Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
17:39 26.5.2020

Gjykatat mbesin të mbyllura përkundër lehtësimit të masave

Që nga raportimi i rasteve të para me koronavirusin e ri në muajin mars, gjykatat edhe prokuroritë në Kosovë nuk janë duke u marrë me raste tjera përveç atyre që lidhen me paraburgime ose dhunë në familje.

Kjo mënyrë e funksionimit është duke vazhduar ende, pavarësisht lehtësimit të masave për lëvizje të lirë nga autoritetet përkatëse.

Ibrahim Fazliu nga Peja, tha për Radion Evropa e Lirë, se për shkak të mosfunksionimit të gjykatave, rasti i tij për një çështje pronësore, disa herë është shtyrë dhe ka mbetur në pritje të rifillimit të punës së gjykatave.

“Më 7 maj e kam pasur gjykimin, por nuk është mbajtur. Tash nuk e di kur mbahet seanca e ardhshme për shkak të pandemisë. Kjo pritje po më shkakton nervozë të madhe. [Gjyqtarët] i kanë pagat e mira...ata duhet të punojnë dhe t’i mbajnë seancat në distancë dhe lënda ime mund të kryhet në mënyra të ndryshme”, tha Fazliu.

Kjo mënyrë e funksionimit të gjykatave, për Ehat Miftarajn, drejtorin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, është e papranueshme. Ai konsideron se si Këshilli Gjyqësor po edhe ai Prokurorial i Kosovës, janë duke u vonuar në marrjen e masave për hapjen e gjyqësorit.

Materialin e plotë e gjeni këtu.

17:17 26.5.2020

Danimarka hap kufijtë për çiftet e ndara nga koronavirusi

Danimarka ka rihapur kufijtë për çiftet që janë ndarë nga partnerët e tyre si pasojë e koronavirusit.

Të hënën, partnerët e ndarë që jetojnë në shtetet nordike apo në Gjermani, janë lejuar të hyjnë në Danimarkë.

Aktualisht rregullat kërkojnë që njerëzit të vërtetojnë lidhjen e tyre para autoriteteve përmes fotografive, mesazheve të shkruara apo shkëmbimit të adresave elektronike.

Mirëpo Ministri i Drejtësisë, Nick Hækkerup, ka thënë se këto rregullore do të lehtësohen në ditët në vijim, dhe krejt çfarë do të duhet është një letër e nënshkruar nga të dyja palët.

“Nëse thoni se keni të dashur dhe nënshkruani dokumentin, në do të pretendojmë se është e vërtetë”, ka thënë Hækkerup për televizionin, TV2.

Një numër shtetesh janë duke konsideruar rihapjen e kufijve të brendshëm të Evropës, teksa shkalla e infektimit me koronavirus zvogëlohet.

Gjermania ka propozuar lejimin e hyrjes së udhëtarëve nga 25 vende të Bashkimit Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe shtetet si Islanda dhe Norvegjia nga 15 qershori.

16:44 26.5.2020

The Ickabog, libri i ri i autores, JK Rowling

Autorja e librave Harry Potter, JK Rowling, ka befasuar adhuruesit e saj kur ka njoftuar se do të publikojë një libër të ri për fëmijë në faqen e saj online.

The Ickabog ka treguar se është përrallë, njëherësh libri i parë i saj për fëmijë që nuk lidhet me Harry Potterin.

Ajo ka thënë se e ka shkruar atë libër më shumë se një dekadë për parë për fëmijët e saj, mirëpo ka vendosur ta publikojë atë në kohën e pandemisë me koronavirus.

Është për “fëmijët në izolim, apo për ata që janë kthyer në shkollë, në këto kohë të çuditshme, të paqarta”, ka thënë ajo.

Kapitujt e librit do të publikohen në baza ditore në faqen e saj online.

16:05 26.5.2020

Maqedoni e Veriut: Çdo i dyti adoleshent shpreh probleme të shëndetit mendor

Pothuajse gjysma e fëmijëve nga mosha 11 deri në 15 vjeç në Maqedoninë e Veriut, që janë anketuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, janë shprehur se kanë probleme që lidhen me shëndetin mendor.

Në raportin e Zyrës për Evropën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thuhet se të anketuarit kanë shprehur pakënaqësi të ndryshme, si simptoma psikosomatike (kokëdhimbje, dhimbje të stomakut, nervozë, probleme me gjumin, mungesë të disponimit si dhe pakënaqësi të tjera.

Në bazë të këtij studimi, që ka të bëjë me shëndetin mendor të fëmijëve të moshave shkollore, 45 për qind e vajzave 15 vjeçe kanë pasur simptoma depresive për më shumë se dy javë rresht, përderisa 34 për qind e vajzave të kësaj moshe janë shprehur se ndihen të paafta për ta tejkaluar këtë gjendje depresive.

Kryetari i Unionit të nxënësve të shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut, Bledi Hodai, thotë për Radion Evropa e Lirë se goditja më e madhe emocionale që marrin të rinjtë është si rrjedhojë e mosbesimit që shpreh rrethi dhe institucionet ndaj kapacitetit të tyre.

“Një ndër fajtorët më të mëdhenj, sa i përket vetëbesimit të ulët, depresionit dhe problemeve psikologjike te të rinjtë është aspekti i shoqërisë. Shoqëria jonë vazhdimisht i demotivon të rinjtë, vazhdimisht i ofendon dhe i linçon në momentin kur ata dëshirojnë të bëjnë diçka, edhe pse në moshë të re. Kjo dukuri shfaqet në rrethin ku ata jetojnë dhe më pas vazhdon edhe me mënyrën e funksionimit të institucioneve të shtetit, sepse liderët tanë, përfaqësuesit politikë dhe ata që udhëheqin me shtetin, nuk ju intereson gjendja psikike, përkatësisht gjendja emocionale e të rinjve”, thotë Hodai.

Materialin e plotë e gjeni këtu.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG