Shqipëria mbyll kufirin me Kosovën
Autoritetet në Shqipëri kanë vendosur që në kuadër të masave parandaluese kundër përhapjes së koronavirusit të ri, të mbyllin përkohësisht edhe kufirin me Kosovën.
Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit (QKMK) që funksionon në kuadër të Ministrisë së Puinëve të Brendshme në Kosovë ka njoftuar se duke filluar nga data 13 mars, 2020, në ora 06.00, do të ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Shqipërisë për të gjithë shtetasit, përkatësisht veturat e Republikës së Kosovës.
”Do të lejohet hyrja vetëm e veturave të shëndetësisë apo ndihmës së shpejtë, automjeteve komerciale (ato të cilat bartin mallra) dhe veturave qeveritare. Kjo masë do të zgjasë deri me datën 15 mars, 2020 në ora 24.00”, thuhet në njoftimin e QKMK-së.
Në kuadër të masave shtrënguese që ndalojnë qarkullimin në Shqipëri, Qeveria e atjeshme ka marrë masa edhe për ndalimin e qarkullimit të mjeteve publike dhe atyre private në Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier dhe Vlorë.
Kina i ofron OKB-së bashkëpunim në kërkimin e vaksinës
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, tha se vendi i tij dëshiron të kryejë kërkime të përbashkëta me Kombet e Bashkuara për vaksinën kundër koronavirusit.
Në një bisedë telefonike me shefin e OKB-së, Antonio Guterres, Xi tha se Kina po i kthehet jetës normale falë përpjekjeve këmbëngulëse në parandalimin dhe kontrollimin e koronavirusit.
Kina është vendi i origjinës së koronavirusit dhe ka regjistruar mbi 3,000 viktima si pasojë e sëmundjes që e shkakton ai, COVID-19.
”Populli kinez do ta mundë përfundimisht epideminë COVID-19”, tha Xi.
Kina, më 13 mars, raportohet se ka shënuar vetëm tetë raste të reja me koronavirus.
“Koronavirusi, le ta ndalojmë së bashku”
Kështu shkruan në disa ekrane që janë shfaqur në stacionin e trenave në Millano të Italisë.
Edhe Portugalia mbyll shkollat
Qeveria e Portugalisë ka vendosur që nga data 16 mars të mbyllë të gjitha shkollat dhe universitetet në këtë vend, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Masa që do të jetë në fuqi për gati një muaj, do të prekë rreth dy milionë nxënës dhe studentë.
Kryeministri portugez, Antonio Kosta, tha se qeveria e tij do t’iu ofrojë ndihmë financiare prindërve që punojnë dhe që për shkak të mbylljes së shkollave, detyrohen të qëndrojnë në shtëpi me fëmijët.
Në Portugali janë aktualisht 78 njerëz të prekur nga koronavirusi.
Shkollat i kanë mbyllur dhjetëra vende të Evropës, përfshirë Kosovën.