Disa këshilla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë:
Trump paralajmëron se do ta zhvendosë konventën e partisë së tij në shtet tjetër
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi se mund ta zhvendosë konventën e Partisë së tij Republikane nga Karolina e Veriut, për shkak të kufizimeve nga koronavirusi atje.
Karolina e Veriut është ende në fazën e dytë të rihapjes dhe tubimet e mëdha i ka ende të ndaluara.
Konventa e Partisë Republikane është paraparë të mbahet në muajin gusht.
Pandemia e koronavirusit ka bërë që Trump dhe kandidati i pritshëm demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, t'i anulojnë tubimet e fushatave.
Disa kanë shprehur shqetësimet se konventat e partive, që zakonisht janë të mbushura me delegatë, mund të nxjerrin probleme për shëndetin.
Përmes një postimi në Twitter, Trump tha se nëse guvernatori demokrat i Karolinës së Veriut, Roy Cooper, nuk përgjigjet menjëherë “nëse do ta lejojë ose jo mbushjen e hapësirës [me njerëz]”, atëherë partia e tij do të gjejë një vend tjetër për mbajtjen e konventës.
Zyra e guvernatorit Cooper nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave të mediave për komente.
Konventa e Partisë Republikane është paraparë të nisë më 24 gusht, ndërsa ajo e Partisë Demokratike më 17 gusht në Uiskonsin.
Në këto konventa konfirmohen kandidatët e dy partive për president.
Zgjedhjet në SHBA pritet të mbahen në nëntor, ndërsa Trump do të garojë për rizgjidhje.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të prekurve me koronavirus: mbi 1.6 milion të infektuar dhe mbi 97,000 të vdekur.
Spanja do të heqë karantinën për turistët e huaj nga 1 korriku
Spanja do ta heqë detyrimin për turistët e huaj që të futen në karantinë dyjavëshe, nga data 1 korrik, bënë të ditur autoritetet e këtij vendi.
Spanja është një nga vendet më të prekura nga koronavirusi në Evropë.
Mbi 235,000 njerëz janë infektuar dhe mbi 28,000 kanë vdekur, ndonëse këta numra kanë qenë në rënie ditëve të fundit.
Sipas rregullave aktuale në Spanjë, vizitorët nga jashtë duhet të izolohen për dy javë, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Spitalet pritet t’i kthehen punës si para pandemisë
Të gjitha shërbimet shëndetësore që janë kryer para se të shpallet pandemia e COVID-19 do të kthehen përsëri në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë mjekë në këtë qendër dhe zyrtarë të Ministrisë në detyrë të Shëndetësisë.
Këta zyrtarë kanë thënë se kjo tashmë është çështje ditësh, mirëpo nuk kanë treguar ndonjë datë të saktë.
Basri Sejdiu, drejtor gjeneral i QKUK-së, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo qendër prej fillimit të pandemisë është duke punuar me kujdestari të mjekëve dhe jo me kapacitete të plota.
Sipas tij, tani është duke u shqyrtuar mundësia e rifillimit të punës me orar të plotë.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.