Ku e ka zanafillën karantina?
Përhapja globale e një koronavirusi me origjinë nga Kina, ka bërë që shumë udhëheqës botërorë të zbatojnë një traditë të lashtë për të kontrolluar sëmundjen: karantinën. Por, sa e efektshme është ajo dhe ku e ka zanafillën?
Brazili mban rekomandimin për hidroksiklorinë, pavarësisht paralajmërimit të OBSH-së
Brazili tha se nuk do të ndryshojë rekomandimin e tij për përdorimin e hidroksiklorinës dhe të klorokinës kundër koronavirusit, edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë e pezulloi testimin e këtyre dy ilaçeve, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka promovuar disa përfitime të supozuara të tyre kundër koronavirusit.
Javën e kaluar, një studim në revistën mjekësore The Lancet ka konstatuar se hidroksiklorina nuk sjell përfitime në trajtimin e pacientëve me koronavirus dhe se përdorimi i saj mund t’i rrisë shanset e tyre për të vdekur.
“Ne do të mbetemi të qetë dhe nuk do të bëjmë ndryshime”, tha një zyrtar i shëndetësisë në Brazil, raporton BBC.
Hidroksiklorina përdoret kundër malaries ose artritit, por asnjë testim klinik nuk e ka rekomanduar përdorimin e saj për trajtimin e COVID-19 – sëmundjes që e shkakton koronavirusi.
Brazili është vendi i dytë më i prekur me koronavirus, pas SHBA-së.
Afro 375,000 njerëz atje janë infektuar, ndërsa mbi 23,000 kanë vdekur.
Rusia regjistron rekord viktimash brenda një dite
Rusia regjistroi numrin më të lartë të viktimave nga koronavirusi brenda një dite.
Autoritetet thanë se gjatë 24 orëve të fundit kanë regjistruar 174 viktima, të cilat e rrisin në 3,807 numrin e përgjithshëm të tyre.
Zyrtarët raportuan edhe për 8,915 të infektuar të rinj, të martën.
Në total, Rusia ka 362,342 njerëz të prekur nga koronavirusi.
Me këtë shifër, ajo është vendi i tretë më i prekur në botë, pas SHBA-së dhe Brazilit.
Spanja kërkon rregulla të përbashkëta për rihapjen e kufijve
Spanja kërkoi nga partnerët e Bashkimit Evropian që të vendosin rregulla të përbashkëta për rihapjen e kufijve dhe për rikthimin e lëvizjes së lirë në zonën e ashtuquajtur Schengen.
Vendet e BE-së, por edhe të tjerat, i kanë mbyllur kufijtë qysh në mes të muajit mars, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Me rënien e numrit të rasteve të reja, vendet veç e veç kanë nisur lehtësimin e masave kufizuese, përshirë edhe rihapjen e kufijve.
"Ne duhet të punojmë me partnerët tanë evropianë për të përcaktuar rregullat e përbashkëta që do të na lejojnë rikthimin e lëvizjes së lirë në territorin evropian", tha ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha Gonzalez, për mediat lokale.
Edhe pse vendet e BE-së kanë caktuar data të ndryshme për rihapjen e kufijve, duhet të ketë parime dhe rregulla të përbashkëta në të gjithë zonën Schengen, shtoi ajo.
Spanja është një nga vendet më të prekura nga koronavirusi në Evropë, ndërsa është e pesta në botë sa i përket numrit të viktimave.
Koronavirusi atje ka infektuar mbi 235,000 njerëz dhe ka vrarë mbi 26,800.