën e drejtorit të atëhershëm” dhe se “ata thjesht i kanë nxjerrë jashtë”.

“Jeta juaj ndryshon tërësisht, rrënjësisht, nuk di si ta përshkruaj. Në kohën kur erdhi KFOR-i dhe tha që babai im u zhduk, unë dhe motra ime për një sekondë u plakëm për 50 vjet”, thotë ajo.

Jasmina shton se gjithmonë ka qenë kundër “politizimit” të çështjes së personave të pagjetur, pasi, siç thotë, nuk beson se në këtë mënyrë do të zbardhet e vërteta e plotë.

“Ne, familjarët, do të duhet të pajtohemi për atë që do të bien dakord politikanët. Sinqerisht, kam frikë nga ajo marrëveshje”, thotë Jasmina.

Blakaj: Çështja e të pagjeturve është politizuar rrugës

Në Kosovë më 27 prill shënohet Dita e të Zhdukurve. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, por edhe institucionet në Kosovë dhe Serbi kanë thënë se çështja e të pagjeturve është çështje humanitare dhe se ajo duhet të trajtohet në mënyrë të tillë.

Por, viteve të fundit, janë shtuar zërat në mesin e familjarëve të personave të pagjetur, por edhe në organizatat joqeveritare, se kjo çështje është politizuar, madje skajshëm.

Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë se ekzistojnë mjaft argumente për të konstatuar se çështja e të pagjeturve është bërë politike. Sipas tij, informacionet për lokacionet e varrezave të mundshme, qoftë individuale, qoftë masive, janë bllokuar.

“Bie fjala, në vitin 2015 është gjetur varreza masive në Rudnicë [të Serbisë]. Është e qartë që 15 vjet është pritur që të jepet informacioni i saktë se ku gjendet lokacioni i kësaj varreze. Është e qartë që institucionet serbe duhet ta kenë pasur informacionin. Pastaj, më vonë është pritur edhe disa vite për t’u zbuluar varreza tjetër në Kizhevak [të Serbisë] dhe kështu me radhë. Pra, përfundimisht, kjo çështje nuk është trajtuar si humanitare. Siç duket, është politizuar rrugës dhe, si rezultat, kemi ende një numër shumë të madh të personave që janë të raportuar si të zhdukur”, thotë Blakaj.

Hoti: Pala serbe nuk është pajtuar

Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, është duke shpresuar se gjatë kësaj jave do të ketë një takim ndërmjet palëve.

Një burim i bllokut evropian u ka thënë më 25 prill gazetarëve se atyre u është përcjellë ftesa që të vazhdojnë diskutimet për çështjen e targave të automjeteve - për të cilën nuk kanë arritur ende marrëveshje - dhe tema të tjera.

Sipas këtij burimi, palët janë “shumë afër” për të arritur dy marrëveshje, atë për energji dhe për të pagjeturit.

“Sa i përket çështjes së të pagjeturve, praktikisht ka mbetur të zgjidhen vetëm dy fjalë, pra një gjysmë fjalie, që të kemi marrëveshjen”, ka thënë ky burim, por nuk ka dhënë më shumë detaje për ato fjalë.

Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, shpreh dyshimet se një marrëveshje për të pagjeturit është afër.

Ai thotë se kërkesat e palës së Kosovës kanë qenë të qarta, që Bashkimi Evropian të japë garanci për një afat kohor për dhënien e informacioneve nga ana e Serbisë, për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Sipas tij, nga Bashkimi Evropian është kërkuar që, përmes fuqisë së tij, të ndikojë te Serbia për dhënien e dokumenteve nga arkivat e viteve 1998 dhe 1999. Por, pala serbe, thotë Hoti, nuk është pajtuar.

“Për hir të çështjes, për hir të procesit, jemi munduar që të tërhiqemi prej disa deklaratave dhe kërkesave që kemi pasur, të cilat nuk kanë qenë aq shumë substanciale, për shkak se po mundohemi të arrijmë një marrëveshje me kërkesa substanciale, që kanë efekt të vërtetë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Por, pala serbe nuk është pajtuar. Deri më sot jo”, thotë Hoti.

Pritja ndërmjet shpresës dhe dëshpërimit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:17 0:00

Ai nuk pranon të specifikojë se cilat janë aktualisht kërkesat e palës së Kosovës për të arritur marrëveshje me palën serbe për çështjen e të pagjeturve.

Odalloviq: BE-ja po flet "palidhje"

Në anën tjetër, udhëheqësi i Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur, Velko Odalloviq, hedh poshtë pretendimet e Bashkimit Evropian se Kosova dhe Serbia janë “shumë afër” arritjes së marrëveshjes për të pagjeturit.

