Presidenti kroat shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 5 korrik
Presidenti kroat, Zoran Millanoviq ka shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 5 korrik.
Njoftimi i tij të mërkurën ka ardhur dy ditë pas shpërndarjes së parlamentit në Kroaci.
Komisioni Shtetëror për Zgjedhje, bashkë me Institutin Kroat për Shëndetësi Publike do të vendosin sesi do të mbahen zgjedhjet në kohën e pandemisë me koronavirus.
Kryeministri konservator, Andrej Plenkoviq ka thënë javën e kaluar se koalicioni tij qeveritar preferon që zgjedhjet të mbahen disa muaj larg datës së rregullt, në mënyrë që shteti të ketë një qeveri me mandat të plotë, ashtu që të menaxhohet kriza ekonomike, e shkaktuar nga pandemia me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Ekonomia e Kroacisë pritet të tkurret për 9.4 për qind këtë vit për shkak të kësaj pandemie.
Spanja ashpërson rregullat për vendosje të maskave
Vendosja e maskave është bërë e detyrueshme në Spanjë si në ambiente të mbyllura ashtu edhe në të hapura, nëse distancimi publik nuk mund të zbatohet, me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.
Vetëm fëmijët nën gjashtë vjeç dhe ata me probleme shëndetësore janë përjashtuar nga ligji, që hyn në fuqi të enjten.
Shumë shtete evropiane kanë bërë të detyrueshme maskat në transportin publik, mirëpo dekreti spanjoll shkon më tutje.
Spanja është përballur me një prej situatave më të rënda në Evropë, si pasojë e përhapjes së koronavirusit të ri.
Ky shtet ka regjistruar gati 28,000 persona të vdekur dhe 232,000 të infektuar prej muajit mars me këtë virus, ndonëse shkalla e infektimit tani është duke u ulur.
Autoritetet spanjolle kanë qenë ndër më të rreptat në kontinent, duke përfshirë vendimin e tyre për mbajtje të fëmijëve brenda për gjashtë javë.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez ka kërkuar të mërkurën nga parlamenti që të votojë për shtyrje të gjendjes së jashtëzakonshme për më shumë se dy javë.
Tetëdhjetëvjeçarja që ndihmon njerëzit në izolim
Prej kur ka filluar izolimi i njerëzve nëpër shtëpi në Rusi, një 80-vjeçare është duke ndihmuar me ushqime ata që kanë nevojë. Me furgonin e saj, ajo bart ushqimin nëpër disa shtëpi.
Rolls-Royce do të largojë nga puna mijëra punëtorë
Kompania britanike, Rolls-Royce ka thënë se do t’ua shkëpusë kontratat 9,000 punëtorëve, dhe ka paralajmëruar se rimëkëmbja e industrisë ajrore nga pandemia e koronavirusit “do të marrë shumë vjet”.
Kompania me bazë në Derby, që krijon pajisje për aeroplanë, ka thënë se zvogëlimi i gati një të pestës së numrit të punëtorëve do të prekë kryesisht sektorin për hapësirë ajrore civile.
“Nuk është krizë e jona. Është krizë me të cilën po përballemi dhe ta duhet t’i dalim përpara”, ka thënë shefi i kësaj kompanie, Warren East said.
Sipas saj, ndikimi i pandemisë në këtë kompani dhe gjithë sektorin e aviacionit është “i pashembullt”.
Zvogëlimet më të mëdha pritet të bëhen në Mbretërinë e Bashkuar, në fabrikën e kompanisë, në Dolby.
Rolls-Royce punëson 52,000 persona në gjithë botën.