Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
13:47 26.5.2020

Mblidhen 9.5 miliardë euro për financimin e vaksinës kundër koronavirusit

Një fushatë globale për të financuar zhvillimin e vaksinave dhe terapive kundër koronavirusit ka mbledhur deri më tani 9.5 miliardë euro, tha të martën presidentja e Komisionit Evropian, Urusula von der Leyen.

Në një postim në Twitter, ajo tha se është arritur "rezultat i shkëlqyeshëm" në përgjigjen globale kundër koronavirusit.

Në fillim të fushatës, më 4 maj, janë mbledhur 8 miliardë dollarë nga liderët globalë dhe institucionet e tjera.

SHBA-ja, edhe pse vendi më i prekur nga koronavirusi, nuk merr pjesë në këtë fushatë.

Koronavirusi ka infektuar mbi 5.5 milionë njerëz në gjithë botën dhe ka vrarë mbi 346,600.

13:20 26.5.2020

Danimarka pret tkurrjen më të madhe ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore

Ekonomia e Danimarkës po përballet me tkurrjen më të madhe ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore, për shkak të masave të izolimit kundër koronavirusit.

“Është serioze”, tha të martën ministri danez i Financave, Nicolai Wammen.

“Kriza e koronavirusit me gjasë do të ndikojë ekonominë e Danimarkës edhe për disa vite. Por, ne kemi shtruar rrugën për dalje nga kriza dhe kemi ndërmarrë tashmë hapat e parë të rëndësishëm”, tha ai.

Në muajin prill, Wammen ka thënë se Danimarka përballet me një nga “kapitujt më të errët” në historinë e saj, pasi qeveria ka parashikuar tkurrje të ekonomisë për 3 deri në 6 për qind, këtë vit.

Ministria e Financave tani parashikon që ekonomia të tkurret për 5.3 për qind.

Para krizës me koronavirus, parashikimi ka qenë për 1.5 për qind rritje.

Gjatë krizës financiare më 2009, ekonomia daneze është tkurrur për 4.9 për qind.

Danimarka ka miratuar paketa ndihme për ekonominë e saj, në vlerë prej mbi 40 miliardë eurosh.

"Paketat e përkohshme të ndihmës duhet të hiqen dhe të zëvendësohen me investime dhe iniciativa të mençura, për të filluar aktivitetin ekonomik", tha Wammen.

Danimarka ka qenë ndër vendet e para që është izoluar në muajin mars për të frenuar epideminë e koronavirusit dhe ka qenë një nga të parat që ka nisur të rihapet, pas vënies nën kontroll të saj.

Danimarka ka konfirmuar mbi 11,000 raste të të infektuarve me koronavirus dhe 563 viktima.

12:52 26.5.2020

Serbia kritikon Malin e Zi për moshapje të kufirit me të

Ministrja e Transportit e Serbisë, Zorana Mihajlloviq, tha se vendimi i Malit të Zi për të mos hapur kufijtë me Serbinë është në kundërshtim me parimet e lirisë së lëvizjes, mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian, dhe se nuk u kontribuon marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.

“Mali i Zi, në procesin e integrimit evropian, ka përparuar më shumë se Serbia dhe disa vende të tjera të rajonit. Në përputhje me këtë, ai do të duhej të ishte shembull për të tjerët. Por, në vend të kësaj, midis njerëzve krijohen artificialisht barriera", tha Mihajlloviq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

“Ky vendim e thotë qartë se jo vetëm Mali i Zi ka det dhe unë besoj se qytetarët tanë do ta kuptojnë këtë mesazh", shtoi ajo.

Ministrja e Transportit e Serbisë, Zorana Mihajlloviq.
Ministrja e Transportit e Serbisë, Zorana Mihajlloviq.

Të hënën, Qeveria e Malit të Zi ka bërë të ditur se me cilat vende do t’i rihapë kufijtë, të cilët janë mbyllur për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Në mesin e tyre janë: Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Shqipëria dhe Greqia.

Me këto vende është thënë se kufijtë do të rihapen në ditët e para të qershorit.

Sipas autoriteteve malazeze, ato i kanë plotësuar kushtet e duhura epidemiologjike të Institutit të Shëndetit Publik, përkatësisht kanë deri në 25 të infektuar me koronavirus në 100,000 banorë.

Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Malit të Zi janë tensionuar qysh në fund të vitit të kaluar, kur Kuvendi malazez ka miratuar një ligj për liritë fetare, që thuhet se konteston pronësinë serbe mbi disa kisha dhe territore në Mal të Zi.

12:26 26.5.2020

Gjermania planifikon rihapjen e kufijve me 31 vende

Qeveria e Gjermanisë planifikon të heqë ndalesën e udhëtimit për turistët e 31 vendeve evropiane, nisur nga data 15 qershor.

Gjermania, sikur edhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe më gjerë, ka mbyllur kufijtë në mes të marsit, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Sipas një propozimi të parë nga agjencia e lajmeve DPA, Gjermania planifikon t’i rihapë kufijtë me të gjitha vendet e BE-së, me Britaninë e Madhe dhe me katër anëtarët e zonës së lëvizjes së lirë, Schengen: Islandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Lihtenshtajnin.

Plani pritet të dërgohet të mërkurën për miratim në kabinetin e kancelares gjermane, Angela Merkel.

Gjermania ka thënë se ka vënë nën kontroll përhapjen e koronavirusit.

Ajo ka konfirmuar mbi 180,000 raste të të infektuarve dhe rreth 8,300 viktima.

Numri i relativisht i ulët i viktimave në krahasim me vendet e tjera evropiane, i është atribuar testimit masiv.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG