OBSH pezullon testimin e hidroksiklorinës si ilaç i mundshëm për koronavirus
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të hënën se ka pezulluar përkohësisht testimin klinik të hidroksiklorinës si një trajtim i mundshëm për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Vendimi u mor pas një publikimi në revistën mjekësore The Lancet, javën e kaluar, ku thuhej se përdorimi i ilaçit te pacientët me COVID-19 mund t’i rrisë shanset e tyre për të vdekur, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Në një konferencë virtuale për media, ai tha se i ashtuquajturi Testim i Solidaritetit – ku qindra spitale të vendeve të ndryshme të botës kanë ndarë pacientë për të testuar lloje të ndryshme të trajtimeve për koronavirus – ka pezulluar trajtimin e hidroksiklorinës.
Tedros tha se pezullimi do të vlejë derisa të rishikohen të dhënat.
Hidroksiklorina përdoret normalisht për të trajtuar artritin, por deklaratat e figurave publike, si ato të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka thënë javën e kaluar se po e merr ilaçin, kanë nxitur qeveritë që të blejnë hidroksiklorinë me shumicë.
Ministri i Shëndetësisë në Brazil rekomandoi gjithashtu javën e kaluar përdorimin e hidroksilkorinës, si dhe të klorinës kundër malaries, për trajtimin e rasteve me COVID-19.
Por, studimi i Lancet zbuloi se të dyja ilaçet mund të prodhojnë efekte të mundshme anësore, sidomos aritmi të zemrës.
Mali i Zi rihap kufijtë me disa shtete në fillim të qershorit
Vendet e para me të cilat Mali i Zi do t’i rihapë kufijtë në fillim të qershorit, janë: Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Shqipëria dhe Greqia, tha të hënën kryeministri malazez, Dushko Markoviq.
Mali i Zi, si edhe shumica e vendeve në Evropë, i ka mbyllur kufijtë në mes të muajit mars, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Markoviq tha se shtetet e përmendura më lart i plotësojnë kushtet e duhura epidemiologjike të Institutit të Shëndetit Publik, përkatësisht kanë deri në 25 të infektuar në 100,000 banorë.
“Së paku edhe dy shtete të rajonit i plotësojnë kushtet, por situata ndryshon nga dita në ditë. Ka mundësi që t’i hapim kufijtë edhe me disa shtete të rajonit, por varet se si do të jetë situata kur urdhri të hyjë në fuqi”, tha Markoviq.
Të huajve që do të hyjnë në Mal të Zi, nuk do t’iu kërkohet testim i posaçëm, porse do t’iu jepen udhëzime të qarta që duhet t’i ndjekin gjatë qëndrimit në Mal të Zi.
Markoviq po ashtu tha se nga fillimi i javës së ardhshme synohet të rihapen edhe çerdhet e fëmijëve, si dhe të mundësohet që një numër i kufizuar i njerëzve t'i ndjekin ngjarjet sportive.
Mali i Zi, qysh të dielën – pas 68 ditësh nga shfaqja e rastit të parë me koronavirus – nuk ka asnjë person të sëmurë me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
Qysh më 5 maj, ky vend nuk ka regjistruar asnjë rast të ri të infektimit.
"Ky është suksesi i shtetit dhe i secilit individ dhe një rezultat për të cilin mund të krenohemi, por që na detyron të vazhdojmë me përgjegjësi, në mënyrë që t’i adresojmë pasojat e krizës ekonomike. Mali i Zi është vendi i parë në Evropë që mposht virusin”, tha Markoviq.
Rastet e para me koronavirus në Mal të Zi janë shfaqur më 17 mars.
Në total, 324 persona janë infektuar; prej tyre 315 janë shëruar dhe nëntë kanë vdekur.
Kryeministri i Holandës “nuk mundi ta vizitonte nënën para se t’i vdiste”
Qeveria Holandës njoftoi të hënën se nëna e kryeministrit Mark Rutte ka vdekur.
Gazeta Het Parool raportoi se kryeministri nuk ishte në gjendje ta vizitonte nënën e tij në ditët e fundit, për shkak të masave të izolimit nga koronavirusi.
Nëna e tij, 96-vjeçare, ka vdekur më 13 maj, ndërsa familja e ka varrosur të premten.
Edhe pse ka pasur raste të konfirmuara me koronavirus në shtëpinë e kujdesit në Hagë, ku ajo ka jetuar, mediat lokale kanë raportuar se ajo nuk ka qenë e infektuar në ditët para se të vdiste.
Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende publik.
“Familja ime dhe unë jemi falënderues që e kemi pasur atë për kaq kohë”, tha përmes një deklarate Rutte.
Holanda ka konfirmuar mbi 45,000 raste të të infektuarve me koronavirus dhe mbi 5,800 viktima.
Pse nuk dërgohen të gjithë në karantinë?
Donika Lamaxhema, nga Ferizaj, u kthye të shtunën nga Londra dhe nga Aeroporti i Prishtinës shkoi në shtëpinë e saj në vetizolim - si një masë e nevojshme për të ditur nëse është e infektuar me koronavirus ose jo.
Në fluturimin Londër-Prishtinë ishin rreth 140 pasagjerë, qytetarë të Kosovës që ishin në Angli, Kanada, Irlandë dhe Islandë.
“Para se të vija, e kam lënduar këmbën, edhe kur kam mbërritur këtu më kanë trajtuar me prioritet dhe pastaj kam dalë menjëherë. Nuk kam shkuar në karantinë se e kam thyer gishtin. Me sa kam kuptuar unë, i gjithë aeroplani (të gjithë pasagjerët) kanë shkuar në vetizolim”, tha Donika.
Vetizolimi nënkupton qëndrimin në shtëpi për 14 ditë, duke mos pasur kontakt me personat e tjerë, ndërsa karantina i referohet një gjendjeje më serioze të izolimit, e shpallur nga autoritetet, e që shpesh i referohet ndarjes së njerëzve me rrezik të lartë nga marrja e sëmundjes.
Valdet Hashani, menaxher i karantinës në Qendrën e Studentëve në Prishtinë e që momentalisht është e vetmja në Kosovë, tha se të shtunën dhe të dielën rreth 300 qytetarë të Kosovës janë kthyer nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.