Thaçi kërkon mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar kërkesë kryeministrit Albin Kurtit për të thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurisë.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Kryeziu tha se mbledhja e Këshillit të Sigurisë do të kryesohet nga kryeministri Kurti, por koha se kur do të mbahet takimi nuk është caktuar.
Në këtë mbledhje siç thuhet, pritet të vendoset për masa të reja kundër pandemisë së koronavirusit.
Në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës janë vendosur ngjyrat e flamurit të Italisë në shenjë solidarizimi ndaj viktimave si pasojë e virusit Sars-Cov-2.
Edhe dy raste me koronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar edhe për dy raste të reja me koronavirus në Kosovë.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve shkon në 19.
"Sot me 17.03.2020 janë konfirmuar edhe dy raste pozitive për virusin SARS-CoV-2: Rastet janë nga komuna e Gjakovës, të kthyer nga Dusseldorfi i Gjermanisë, njëri i gjinisë mashkull 54 vjeç dhe tjetri i gjinisë femër 49 vjeç", thuhet në njoftimin e Institutit.
Numri i të vdekurve në Itali po rritet, por niveli i infeksioneve është ngadalësuar
Italia ka raportuar për 345 vdekje të reja gjatë 24 orëve të fundit nga koronavirusi i ri.
Kjo është një rritje prej 16 për qind në krahasim me një ditë më herët.
Deri më tani janë shënuar 2,503 të vdekur nga infeksioni.
Megjithatë autoritetet raportuan se niveli i infeksioneve të reja është duke rënë.
Numri i të infektuarve është 31,506 nga 27.980 sa ishin një ditë më herët.
Sipas autoriteteve ky është niveli më ulët i rasteve të reja brenda një dite, që nga shpërthimi i pandemisë në këtë vend.