Mbi 400 të infektuar të rinj në Gjermani dhe 45 viktima
Gjermania regjistroi 432 të infektuar të rinj me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit.
Instituti Robert Koch tha se ka regjistruar edhe 45 viktima, që lidhen me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19.
Me këto shifra, numri i përgjithshëm i të infektuarve arrin në 179,002, ndërsa i viktimave në 8,302.
Rreth 90 për qind e të infektuarve në Gjermani tashmë janë shëruar.
Si pjesa më e madhe e Evropës, edhe Gjermania është në proces të lehtësimit të masave kundër koronavirusit.
Dy pacientë me koronavirus në QKUK, në gjendje të rëndë
Nëntë pacientë të infektuar me koronavirus janë të shtrirë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Në njoftimin për media të kësaj klinike thuhet se dy pacientë janë në gjendje të rëndë dhe se po trajtohen në repartin e mjekimit intensiv.
Prej të tjerëve, dy po trajtohen me oksigjenoterapi, ndërsa pesë raste janë në gjendje stabile.
Në Kosovë, që nga shfaqja e rasteve të para me koronavirus më 13 mars, janë konfirmuar gjithsej 1,038 të infektuar.
Prej tyre, 791 janë shëruar dhe 30 kanë vdekur.
Republika Çeke rihap kufijtë me disa kushte
Republika Çeke rihapi të martën kufijtë me Austrinë dhe Gjermaninë, edhe pse kufizimet për ata që lejohen të hyjnë në këtë vend do të mbeten.
Autoritetet thanë se vetëm shtetasit çekë, banorët e huaj, studentët e Bashkimit Evropian dhe biznesmenët do të lejohen të hyjnë.
Pasagjerët do të duhet të kenë një certifikatë që dëshmon se nuk janë të infektuar me koronavirus - në të kundërtën, përballen me dy javë karantinë.
Çekia, sikurse të gjitha vendet e BE-së dhe të tjerat, i ka mbyllur kufijtë në mes të muajit mars, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Nga e mërkura, kufiri i saj me Sllovakinë do të rihapet po ashtu, por vizitorët nga secila anë e kufirit do të duhet të kthehen brenda 48 orësh.
Për këta të fundit nuk do të duhet testi dhe nuk do të aplikohet karantina.
Çekia ka konfirmuar mbi 9,000 raste të të infektuarve me koronavirus dhe 317 viktima.
Rifillimi i mësimit në Kosovë, sytë kah Perëndimi
Disa vende evropiane kanë filluar rihapjen e shkollave pas lehtësimit të masave parandaluese kundër pandemisë së koronavirusit.
Por, Kosova ende nuk ka një datë për rikthimin e mundshëm të nxënëseve në bankat shkollore.
Që nga 11 marsi, të gjitha institucionet arsimore vazhdojnë të mbesin të mbyllura, pasi institucionet ende nuk kanë nisur masa lehtësuese në arsim.
Ministria në detyrë e Arsimit në Kosovë thotë se nuk ka vendim nëse nxënësit do të kthehen në shkollë për të vazhduar pjesën e mbetur për këtë vit.
Sipas ministres në detyrë, Hykmete Bajrami, është vështirë të parashikohet kthimi i nxënësve në shkolla.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.