Belgjika nuk do të izolohet edhe nëse paraqitet një valë e re e epidemisë
Belgjika nuk do të vendosë masa të rrepta të izolimit, sikurse në dy muajt e fundit, edhe nëse paraqitet një valë e dytë e përhapjes së koronavirusit, tha ministri i Brendshëm i Belgjikës, Pieter De Crem.
Në mesin e muajit mars, Belgjika filloi zbatimin e masave kundër koronavirusit, duke lejuar funksionimin vetëm të dyqaneve ushqimore dhe barnatoreve.
Megjithatë, në muajin maj, ky vend lehtësoi disa masa, duke lejuar hapjen e bizneseve.
Ministri belg tha se masat e ashpra të bllokimit nënkuptonin që spitalet belge nuk duhej t'iu mohonin njerëzve kujdesin mjekësor.
"Nëse do të kishte një valë të dytë, atëherë unë mendoj se do të gjendemi në një situatë të ndryshme, përkatësisht me testime dhe gjurmime të kontakteve. Unë mendoj se që tash mund të përjashtojmë një rikthim në masat e rrepta të izolimit" tha De Crem.
Belgjika, ku gjendet selia e BE-së dhe NATO-s, ka qenë ndër vendet më të prekura në Evropë me 57.092 raste të infektuarve me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19, dhe 9.280 vdekje.
Qeveria e Belgjikës do të zhvillojë një takim me drejtuesit rajonalë dhe ekspertët ekonomikë dhe mjekësorë, më 3 qershor, për të diskutuar një lehtësim të mëtejshëm të kufizimeve.
Teatri s’ndalet as në kohën e pandemisë
Japonia heq gjendjen e jashtëzakonshme
Kryeministri japonez, Shinzo Abe, ka hequr gjendjen e jashtëzakonshme të vendit, duke i dhënë fund kufizimeve në rajonet ku vendimi ishte akoma në fuqi.
"Ne kemi pasur kushte shumë të rrepta për të hequr gjendjen e jashtëzakonshme dhe kemi gjykuar se i kemi përmbushur ato", tha Abe në një fjalim televiziv.
Kryeministri tha se vendi kishte arritur të kontrollonte përhapjen e koronavirusit të ri, që nga vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme më 7 prill.
Japonia i ka lehtësuar kufizimet që nga mesi i majit, por i mbajti ato në disa zona, përfshirë Tokion.
Ky vend ka regjistruar një numër relativisht të ulët të rasteve dhe vdekjeve në krahasim me vendet tjera të botës.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 16,550 ndërsa 820 pacientë kanë vdekur nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
Gjashtë raste të reja me COVID-19 në Shqipëri
Autoritetet shëndetësore në Shqipëri kanë thënë se situata me pandeminë e koronavirusit është e qëndrueshme.
Në Spitalin Infektiv po trajtohen 16 raste me COVID-19, katër prej të cilëve janë në terapi intenzive.
Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me COVID-19, ka arritur në mbi një mijë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar edhe gjashtë raste të reja të infektuarve me koronavirusin e ri. Katër raste janë në Tiranë dhe dy në Shkodër.
Eugena Tomini, nga Instituti i Shëndetit Publik, tha se gjatë kësaj periudhe janë shëruar gjashtë pacientë.
Deri më tani në Shqipëri, 79% e të infektuarve janë shëruar, ndërsa 32 pacientë kanë vdekur.