Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
08:42 27.5.2020

Arabia Saudite rinis fluturimet e brendshme

Fluturimet brenda Arabisë Saudite do të rifillojnë të dielën, tha autoriteti i aviacionit në këtë vend.

Fluturimet janë pezulluar që nga data 21 mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Arabia Saudite tha se do të fillojë t'i lehtësojë gradualisht masat kufizuese këtë javë dhe se pret që deri më 21 qershor shtetrrethimi të përfundojë plotësisht.

Megjithatë, qyteti i Mekës - njëri prej vendeve më të rëndësishme të botës myslimane - do të mbetet nën shtetrrethim për më gjatë.

08:00 27.5.2020

Amerika Latine, epiqendër e re e pandemisë

Amerika Latine ka tejkaluar Evropën dhe Shtetet e Bashkuara me numrin e përditshëm të të infektuarve me koronavirus, tha drejtorja e Organizatës Pan-Amerikane të Shëndetësisë, Carissa Etienne.

Rajoni “është bërë tani epiqendër e pandemisë” së koronavirusit, tha ajo në një konferencë për gazetarë.

Brazili është vendi i dytë në botë, pas SHBA-së, me numër të të infektuarve dhe i gjashti me numrin e viktimave.

Mbi 391,000 njerëz atje janë infektuar me koronavirus dhe mbi 24,500 kanë humbur jetën.

Për vendet si Brazili, “tani nuk është koha për t’i lehtësuar kufizimet ose strategjitë parandaluese”, tha Etienne, nga Organizata Pan-Amerikane e Shëndetësisë.

"Tani është koha për të qëndruar të fortë, për të qëndruar vigjilentë dhe për të zbatuar në mënyrë agresive masat e shëndetit publik. Kemi mësuar nga rajonet e tjera, kemi mësuar se çfarë funksionon dhe çfarë jo dhe ne duhet të vazhdojmë ta zbatojmë këtë njohuri në kontekstin tonë”, tha Etienne.

Në pjesë të tjera të Amerikës Latine, shpërthimet e koronavirusit po marrin hov në Peru, Kili, El Salvador, Guatemalë, Nikaragua dhe Meksikë.

Në një tjetër lajm të keq për rajonin, linja më e madhe ajrore e Amerikës Latine, LATAM, është bërë kompania e fundit në të gjithë botën që ka shpallur falimentimin, pasi ka pësuar rënie dramatike të biznesit për shkak të pandemisë së koronavirusit.

22:52 26.5.2020

Mbretëria e Bashkuar autorizon përdorimin e remdesivirit kundër koronavirusit

Ilaçi i quajtur, remdesivir, që besohet se zvogëlon kohën e shërimit të pacientëve nga koronavirusi, është miratuar për përdorim nga Sistemi Kombëtar i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar.

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock ka thënë se ky trajtim mund të përbëjë hapin më të madh në rrugën e trajtimit të koronavirusit, prej ditëve të para të shpërthimit.

Remdesivir është ilaç anti-viral, që është përdorur kundër Ebolas.

Rregullatorët britanikë kanë thënë se ka mjaftueshëm të dhëna që tregojnë se ky ilaç mund të përdoret në pacientë të caktuar, të cilët janë të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton ky virus.

Për shkak të rezervave të vogla me këtë ilaç do të trajtohen vetëm ata që besohet se mund të përfitojnë më së shumti.

Përveç Britanisë, ky ilaç është duke u testuar në shumë vende në botë.

Të dhënat fillestare kanë treguar se remdesivir zvogëlon për katër ditë periudhën e shërimit, ndonëse ende nuk ka prova se ai mund të shpëtojë më shumë jetë njerëzish.

22:23 26.5.2020

Edhe në Kosovë është raportuar rritje e rasteve të dhunës në familje, në kohën e shpërthimit të koronavirusit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG