Kroacia konfirmon edhe dy raste me koronavirusin e ri
Gjatë 24 orëve të fundit në Kroaci janë konfirmuar edhe dy raste me koronavirusin e ri.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 2,234.
Kështu është bërë e ditur në një konference për media të Komisionit Kombëtar për Mbrojtjen Civile.
Gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur raste të vdekjeve nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
Deri më tani në këtë vend janë shënuar 96 vdekje, ndërkaq nga sëmundja janë shëruar 1,978 pacientë.
Rastet e fundit në Kinë sugjerojnë që virusi mund të ndryshojë
Ekspertët në Kinë thonë se disa pacientë me sëmundjen Covid-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri, po tregojnë "simptoma të ndryshme" prej atyre në qytetin Vuhan, ku ndodhi shpërthimi i epidemisë, në fund të vitit të kaluar, raporton BBC.
Qiu Haibo, një nga mjekët kryesorë të vendit për kujdesin intenziv, në ekipin më të lartë mjekësor të Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë, foli në kanalin kombëtar të lajmeve CCTV-13 në lidhje me trajtimet e rasteve të reja që po bënte ekipi i tij.
Ai tha se po vërejnë që rastet e reja kanë një periudhë më të gjatë inkubacioni dhe simptomat e tyre klinike nuk ishin tipike me koronavirusin.
"Ata nuk kanë ethe, por vuajnë ose nga lodhja ose nga dhimbja e fytit. Disa nuk kanë simptoma fare", tha ai duke shtuar se rastet e reja duket se mbartin virusin më gjatë.
Sipas gazetës kombëtare Global Times, "testet tek pacientët në Vuhan normalisht dolën negativ brenda një jave ose më së shumti dy javë" pasi një pacient tregoi simptoma.
Por tani, edhe pse rastet janë më të lehta, njerëzit duket se mbajnë virusin për "periudha më të gjata".
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Xinhua, 25 persona aktualisht janë duke marrë trajtim në spital në rajonin veri-lindor Jilin.
Kina është akuzuar nga Shtetet e Bashkuara për keqmenaxhim të situatës me pandeminë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka hedhur dyshime se virusi mund të ketë dalur nga një laborator kinez.
Megjithatë ekspertët besojnë se virusi e ka origjininën në një treg të kafshëve të egra në Vuhan të Kinës.
Kur u shënua piku i koronavirusit në Kosovë?
Katër të vdekur nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut
Katër viktima të reja nga koronavirusi i ri janë regjistruar në Maqedoninë e Veriut.
Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë një grua e moshës 65 vjeçe dhe një burrë i moshës 71 vjeçe nga Shkupi; një 73 vjeçar nga Tetova dhe një tjetër i moshës 41 vjeçe nga Prilepi.
Viktima e fundit, sipas njoftimit, për më shumë se 40 ditë po trajtohej në Klinikën e Infektive në Shkup, ndërsa personat e tjerë kanë pasur edhe probleme tjera shëndetësore.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 110.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga 512 testet e kryera, 19 persona kanë rezultuar pozitiv në Covid-19, ndërsa 16 janë shëruar.
Sipas raportit të publikuar, që nga paraqitja e virusit, në këtë vend janë regjistruar gjithsej 1858 të të infektuarve, 1367 janë shëruar ndërsa 381 ende janë aktiv.
Komisioni i Sëmundjeve Infektive i ka rekomanduar qeverisë që të vendos masën kufizuese prej 58 orëve për ditët e festive të Bajramit dhe të Shën Klimentit, dy festa këto që shënohen të dielën (24 maj) dhe të hënën (25 maj). Sipas kësaj, ora policore do të fillonte të shtunën në orën 19.00 dhe do të zgjas deri të martën në orën 05.00.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce tha se një propozim i tillë është dorëzuar në Qeveri, pasi në periudhën e kaluar masat nuk janë respektuar gjë që ka çuar në rritjen e rasteve me COVID-19.
"Të gjitha rastet që kemi regjistruar ditëve të fundit me koronavirus janë për shkak të tubimeve familjare. Për shkak të mosrespektimit të masave, kemi raste të reja dhe besojmë se vetëm një masë e tillë do të ketë një efekt”, ka deklaruar ministri Filipçe.
Komisioni për Sëmundje Infektive gjithashtu ka kërkuar që këtë javë të mos ketë lehtësime të masave të shpallura, respektivisht kafenetë dhe restorantet të hapen nga java e ardhshme.