Njerëzit e moshuar janë më të rrezikuar nga koronavirusi, tregoni kujdes ndaj tyre
Njerëzit e moshuar kanë më shumë të ngjarë të sëmuren rëndë nëse infektohen me koronavirus, thotë Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar.
Në përgjithësi, thuhet se, kushdo që është mbi moshën 65 vjeç konsiderohet një "person i moshuar”.
Këshilla e fundit e qeverisë britanike është që të gjithë në Mbretërinë e Bashkuar duhet të pezullojnë të gjitha "kontaktet jo urgjente me të tjerët".
Qeveria ka thënë grupeve veçanërisht të rrezikuaa nga Covid-19 - siç janë ato mbi moshën 70 vjeç - do t'u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi për 12 javë.
Nëse po vizitoni një të afërm të moshuar për një arsye urgjente, duhet të "mbani pak më shumë distancë, mundësisht të paktën të paktën 1 metër larg, pa puthje dhe përqafime".
Vitia: Situata e pacientëve stabile - të mos krijohet panik
Ka shkuar në 17 numri i personave të infektuar me Covid-19 në Kosovë, ka thënë ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.
Gjatë një konference për media, Vitia tha se 10 persona të prekur me koronavirusin e ri po trajtohen në spital, kurse të tjerët po vazhdojnë vetkarantimin në kushte shtëpie. Vetëm dy nga 10 pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive, kanë një gjendje pak më të rëndë, por të qëndrueshme, tha Vitia. Kurse të tjerët, sipas tij, kanë gjendje stabile shëndetësore.
Vitia ka thënë se nga 275 mostra, 17 persona kanë dalë pozitive me virusin Covid-19.
Ai ka thënë se informatat janë se gjendja e të prekurve është stabile në përjashtim të njërit prej pacientëve i cili herë pas here ka nevojë për oksigjen, pacientët tjerë po marrin trajtim mbështetës.
Ministri ka bërë të ditur se tash më kanë nisur të vinë edhe ndihmat e parë me paisje medicinale dhe siç tha ai, janë bërë edhe porositë e para për medikamente.
“Dje ka përfunduar procedura për kontraktimin e mjeteve mbrojtëse mjekësore për personelin shëndetësor si maska respiratorë, veshje mbrojtëse për trup, mburoja për fytyrë, çarçafë dhe shërbime tjera mbështetëse për polici doganë, nga 400.000 euro të ndara më herët nga Qeveria".
"Qeveria ka alokuar gjithashtu 6.2 milionë euro për shfrytëzim të menjëhershëm, prej shumës prej 10 milionë euro për zbatimin e aktiviteteve të përfshira në Planin e Veprimit kundër COVID-19”,u shpreh ministri.
Ministri u ka bërë thirrje qytetareve që të mos dalin nga shtëpitë, të zbatojnë rekomandimet dhe të mos stigmatizojnë të prekurit nga virusi.
Në Kosovë pritet të mbërrijnë furnizime mjekësore nga OBSH-ja
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se javën e ardhshme në Kosovë do të vijë edhe një kontigjent i mjeteve mbrojtëse dhe paijsjeve mjekësore nga Organizata Botërore e Shëndetesisë.
Po ashtu, OBSH-ja sipas tij, ka ndarë një shumë prej shtatë milion eurove për përforcimin e furnizimeve shëndetësore.
“OBSH-ja ka ofruar mbeshtetje financiare për aktivitetet në masat kundër Covid19, në vlerë prej 7. 9 milion euro”, tha ai gjatë një konference për media.
Ministri i Shëndetesisë ka berë të ditur se Klinika Infektive është shënderuar në klinik vetëm për të prekurit nga corona virusi.
Ai ka thënë se edhe klinikat e tjera do të shfrytëzohen për të prekurit nga kjo sëmundje.
“Deri tash mund të thuhet se kemi siguruar diku 500 shtretër për të prekurit e mundshëm”, tha Vitia.
Në Kosovë janë konfirmuar 17 raste me koronavirusin e ri.
Vendet evropiane të ndërmarrin veprime të guximshme kundër pandemisë, thotë OBSH-ja
Drejtori për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka bërë thirrje për veprime të guximshme, në të gjitha vendet evropiane kundër pandemisë së koronavirusit.
Duke e përshkruar Evropën si "epiqendrën" e re të shpërthimit global, drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge tha më 17 Mars se "çdo vend, pa asnjë përjashtim, duhet të ndërmarrë veprimet e tij më të guximshme për të ndaluar ose ngadalësuar kërcënimin nga përhapja e virusit".
Ai tha se bota po përballet me "kohë të paparë" dhe se është e rëndësishme që vendet "të punojnë së bashku, të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të harmonizojnë përpjekjet".
Vërejtjet e Kluge erdhën ndërsa më shumë vende të BE-së shtrënguan masat e shëndetit publik, që kanë detyruar shumë biznese të mbyllen dhe banorët të qëndrojnë në shtëpi.