Çfarë thonë në Prishtinë e Mitrovicë të Veriut për fitoren e Trumpit?
Qytetarë në Kosovë kanë pritje të ndryshme nga administrata e re e presidentit amerikan, Donald Trump, ani pse nuk presin ndryshime të mëdha në raportin Uashington-Prishtinë.
Disa shpresojnë se do të vazhdojë mbështetja e SHBA-së për Kosovën, derisa disa qytetarë serbë në Mitrovicë të Veriut, zgjedhjen e Trumpit e panë si fitore për serbët.
Për më shumë rreth mendimeve të tyre mund ta shikoni videon më poshtë:
Ish-presidenti Bush e uron Trumpin
Ish-presidenti George W. Bush e ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale, si dhe nënpresidentin e zgjedhur J.D. Vance dhe familjet e tyre.
Në një komunikatë, ish-presidenti George W. Bush, tha se ai dhe bashkëshortja e tij, Laura, u bashkohen "qytetarëve në lutjet tona për suksesin e liderëve tanë të rinj në të gjitha nivelet e Qeverisë”.
Disa prej ish-zyrtarëve të lartë republikanë, përfshirë ish-nënpresidentin e Bushit, Dick Cheney, e kishin mbështetur Kamala Harrisin në këto zgjedhje.
Por, Bushi qëndroi neutral.
Bushi i falënderoi gjithashtu edhe “presidentin Joe Biden dhe nënpresidenten Harris që i shërbyen vendit tonë”.
“Dalja e lartë në këto zgjedhje është shenjë e shëndetit të republikës sonë dhe e fuqisë së institucioneve demokratike”, tha Bush, i cili i cilësoi zgjedhjet si “të drejta, të lira dhe të sigurta”.
Shtuni: SHBA pritet ta rrisë presionin për marrëveshje finale Kosovë - Serbi
Kthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë nuk do të sjellë ndonjë ndryshim të madh karshi politikes së deritashme amerikane për Kosovën, thotë në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë më bazë në Uashington.
Shtuni thotë se në raportet me Kosovën, SHBA-ja do të këtë një përqendrim më të madh në çështjen e dialogut mes Kosovë dhe Serbisë, duke mos përjashtuar rritjen e presionit për përfundimin e procesit të dialogut në Bruksel.
Intervistën e plotë të Shtunit për REL-in mund ta ndiqni në videon më poshtë:
Agjencia amerikane e sigurisë: Zgjedhjet ishin “paqësore dhe të sigurta”
Zgjedhjet në SHBA kanë qenë “paqësore dhe të sigurta”, sipas drejtoreshës së Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Siguri të Infrastrukturës, Jen Esterly
Në një komunikatë, Jen Esterly tha se “infrastruktura zgjedhore nuk ka qenë kurrë më e sigurt” dhe se “nuk ka pasur prova për ndonjë aktivitet keqdashës që ka pasur ndikim material në sigurinë apo integritetin e infrastrukturës sonë zgjedhore”.
Agjencitë e sigurisë dhe ligjit në gjithë vendin kanë qenë në gatishmëri të lartë për dhunë të mundshme gjatë ditës së zgjedhjeve.
FBI-ja konfirmoi dje se kishte së paku 30 kërcënime të rrejshme me bombë në qendra votimi në gjithë vendin – kryesisht në qarqe ku favorizoheshin demokratët.
Më shumë së gjysma e tyre ishin bërë në Xhorxhia.
Kërcënimet e rrejshme “duket se vinin nga domenet ruse”, tha FBI-ja.