Ndërlidhjet

Qindra eshtra po presin identifikimin  


Foto nga arkivi, Morgu i Prishtinës
Foto nga arkivi, Morgu i Prishtinës

Minimum 300 mbetje mortore gjenden në Morgun e Prishtinës, të cilat ende nuk janë identifikuar. Këto mbetje, nuk janë të gjitha nga periudha e luftës së fundit, por ka edhe të periudhave të tjera.

Për t’u identifikuar, në Institutin e Mjekësisë Ligjore thonë se janë të nevojshme mostrat e gjakut të familjarëve që nuk i kanë gjetur ende të afërmit e tyre.

1,463 të pagjeturit

Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë minimum 300 mbetje kockore që duhet të identifikohen.

"Thjesht për t’u identifikuar këto mbetje kockore, ne duhet të kemi edhe gjakun e familjarëve, e ne e dimë që gjaku i familjarëve ka filluar të mblidhet pas vitit 2002, kur është krijuar Zyra për persona të zhdukur dhe Mjekësi Ligjore. Prej periudhës 1999 deri në vitin 2002, është punuar në mënyrë klasike, familjarëve nuk u janë marr mostrat”, thotë Gërxhaliu.

Shumica e këtyre mbetjeve mortore janë gjetur në territorin e Kosovës.

Zëvendësdrejtoresha e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe ekspertja e EULEX-it, Tarja Formisto, në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjes së Dhunshme, tha se njëri prej problemeve të ballafaquara gjatë procesit të identifikimit të mbetjeve mortore është fakti se jo të gjithë të afërmit e personave të pagjetur i kanë dhënë mostrat e tyre të gjakut për analizën e ADN-së.

“Ka familje të cilat refuzojnë t’i japin mostrat e gjakut për arsye të ndryshme. Disa besojnë se të afërmit e tyre janë ende gjallë, të tjerët nuk duan t’i japin mostrat e gjakut përpara se kryerësit e veprave të sillen përpara drejtësisë”, ka thënë Formisto.

Mosidentifikimi i mbetjeve mortore është një proces i vështirë që ka hasur në vështirësi edhe në shtetet tjera të rajonit, thotë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit.

Ai u ka bërë thirrje përsëri familjarëve që të dhurojnë mostrat e gjakut në mënyrë që të bëhet identifikimi i këtyre mbetjeve mortore që vazhdojnë të jenë në morgun e Prishtinës.

“Duke filluar me provat për të cilat mungojnë mostrat e mjaftueshme të gjakut, rastet kur ka mostra të pjesshme të gjakut, rastet për të cilat nuk është hapur apo iniciuar për gjurmim si rast i personave të pagjetur. Pastaj, rasti i mbetjeve mortore që nuk ndërlidhen me periudhën e luftës së fundit dhe rasti i pestë dhe më problematik, është rasti i mbetjeve mortore që ndërlidhen me keqidentifikim në vitet e para të pasluftës”, thotë Gara.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 rezultuan 6 mijë e 500 persona të zhdukur. Që nga ajo kohë u kryen zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi, dhe deri me tani janë gjetur rreth 70 për qind të zhdukurve.

Edhe 2 dekada pas luftës, 1643 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur. Nga ky numër, pjesa më e madhe janë shqiptarë, të tjerët janë serbë dhe pjesëtarë të komuniteteve joshumicë që jetojnë në Kosovë.

Më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të pagjetur gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 në Kosovë.

Video: Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG