Video: Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?
Qytetarët në Kosovë grumbullojnë rezerva ushqimore
Blerja dhe krijimi i rezervave të produkteve ushqimore, barnave dhe atyre sanitare e higjienike, tashmë është një dukuri që po manifeston frikën dhe panikën e krijuar te shumë qytetarë të Kosovës nga përhapja e koronavirusit të ri.
Që nga vendimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të shpallur gjendje pandemie, që pasoi edhe ndërmarrjen e masave të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e përkohshme të institucioneve arsimore dhe masave tjera, blerjet nga qytetarët kanë shënuar rritje, përkundër thirrjeve nga institucionet se nuk ka nevojë për panik, ngase ka mjaftueshëm rezerva.
Aktualisht, në Kosovë ende nuk është shënuar asnjë rast i konfirmuar me virusin e ri dhe infeksionin COVID-19. Për më shumë, lexoni këtu.
OBSH këshillon të dyfishohen përpjekjet kundër koronavirusit
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanon Ghebreyesus, bëri thirrje që të gjitha vendet e botës t’i dyfishojnë përpjekjet kundër pandemisë së koronavirusit.
Duke folur të enjten në Gjenevë, një ditë pasi OBSH-ja e shpalli pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19, ai tha:
"Përshkrimi (i sëmundjes) si pandemi nuk do të thotë që shtetet duhet të heqin dorë".
Ghebreyesus po ashtu tha se shtetet “duhet të gjejnë balancën midis mbrojtjes së shëndetit, parandalimit të përçarjeve ekonomike dhe sociale dhe respektimit të të drejtave të njeriut".
Gruaja e kryeministrit kanadez infektohet nga koronavirusi
Sophie Gregoire Trudeau, gruaja e kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeau, është infektuar me koronavirus, ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit.
“Tani për tani mbetet në izolim. Ajo ndjehet mirë dhe është duke ndërmarrë të gjitha masat e rekomanduara. Simptomat e saj mbeten të lehta”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Trudeau është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka simptoma, sipas zyrës së tij, por ai do të qëndrojë në izolim për 14 ditë.
Tani për tani nuk ka plane që Trudeau të testohet për koronavirus.
Aktualisht, janë rreth 103 raste të konfirmuara të koronavirusit në Kanada.