Rusia do të zhvillojë paradë në përkujtim të Luftës së Dytë Botërore
Rusia do të zhvillojë një paradë ushtarake për të shënuar 75-vjetorin e Ditës së Fitores përgjatë Luftës së Dytë Botërore, pas shtyrjes së festimeve, si pasojë e përhapjes së koronavirusit, ka njoftuar presidenti rus, Vladimir Putin.
Putin është detyruar të anulojë paradën për shënimin e kësaj dite më 9 maj, pasi shtimit të numrit të personave të prekur me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Zakonisht, në Ditën e Fitores në Rusi shihen radhë të gjatë të ushtarëve, veteranëve, pajisje moderne ushtarake, dhe makina historike të Ushtrisë së Kuqe në Sheshin e Kuq të Moskës.
Në ditën kur do të duhej të organizohej parada, në Rusi janë zhvilluar ceremoni të vogla përkujtimore, mirëpo tani Putin i ka kërkuar Ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, të nisë përgatitjet për festë muajin e ardhshëm.
“Ne do ta zhvillojmë atë më 24 qershor, në ditën kur është zhvilluar paradë legjendare e fituesve më 1945”, i ka thënë Putin ministrit rus të martën përmes një adresimi televiziv.
Përkujtimet e Ditës së Fitores janë të rëndësishme për kalendarin e vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik, të cilat së bashku kanë humbur 26 milionë njerëz në Luftën e Dytë Botërore.
Spanja shpall dhjetë ditë zie për viktimat e koronavirusit
Qeveria e Spanjës shpalli dhjetë ditë të zisë, nisur nga e mërkura, për viktimat e pandemisë së koronavirusit.
Afro 27,000 njerëz kanë vdekur në Spanjë si pasojë e sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19.
Gjatë periudhës së zisë, flamujt në ndërtesat publike do të ulen në gjysëm-shtizë, tha zëdhënësja e Qeversë spanjolle, Maria Jesus Montero.
Spanja ka humbur 26,834 njerëz nga koronavirusi.
Autoritetet atje kanë raportuar për mbi 235,000 njerëz të infektuar.
Nga 1 qershori, Maqedonia e Veriut pritet të hapë kufijtë me shtetet fqinje
Maqedonia e Veriut, nga data 1 qershor, pritet të hapë kufijtë me shtetet fqinje.
Kështu propozoi Komisioni për Sëmundje Infektive në mbledhjen e së martës, ku u propozua edhe heqja e orës policore, si dhe hapja e restoranteve dhe e kafeneve.
Këto kufizime janë ndërmarrë qysh në muajn mars, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Propozimet e Komisionit për heqjen e tyre do të diskutohen në mbledhjen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, të martën pasdite.
"Ne do të marrim vendime që do t'i lehtësojnë të gjitha këto masa kufizuese, por e gjithë kjo do të bëhet me respektimin e rreptë të masave nga qytetarët", tha kryeministri maqedonas, Oliver Spasovski.
Hapja e kufijve, sipas propozimit të Komisionit për Sëmundje Infektive, do të bëhet në koordinim me shtetet tjera të rajonit.
Ende nuk është e qartë nëse parashihen teste për koronavirus për qytetarët që hyjnë në Maqedoninë e Veriut, edhe pse ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka thënë më herët se një gjë e tillë do të vështirësonte lëvizjen e qytetarëve.
Hapja e lokaleve të gastronomisë u tha se gjithashtu do të bëhet në përputhje me protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë, ruajtjen e distancës fizike, apo përgjysmimin e kapaciteteve të objekteve.
Ndalesa për lëvizjen e qytetarëve deri tani ka qenë nga ora 19:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, ndërsa fundjavave është aplikuar edhe karantinë shtetërore, por me propozimin e ri ajo do të hiqet tërësisht.
Maqedonia e Veriut, të martën, ka regjistruar edhe tre të vdekur nga koronavirusi dhe 16 raste të reja të të infektuarve.
Me këto shifra, numri i viktimave në këtë vend shkon në 116, ndërsa i të infektuarve në 2,015.
Shpresë për vaksinën derisa virusi po shkatërron ekonominë botërore
Studiuesit po testojnë një “koktej të antitrupave” kundër koronavirusit, përderisa studimet në majmunë po japin rezultate premtuese për zbulimin e vaksinës.