Maqedonia e Veriut hoqi orën policore, ende s’ka vendim për kufijtë
Maqedonia e Veriut hoqi të gjitha kufizimet e lëvizjes brenda këtij shteti duke nisur nga dita e mërkurë. Ndalesa për lëvizje deri tani ka qenë nga ora 19:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit ndërsa fundjavave ishte aplikuar edhe karantinë shtetërore, por me propozimin e ri ajo do të hiqet tërësisht.
Megjithatë kryeministri Oliver Spasovski ka bërë thirrje për respektimin e masave, në veçanti mbajtjen e maskave, ruajtjen e distancës fizike si dhe përdorimin e dezinfektuesve.
“Virusi është këtu dhe do të jetë i pranishëm derisa të fitohet imuniteti ose të gjendet një vaksinë. Është e rëndësishme që qytetarët të zbatojnë masat, për mbrojtjen personale dhe largësinë. Le të jetojmë me koronavirusin por në mënyrë që do të mbrojmë shëndetin e të gjithëve përreth nesh", ka deklaruar Spasovski.
Komisioni i Sëmundjeve Infektive kishte propozuar edhe hapjen e kufijve nga data 1 qershor, por kjo çështje do të diskutohet në një nga mbledhjet e radhës të qeverisë.
Hapja e kufijve, sipas propozimit të Komisionit, do të bëhet në koordinim me shtetet tjera të rajonit.
Ende nuk është bërë e ditur nëse parashihen teste për koronavirus edhe pse Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe më parë ka deklaruar se një gjë e tillë do të vështirësonte lëvizjen e qytetarëve.
Spanja ul numrin e të vdekurve si pasojë e koronavirusit
Ministria e Shëndetësisë në Spanjë ka thënë se një total prej 27,119 personave kanë vdekur në këtë shtet si pasojë e koronavirusit të ri.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, kjo shifër është rritur për 285, në krahasim me një ditë më parë.
Numri i rasteve të konfirmuara me këtë virus në Spanjë ka arritur në 236,259, ka thënë kjo ministri.
Të hënën, Qeveria spanjolle ka rishikuar numrin total të të vdekurve, me ç’rast e ka ulur të njëjtën për 2,000 pasi ka rishikuar të dhënat e ofruara nga rajonet spanjolle, duke nxitur kritika të ashpra nga kundërshtarët politikë.
Shtetet amerikane vazhdojnë të rihapen
Është bërë pothuajse një javë prej kur 50 shtetet amerikane kanë nisur të rihapen, mirëpo në disa prej tyre procesi është më i ngadalshëm.
Xhorxhia, një prej shteteve të para që është rihapur, është përballur me rreth 600 raste të reja me koronavirus në baza ditore, dhe deri më tani nuk ka regjistruar shpërthime tjera.
Miçigani, në të cilin vendimi i qëndrimit në shtëpi është zgjatuar deri më 12 qershori, ka nisur të lehtësojë masat në zonat e prekura më së paku, ashtu sikurse Detroiti.
Duke nisur nga dita e martë, bizneset e veturave dhe shitjeve do të mund të rihapen për një numër të kufizuar konsumatorësh.
Dyqanet dhe restorantet tashmë janë rihapur në disa zona të izoluara në pjesën gjysmë-perëndimore të shtetit.
Një Nju Xhersi, ku palestrat, parukeritë dhe bizneset tjera që kërkojnë kontakt të afërt, janë të mbyllura ende, një grup prej 500 pronarëve të bizneseve ka njoftuar se do të injorojë rregullat për të rihapur bizneset më 1 qershor.
Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga koronavirusi i ri. Ato kanë regjistruar mbi 1.6 milion të prekur dhe mbi 98,000 të vdekur nga ky virus.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë
Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar të martën se kryetari i Qendrës së saj në Podujevë, Bajram Ajeti ka dorëzuar në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) kërkesën për mbajtje të zgjedhjeve komunale më 14 qershor.
“Pezullimi i zgjedhjeve komunale për kryetar komune është bërë me datën 14.03.2020, nga presidenti për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Situata e krijuar në vend e posaçërisht në komunën tonë ku nuk kemi asnjë rast aktiv të infektuar me covid19 mbi një muaj. Vlerësojmë se janë krijuar kushtet dhe rrethanat për t'u mbajtur zgjedhjet”, është thënë në njoftimin e kësaj Lëvizjeje në rrjetin social, Facebook.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky trup do të organizojë zgjedhjet kurdo që i kërkohet.
Lajmin e plotë e gjeni këtu.