“Bashkimi Evropian nuk e ka idenë dhe flet pa lidhje. A ka Prishtina informacione se ku janë 600 serbë? Nuk e di se çfarë po kërkojnë. Ne kemi marrëveshjen dhe kemi grupin punues që ka zgjidhur mbi 1,800 raste dhe që e ka ruajtur të gjithë mekanizmin nga politika. Unë tash nuk po e kuptoj se çfarë po kërkojnë”, thotë Odalloviq.

Hoti hedh poshtë pretendimet e Odalloviqit se grupi punues - i përbërë nga shqiptarë dhe serbë - ka zgjidhur 1,800 raste. Sipas tij, shumica e këtyre rasteve janë zgjidhur me presionin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë, gjatë vitit 2000, kur ky grup punues nuk ka ekzistuar fare.

Aktivitet në Prishtinë me rastin e Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur.
Aktivitet në Prishtinë me rastin e Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur.

Grupi i përbashkët punues për personat e pagjetur është krijuar në vitin 2004, nën patronazhin e përfaqësuesit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

Në kuadër të tij, delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit shkëmbejnë informacione dhe planifikojnë aktivitete.

“Serbia bën lojëra me dhënien e informacioneve”

Në vitin 2011, Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për çështje teknike, i cili më pas ka evoluar në dialog politik për normalizimin e marrëdhënieve.

Autoritetet e Kosovës, për vite me radhë, kanë premtuar se çështja e të pagjeturve do të jetë një nga temat e këtij dialogu që zhvillohet në Bruksel dhe ndërmjetësohet nga BE-ja.

Në prill të vitit 2011, numri i personave të pagjetur nga lufta në Kosovë ka qenë 1,821.

Sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur në Kosovë, aktualisht bëhet fjalë për 1,617 persona ende të zhdukur.

Do të thotë, brenda 11 vjetësh është zbardhur fati i vetëm 204 personave, të cilët janë raportuar si të zhdukur.

Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, vlerëson se çështja e të pagjeturve, e cila, sipas tij, do të duhej të trajtohej si çështje humanitare, në vazhdimësi është trajtuar si politike.

Sipas tij, për më shumë se një dekadë - si rezultat i identifikimeve nga grupi punues - janë gjetur vetëm 62 persona të raportuar si të zhdukur, kryesisht në varrezat masive në Rudnicë dhe Kizhevak. Ndërkaq, mbi 140 raste të tjera janë zbuluar në Kosovë.

Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:23 0:00

Hoti e akuzon palën serbe se nuk ofron informacione për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

“Do të duhej të ishte [çështje] humanitare, por unë nuk e di që është trajtuar si humanitare ndonjëherë. Kaq pak ka dhënë informacione Serbia për Kizhevakun dhe Rudnicën... Dhjetë vjet kanë kaluar ekipet tona, në të dyja lokacionet në Serbi, për shkak se Serbia bën lojëra me dhënien e informacioneve të sakta se ku janë varrezat masive, derisa na kanë ardhur imazhet satelitore prej vendeve mike të Kosovës, që të mund t’i gjejmë”, thotë Hoti, pa specifikuar se për cilat vende e ka fjalën.

Sipas tij, Serbia ende vazhdon “lojën” duke mos dhënë informacione.

A i ka dhënë Serbia dokumentet?

Odalloviq, në anën tjetër, mohon se palës së Kosovës nuk i janë dhënë informacionet që pala e Serbisë i ka pasur në dispozicion.

“Ne i kemi dhënë Prishtinës 2,417 dokumente, ndërsa ajo nuk na ka dhënë neve asnjë. E kuptoni se ç’po them? Asnjë dokument nuk e kemi marrë nga Prishtina. Kështu që ky rrëfim i tyre nuk është serioz. Ne u kemi dhënë gjithçka që kemi pasur në arkivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ushtrisë, ndërmarrjeve komunale, pra informatat për vendet e varrimit - sipas informacioneve tona”, thotë Odalloviq.

Hoti pohon se pala serbe ka ofruar dokumente, por, sipas tij, ato nuk kanë pasur fare substancë.

“Do të thotë, nuk mund të gjejmë asgjë në to. Janë të thata”, thotë Hoti.

Kosova ka dalë nga lufta e viteve 1998-‘99 me mbi 13,000 persona të vrarë, mbi 800,000 të zhvendosur dhe mbi 6,000 të zhdukur.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, të cilët, siç thuhet, janë bartur nga forcat serbe për t’i fshehur krimet.

Deri më tani, nga Serbia në Kosovë janë kthyer mbetjet mortore të rreth 1,000 personave.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG