Edhe gjashtë raste të reja me koronavirus në Kosovë
Në Kosovë u regjistruan të hënën gjashtë raste të reja me koronavirus.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik tha se këto raste kanë rezultuar nga testimi i 243 mostrave të marra nga Klinika Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Rastet pozitive janë raste kontakti nga Komuna e Prizrenit, përkatësisht vendbanimi Romajë, thuhet në njoftimin e Institutit.
Aty po ashtu bëhet e ditur se dy pacientë janë shëruar nga koronavirusi.
Të hënën, Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës njoftoi se një pacient i prekur me koronavirus, ka humbur jetën.
Me shifrat e fundt, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 1,038, i të shëruarve në 791 dhe i viktimave në 30.
Zëdhënësi i Putinit shërohet nga koronavirusi
Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin, doli të hënën nga spitali, pasi u shërua nga koronavirusi, njoftuan mediat ruse.
Interfax citoi Peskovin të ketë thënë se ai do të qëndrojë në shtëpi edhe për dy javë të tjera.
“Tani për tani mbetem në karantinë”, tha Peskov, 52 vjeç, për agjencinë TASS.
Peskov është shtruar në spital pasi ai dhe gruaja e tij, Tatyana Navka, kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus, më 12 maj.
Navka është shëruar dhe është liruar nga spitali më 21 maj.
Peskov ka vuajtur nga pneumonia, raportoi Interfax.
Me koronavirus janë infektuar edhe zyrtarë të tjerë rusë, përfshirë kryeministrin Mikhail Mishustin, ministren e Kulturës, Olga Lyubimova, dhe ministrin e Ndërtimit, Vladimir Yakushev.
Rusia ka konfirmuar mbi 353,400 raste të të infektuarve me koronavirus dhe mbi 3,600 viktima.
Edhe 121 viktima nga koronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar
Numri i personave të vdekur nga koronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur në 36,914.
Shifrat e publikuara të hënën nga Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social treguan se 121 pacientë kanë humbur jetën në 24 orët e fundit.
Mbretëria e Bashkuar ka numrin më të madh të viktimave, pas SHBA-së.
Ajo është e katërta në botë sa i përket numrit të të infektuarve: afro 261,000.
Vdes edhe një pacient me koronavirus në Kosovë
Një person i infektuar me koronavirus në Kosovë ka vdekur, njoftoi të hënën Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sipas njoftimit, pacienti që ka vdekur ishte i lindur në vitin 1961 dhe vinte nga Komuna e Prizrenit.
Ai po trajtohej prej ditësh në mjekimin intensiv dhe kishte sëmundje të tjera shoqëruese, thuhet në njoftim.
Në total, 30 pacientë me koronavirus kanë humbur jetën në Kosovë.
Që nga shfaqja e rasteve të para më 13 mars, 1,032 vetë janë infektuar, ndërsa prej tyre 789 janë shëruar.