Andrea Bocelli ka tejkaluar koronavirusin
Tenori italian, Andrea Bocelli ka thënë se është infektuar me koronavirus, mirëpo është shëruar plotësisht në muajin mars.
Pasi ka shkuar në spital për të dhënë gjak për një studim rreth sëmundjes Covid-19, që shkakton ky virus, ai ka shkruar në Facebook:
Pandemia, e cila ka shkundur botën më ka prekur edhe mua dhe disa pjesëtarë të familjes sime, ndonëse lehtë.
Për shkak të respektit ndaj atyre që kanë pasur pasoja serioze nga virusi, unë kam vendosur të mos e ndaj këtë lajm. Unë nuk kam dashur që pa nevojë të shqetësoj adhuruesit e mi dhe kam dëshiruar të ruaj pavarësinë e familjes sime.
Ne kemi qenë mjaftueshëm fatlumë që jemi shëruar në fund të muajit mars. Kur më është dhënë mundësia për të dhënë gjak për të ndihmuar në gjetjen e ilaçit për Covid, përgjigjja ime e menjëhershme ka qenë “po”
Një gjest modest por thelbësor, në të cilin unë po luaj një rol të vogël.
Italia ka qenë një prej vendeve të prekura më së keqi në Evropë nga koronavirusi i ri.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, ky shtet ka regjistruar mbi 200,000 persona të infektuar me këtë virus, prej tyre mbi 32 kanë vdekur.
Samiti i G7-ës “do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë”
Samiti i liderëve të shtatë shteteve më të industrializuara në botë do të zhvillohet “në fund të muajit qershor” në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, pavarësisht situatës së krijuar me koronavirus, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany.
Ajo ka thënë në një konferencë për media se presidenti amerikan, Donald Trump e konsideron samitin si shembull të hapjes graduale të ekonomisë së Shteteve të Bashkuara.
“Ne do të mbrojmë liderët botërorë që vijnë këtu, ashtu si mbrojmë njerëzit në Shtëpinë e Bardhë”, McEnany.
Dy pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus.
Një prej tyre është rikthyer në punë të martën.
Përndryshe Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga koronavirusi.
Ato kanë regjistruar mbi 1.6 milion të prekur dhe mbi 98,000 të vdekur nga ky virus.
Nëntë raste të reja me koronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka regjistruar të martën nëntë raste të reja me koronavirusin e ri, pas kryerjes së 220 testeve.
"Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 8 raste (sipas vendbanimit: 7 raste Vushtrri dhe 1 rast Bajskë) dhe 1 rast me vendbanim në Gjilan", është thënë në njoftim.
Po të martën është bërë e ditur se nga sëmundja, Covid-19, që shkakton ky virus, janë shëruar tre pacientë, duke e çuar numrin total në 794.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 1.047 raste me koronavirus.
Prej tyre, 30 pacientë kanë vdekur.
Japonia ndihmon Kosovën me mbi 700 mijë dollarë në luftën kundër Covid-19
Ministria në detyrë e Shëndetësisë ka njoftuar është informuar që Japonia ka ndarë mbi 700 mijë dollarë për Kosovën me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.
Në një komunikatë për media është thënë se lajmi për këto fonde i është kumtuar kësaj ministrie nga i ngarkuari me punë në Ambasadën Japoneze në Kosovë, Mitsunori Ogasawara.
Në një takim mes Ministrit në detyrë të Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia dhe Ogasawaras, ky i fundit është cituar të ketë thënë se Japonia e konsideron situatën me koronavirus si krizë të sigurisë njerëzore dhe për këtë qëllim dëshiron ta ndihmojë Kosovën në përballimin e saj.
“Për këtë qëllim, Japonia ka ndarë 718.200 dollarë për popullin e Kosovës përmes UNICEF-it”, është cituar të ketë deklaruar Ogasawara.
Në Kosovë, që nga shfaqja e rasteve të para me koronavirus më 13 mars, janë konfirmuar gjithsej 1,038 të infektuar.
Prej tyre, 791 janë shëruar dhe 30 kanë vdekur.