Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
15:14 17.3.2020

Maqedonia e Veriut i anulon zgjedhjet

Kryetarët e partive politike në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur të anulojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të parapara për 12 prill.

Vendimi vjen në kohën kur Maqedonia e Veriut, sikurse shumë vende të botës, përballet me pandeminë e koronavirusit.

Pas takimit të mbajtur nën organizimin e presidentit maqedonas, Stevo Pendarovski, kryetari i i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, tha se nuk ka kushte për mbajtje të zgjedhjeve.

Për datën e re të zgjedhjeve, Zaev tha se do të vendoset pas normalizimit të gjendjes me koronavirusin.

Maqedonia e Veriut ka 26 njerëz të infektuar me koronavirus.

15:25 17.3.2020

Disa këshilla për ditët e vetizolimit

15:51 17.3.2020

Kosova kthen prapa një autobus me udhëtarë nga Italia

Institucionet e Kosovës kanë ndaluar një autobus me udhëtarë, të cilët ishin nisur nga Italia për në Kosovë.

Lajmin e ka konfirmuar ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, duke thënë se nisja e autobusit ishte joligjore dhe pa autorizim të ministrisë.

“Autobusi në fjalë është kthyer prapa në Kroaci. Rikujtoj se çdo transport i organizuar, tokësor e ajror është i ndaluar deri në një vendim tjetër. Kjo masë preventive është domosdoshmëri e mbrojtjes së qytetarëve tanë”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas tij, shtetasit e Kosovës me viza në skadim do të kenë trajtim bazuar në koordinimin që po ndodh mes institucioneve të Kosovës.

Italia është vendi më i goditur në Evropë nga koronavirusi i ri.

15:54 17.3.2020

Shtyhet për vitin e ardhshëm kampionati Euro 2020

Kampionati Evropian i Futbollit Euro 2020 është shtyrë për vitin e ardhshëm, për shkak të pandemisë së koronavirusit, tha Uefa.

Federata Evropiane e Futbollit e mori vendimin gjatë një video-konference, të martën.

Turneu që do të zhvillohej nga 12 qershori deri më 12 korrik të këtij viti në 12 vende të Evropës, do të zhvillohet tani nga 11 qershori deri më 11 korrik të vitit të ardhshëm.

Dhjetëra vende të Evropës janë duke u përballur me luftë kundër koronavirusit, ndërsa të goditura më së keqi janë Italia dhe Spanja.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG