Belgjika mbyll shkollat e restorantet
Shtabi i krizave në Belgjikë ka marrë vendim që të pezullojë mësimet në shkollat e të gjitha niveleve në këtë vend, nisur nga data 16 mars, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Gjithashtu është vendosur që nga mesnata e 13 marsit, baret, restorantet dhe diskotekat të mbyllen për kohë të pacaktuar.
Dyqanet dhe farmacitë mbeten të hapura, ashtu si edhe transporti publik.
Të gjitha aktivitetet sportive dhe kulturore do të anulohen po ashtu.
Këto masa në Belgjikë do të zgjasin deri më 3 prill.
Masa të ngjashme për të luftuar koronavirusin kanë ndërmarrë edhe vende të tjera të botës, përfshirë Kosovën.
Koronavirusi mbyll Malin Everest
Mali më i lartë në botë Everest është mbyllur për pjesën tjetër të sezonit të ekspeditës, për shkak të shpërthimit të koronavirusit.
Qeveria e Nepalit njoftoi se do t’i anulojë të gjitha lejet e ngjitjes nga 14 marsi deri më 30 prill.
“Kemi vendosur t’i ndalojmë të gjitha vizat turistike deri më 30 prill", tha Narayan Prasad Bidari, sekretar i Zyrës së Kryeministrit.
Ai gjithashtu i këshilloi të huajt që nuk kanë mundur të shmangin shkuarjen në Nepal nga data 14 mars, të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë.
Shumica e alpinistëve në Everest vijnë nga Shtetet e Bashkuara, India, Kina, Britania e Madhe, Japonia dhe Koreja e Jugut dhe janë burim kryesor i të ardhurave për Qeverinë e Nepalit.
Kushdo që dëshiron të ngjitet në Everest duhet t'i paguajë qeverisë 11,000 dollarë.
India regjistron vdekjen e parë nga koronavirusi
India regjistroi vdekjen e parë nga koronavirusi, konfirmuan zyrtarët.
Bëhet fjalë për një burrë 76-vjeçar, nga shteti jugor i Karnatakas, i cili ishte kthyer nga Arabia Saudite më 29 shkurt, pas një vizite prej një muaji.
Ministri i Shëndetësisë i shtetit tha se njerëzit që kanë qenë në kontakt me të, janë dërguar në karantinë.
India ka 73 raste të konfirmuara me koronavirus, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi.
Të gjitha shkollat, kolegjet dhe kinematë në Delhi janë mbyllur deri më 31 mars, në përpjekje për të ndihmuar kontrollimin e përhapjes së koronavirusit.
Ministri i Brendshëm i Australisë ka koronavirus
Ministri i Punëve të Brendshme i Australisë, Peter Dutton, tha se është infektuar me koronavirus.
Përmes një postimi në Twitter, Dutton tha se është zgjuar të premten me "temperaturë dhe dhimbje të fytit” dhe se “menjëherë ka kontaktuar departamentin e shëndetësisë".
Ai është pranuar në spital.
Nuk ka konfirmim zyrtar ende, por raportohet se Dutton ka ndjekur një takim të kabinetit të martën.