Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
08:33 26.5.2020

OBSH paralajmëron valë të dytë të koronavirusit, nëse masat hiqen shpejt

Derisa shumë vende të botës kanë lehtësuar masat kundër koronavirusit, Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka paralajmëruar ato se mund të përballen me “valën e menjëhershme të dytë” të të infektuarve.

Në pjesën më të madhe të Evropës dhe Azisë Lindore, virusi duket se është zbehur, por pjesa tjetër e botës është ende duke luftuar valën e parë të tij.

Shefi i programit për emeregjenca të OBSH-së, Mike Ryan, tha se virusi tani po përhapet në pjesë të Amerikës Latine, Azisë së Jugut dhe Afrikës.

Ryan tha se pandemitë shpesh ndodhin në valë, që do të thotë se zonat ku vala e parë është heshtur, mund të goditen përsëri këtë vit.

Ka po ashtu shanse që niveli i infeksioneve të rritet, nëse masat për të frenuar valën e parë lehtësohen shumë shpejt, paralajmëroi Ryan.

Koronavirusi ka infektuar afro 5.5 milionë njerëz në gjithë botën dhe ka vrarë mbi 346,000.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave: mbi 1.6 milion, përkatësisht mbi 98,000.

08:15 26.5.2020

Mbi 500 viktima të tjera nga koronavirusi në SHBA

Numri i viktimave nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara u rrit për 532 në 24 orët e kaluara, bëjnë të ditur të dhënat e Universitetit Johns Hopkins.

Përfshirë shifrën e fundit, SHBA-ja ka regjistruar në total 98,223 viktima nga koronavirusi - më së shumti në botë.

SHBA-ja ka gjithashtu numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus: mbi 1.6 milion.

Shtetet më të goditura në Evropë janë Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Italia dhe Franca.

08:02 26.5.2020

Novavax nis testimin në njeri të vaksinës kundër koronavirusit

Kompania amerikane e bioteknologjisë, Novavax, filloi testimin në njeri të vaksinës kundër koronavirusit dhe tha se në korrik pret rezultatet paraprake mbi efektivitetin dhe sigurinë e saj.

Novavax tha se faza e parë e testimit klinik ka nisur në 130 pjesëmarrës të shëndetshëm, të moshës 18 deri në 59 vjeç, në Australi.

Faza e dytë pritet të zhvillohet në disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, dhe të vlerësojë imunitetin, sigurinë dhe reagimim e sëmunjdes që e shkakton koronavirusi, COVID-19, në një gamë më të gjerë të moshave.

Dhjetëra vaksina tashmë janë në fazat e hershme të testimit, sidomos në SHBA, Evropë dhe Kinë.

Është ende e paqartë nëse ndonjëra prej tyre do të funksionojë kundër koronavirusit, i cili ka infektuar afro 5.5 milionë njerëz në gjithë botën dhe ka vrarë mbi 346,000.

Secila vaksinë përdor teknologji të ndryshme për të nxitur një përgjigje imune.

Eksperimenti i Novavax-it përdor atë që quhet teknologji nanopartikulesh rikombinuese.

22:43 25.5.2020

Edhe dhjetëra viktima të tjera nga koronavirusi në Francë

Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Francë ka arritur afro 28,500.

Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi tha të hënën se 28,457 persona kanë vdekur nga COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi.

Ministria, që nuk ka dhënë shifra qysh të enjten, tha se 74 persona kanë vdekur të premten, 43 të shtunën, 35 të dielën dhe 90 të hënën.

Këto të dhëna, megjithatë, përfshijnë vetëm viktimat në spitalet e Francës dhe jo ato në shtëpitë e kujdesit.

Zyrtarët francezë thanë se nuk ka shenja se relaksimi i masave të izolimit më 11 maj, ka çuar në rritje të numrit të rasteve me koronavirus.

Franca ka konfirmuar mbi 183,000 raste të të infektuarve.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të hënën se epidemia nuk ka marrë fund ende.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG