Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
14:52 25.5.2020

Sllovenia raporton për një rast të ri me COVID-19

Sllovenia ka raportuar për një rast të ri me sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Gjatë 24 orëve të kaluara në këtë vend janë testuar 256 persona.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 1,469, ndërsa 107 pacientë kanë vdekur.

Në këtë vend, mesatarisht, rreth 1.000 teste ose më shumë kryhen nga e hëna në të premte, dhe rreth 500 gjatë fundjavave.

Më 15 maj Qeveria sllovene shpalli zyrtarisht fundin e epidemisë së koronavirusit duke u bërë vendi i parë në Evropë që e mori një vendim të tillë.

Masat e epidemisë u shpallën më 12 mars.

14:28 25.5.2020

Pandemia dhe izolimi rrisin problemet në shëndetin mendor

Përveç problemeve shëndetësore që COVID-19 ka sjellur për miliona njerëz në botë, është edhe një pjesë e madhe që ka përjetuar edhe probleme me shëndetit mendor, thotë psikologu Dashamir Bërxulli në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Ai thotë se simptomat më të shpeshta janë depresioni dhe ankthet. Sipas tij, gjëja e parë që duhet bërë është eliminimi i frikës nga pandemia. Leximi sa më i pakët i lajmeve për këtë virus i bën më mirë shëndetit mendor, thotë ai.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në këtë link.

13:53 25.5.2020

Irani ka rihapur objektet fetare

Irani ka rihapur objektet fetare, rreth dy muaj pas mbylljes së tyre, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Hapja e tyre u bë më 25 maj si pjesë e lehtësimit të masave të izolimit, të vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Sipas shifrave zyrtare, në Iran janë regjistruar 7,451 viktima nga sëmundja COVID-19, ndërsa mbi 137 mijë persona janë infektuar me koronavirusin e ri.

Numrat realë besohet të jenë dukshëm më të lartë.

Foto ilustrim nga Irani.
Foto ilustrim nga Irani.

Presidenti iranian, Hassan Rohani, tha një ditë më parë se 10 nga 31 provincat e vendit tani janë në "fazën e kontrollit të virusit".

Rohani tha se faltoret do të jenë të hapura çdo ditë për tre orë në mëngjes dhe tre orë në mbrëmje, ndërsa ato duhet të respektojnë protokollet e rrepta shëndetësore.

Rihapja e kufizuar vjen pas festës së Fitër Bajramit, e cila shënon fundin e muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.

13:19 25.5.2020

Pandemia i hap rrugë bashkëpunimit në teknologji mes Rusisë dhe Kinës

Pandemia e koronavirusit mund të çojë në një bashkëpunim më të ngushtë mes Moskës dhe Pekinit në fushën e teknologjisë.

Ky zhvillim mund të ketë ndikim në masë të madhe në rajonin e Euroazisë.

Këto dy vende kanë qenë duke bashkëpunuar në fushën e teknologjisë edhe para fillimit të pandemisë së COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi i ri.

"Pandemia nuk po e krijon një realitet të ri, por po i forcon tendencat që kanë ekzistuar më parë", tha Alexander Gabuev, një analist në Qendrën Carnegie në Moskë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG