Selami Hoti nga fshati Krushë e Madhe e Rahovecit thotë se nuk është befasuar kur ka dëgjuar ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, derisa kërcënonte serbët që mund të tregojnë vendndodhjen e varrezave masive në Serbi.
Hoti thotë se Daçiq, si përfaqësues i shtetit serb, shfaq mosgatishmërinë e Serbisë që të përkrahë zbardhjen e krimeve të luftës.
“Të gjitha deklarimet e zyrtarëve serbë nga cilido nivel nuk duhet të na befasojnë. Deklarata të tilla presim vazhdimisht. Serbia i ka shkelë të gjitha konventat ndërkombëtare të luftës. Në Kurshë janë 64 persona të zhdukur. Serbia i ka marrë këta njerëz, i ka humbur pa gjurmë”, thotë Hoti, i cili ka babanë të zhdukur, kurse dy vëllezër të vrarë.
Këtu nuk mund të flitet asnjëherë për një pajtim.
Hoti shpreson se komunitet ndërkombëtar do të rrisë presionin mbi Serbinë që të ndihmojë në gjetjen e bashkëqytetarëve të tij që janë të zhdukur që nga vitet ‘98-99.
Nëse zyrtarët serbë vazhdojnë të mohojnë krimet e luftës si dhe të pengojnë gjetjen e personave të zhdukur, sipas Hoti, nuk mund të ketë pajtim në mes të dy popujve.
Gjatë luftës së vitit 98-99, në fshatin Krushë e Madhe, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 241 qytetarë. Nga ajo kohë, ky fshat vazhdon t’i ketë edhe 64 persona të zhdukur.
Javën e kaluar, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, bëri një deklaratë e cila u pa si kërcënim ndaj serbëve që mund të dinë diçka për fatin e kosovarë të zhdukur gjatë luftës.
“Mos u merrni me amerikanët, gjermanët, turqit dhe gjithë të tjerët. Çfarë të bëjmë me serbët të cilët flasin budallallëqe të ndryshme, iu tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë të varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, deklaroi Daçiq për një televizion në Serbi.
Qeveria e Kosovës i quan skandaloze deklaratat e zyrtarëve serbë
Qeveria e Kosovës i ka cilësuar skandaloze këto deklarata të Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.
Në reagimin e Qeverisë së Kosovës, u tha zyrtarët serbë “vazhdojnë të shfaqin mungesë të thellë respekti për viktimat e luftës së fundit në Kosovë”.
“Këto deklarata skandaloze, përveç që fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës, i bëri thirrje në veçanti Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të reagojnë.
Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se deklaratat e disa zyrtarëve serbë ndaj viktimave civile të luftës “e dëmtojnë dialogun” dhe “i minojnë përpjekjet e përbashkëta për pajtim”.
“Deklaratat fyese të Daçiqit dhe Vulinit ndaj viktimave civile të luftës, të vrarë nga regjimi i (Sllobodan) Milosheviqit, janë dëshmi se Serbia ende nuk ka ndryshuar politikën e saj fashiste ndaj Kosovës. Këto veprime e dëmtojnë dialogun dhe minojnë përpjekjet tona të përbashkëta për pajtim”, ka shkruar Thaçi në Twitter.
BE kundër deklaratave që dëmtojnë procesin e pajtimit
Ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se Bashkimi Evropian pret nga liderët e Ballkanit Perëndimor që të përmbahen nga deklaratat të cilat mund të jenë në dëm të fqinjësisë së mirë dhe pajtimit.
Këto deklarata Stano i bëri kur u pyet lidhur me kërcënimet që ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka bërë ndaj serbëve që tregojnë se ku janë varrezat e shqiptarëve nëpër Serbi.
Stano ka thënë se BE-ja nuk i komenton deklaratat e politikanëve, por në ditët e fundit janë vërejtur disa deklarata të cilat nuk shkojnë në drejtim të rritjes së mirëbesimit dhe pajtimit mes popujve në rajon.
Çështja e të pagjeturve është një prej temave kryesore për të cilat ishte diskutuar në takimet e fundit në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të cilin e lehtëson Bashkimi Evropian.
Qëllimi i Daçiqit, pengimi i zbardhjes së krimeve të luftës
Organizatat kosovare që merren me fatin e personave të pagjetur besojnë se deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, ka për qëllim frikësimin e atyre që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Kjo më të vërtetë është brengosëse sepse [Ivica Daçiq] në mënyrë të drejtpërdrejt ju është kërcënuar të gjithë njerëzve që në Serbi, në një formë apo tjetër, mund të ndihmojnë në ballafaqim me të kaluarën, mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur”, thotë Kushtrim Koliqi, drejtues i organizatës, “Integra”.
Koliqi që është njëkohësisht është pjesë e grupit punues për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtim thotë se deklaratat e zyrtarëve serbë dëshmojnë se politika shtetërore në Serbi nuk është e interesuar për trajtim të krimeve të luftës.
“Është brengosëse sepse duhet ta dimë që në Serbi ka aktivistë të të drejtave të njeriut, ku mund të jenë edhe ish-luftëtarë apo ish-pjesëtarë të shërbimeve të ndryshme të Serbisë, të cilët i kanë rënë pishman dhe po duan të tregojnë diçka”, thotë Koliqi.
Deklaratat e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ndodhin vetëm pak ditë pasi Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për normalizim ekonomik.
Kjo marrëveshje u nënshkruar më 4 shtator, 2020, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington ku një ndër pikat e marrëveshjes është edhe puna e përbashkët e Kosovës dhe Serbisë në gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës.
Tema e të pagjeturve u tha se ishte kyçe edhe në procesin e bisedimeve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.