Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
18:33 25.5.2020

Edhe 92 viktima nga koronavirusi në Itali

Numri i viktimave nga koronavirusi në Itali u rrit të hënën në 92, nga 50 sa ka qenë një ditë më parë, bëri të ditur Agjencia për Mbrojtjen Civile.

Por, sipas saj, numri i të infektuarve të rinj ra na 300, krahasuar me 531 të dielën.

Numri i viktimave të dielën nuk i përfshiu viktimat e Lombardisë – rajonit më të prekur nga koronavirusi në Itali – për shkak të problemeve teknike.

Nuk është ende e qartë nëse viktimat e së dielës janë përfshirë në të dhënat e sotme.

Në total, Italia ka regjistruar afro 33,000 viktima nga koronavirusi, që është shifra më e lartë në botë pas asaj në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

18:13 25.5.2020

Nga 28 maji, Kosova do të lehtësojë më shumë masa izolimi

Në Kosovë, nga data 28 maj, do të fillojë lehtësimi i mëtejshëm i masave të izolimit kundër koronavirusit.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, dha më shumë detaje:

“Ndër masat lehtësuese është hapja e objekteve fetare nga data 28 maj. Po ashtu orari i lëvizjes do të ndryshojë, do të largohen masat për lëvizje të qytetarëve dhe ky orar do të jetë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 21:00, pa kufizime”.

Vitia po ashtu tha se varësisht nga situata epidemiologjike, deri në fund të këtij muaji do të mbyllet edhe karantina në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Sa i përket hapjes së kufijve, ai tha se ende nuk ka ndonjë vendim dhe se gjithçka do të varet nga situata epidemiologjike dhe nga shtetet e tjera.

Ndërkaq, sa i përket hapjes së shkollave dhe kopshteve të fëmijëve, Vitia tha se po bëhen diskutime të vazhdueshme me Ministrinë në detyrë të Arsimit dhe se në qershor mund të ketë lehtësim të masave.

Vendimi për lehtësim të disa masave vjen pas rënies së numrit të rasteve të infektuara me koronavirus në Kosovë.

Një ditë më parë, autoritetet nuk regjistruan asnjë rast të ri me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë është 1,032. Prej tyre, 29 kanë vdekur dhe 789 janë shëruar.

Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë shfaqur më 13 mars.

Autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik dhe kanë vendosur disa masa kufizuese, përfshirë mbylljen e shkolllave dhe të bizneseve, por të cilat kanë nisur të hiqen gradualisht nga data 4 maj.

17:55 25.5.2020

Vlera "R" dikton heqjen e masave të izolimit

Pandemia e koronavirusit vazhdon të sfidojë parashikimet, por një vlerë që ndihmon për të kuptuar shkallën e rrezikut, ësht

Vlera "R" dikton heqjen e masave të izolimit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:26 0:00

17:48 25.5.2020

Çekia rihap të gjithë kufijtë me Gjermaninë dhe Austrinë

Republika Çeke do t’i rihapë të gjithë kufijtë me Gjermaninë dhe Austrinë, nga data 26 maj, edhe pse udhëtimi i turistëve të huaj do të mbetet i kufizuar, tha të hënën Ministria e Brendshme e Çekisë.

Kufijtë në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë janë mbyllur në mes të marsit, për të frenuar përhapjen e pandemisë së koronavirusit.

Ministria e Brendshme çeke tha se udhëtarët, edhe pas 26 majit, do të duhet të kenë dëshmi të testit negativ ndaj koronavirusit dhe se policia do të vazhdojë të kryejë kontrolle të rëndomta në kufij.

Ministri i Brendshëm, Jan Hamacek, tha se vendi i tij ka negociuar marrëveshje dypalëshe me palën gjermane dhe atë austriake.

Të trija vendet i përkasin zonës Schengen, që normalisht nuk ka kontrolle kufitare dhe që përbëhet nga 26 vende të BE-së dhe të tjera evropiane.

Republika Çeke, e cila ka konfirmuar afro 9,000 raste të të infektuarve me koronavirus dhe 315 viktima, ka nisur lehtësimin e masave të izolimit qysh në fillim të majit. Ngjashëm edhe Gjermania dhe Austria.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG