Ndërlidhjet

Donald Trump
Donald Trump

Donald Trump zgjidhet presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara

E përditësuar
  • Donald Trump është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
  • Ai ka siguruar 295 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t'u shpallur president.
  • Trump është zotuar se do ta "shërojë" kombin, teksa u është drejtuar mbështetësve nga Florida.
  • Në garën e 5 nëntorit ishin demokratja Kamala Harris, aktualisht nënpresidente, dhe republikani Donald Trump, president nga viti 2017 deri më 2021.
  • Zgjedhja e Amerikës do t’i formësojë padyshim politikat globale, në kohën kur bota përballet me tensione në rritje dhe sfida komplekse të sigurisë.
23:34 6.11.2024

Të dashur lexues, këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë për zgjedhjet presidenciale 2024 në Shtetet e Bashkuara.

Lajmi kryesor i ditës: Donald Trump do të jetë presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

Ai i fitoi më shumë se 270 votat e domosdoshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur fitues i zgjedhjeve.

Në procesin zgjedhor të 5 nëntorit, ai garoi kundër nënpresidentes së tanishme, demokrates Kamala Harris.

Harris e pranoi disfatën, duke thënë se “ne duhet ta pranojmë patjetër rezultatin e këtyre zgjedhjeve”

Përveç pozitës së presidentit, republikanët e kanë fituar edhe kontrollin e Senatit, njërës prej dhomave të Kongresit. Mbetet të shihet kush do ta ketë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Gara është e ngushtë.

Edhe para se të shpallej zyrtarisht fitues, liderë nga e mbarëbota e uruan Trumpin për një mandat të ri në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, Kremlini, nuk ka treguar nëse listës do t’i bashkohet edhe presidenti rus, Vladimir Putin.

Ne do të vazhdojmë t’i përcjellim të gjitha zhvillimet rreth zgjedhjeve, përmes lajmeve.

Unë, Ekremi, dhe i gjithë ekipi i Radios Evropa e Lirë, ju falënderojmë për besimin!

Ju urojmë një natë të këndshme 😊

23:01 6.11.2024

Harris e përmbyll fjalimin e saj për pranimin e disfatës

Kamala Harris
Kamala Harris

Nënpresidentja Harris tha se “tani nuk është koha për t’i çuar duart”, por është koha “për t’i përveshur mëngët”.

“Vetëm kur të mbulon errësira mund t’i shohësh yjet”, theksoi ajo.

“Ne do ta vazhdojmë këtë luftë në kabinat e votimit, në gjykata dhe në sheshe publike, tha Harris, duke sinjalizuar punën që demokratët janë të gatshme ta bëjnë në katër vjetët e ardhshme.

Harrisi në veçanti iu drejtua të rinjve që kërkoi t’i organizojë, duke e pranuar se humbja e saj mund të jetë e dhimbshme, por puna nuk ka mbaruar.

“Nganjëherë duhet kohë për të luftuar. Kjo nuk nënkupton se ne nuk do të fitojmë. Çfarë ka rëndësi është të mos heqësh dorë kurrë”, nënvizoi ajo.

22:44 6.11.2024

Harris: Ne duhet ta pranojmë patjetër rezultatin e këtyre zgjedhjeve

Harris u bëri thirrje mbështetësve të vet ta pranojnë disfatën e saj në zgjedhjet presidenciale 2024 dhe tha se do ta ndihmojë presidentin e zgjedhur Donald Trump gjatë kalimit të pushtetit.

“Ne jemi duke ndier dhe përjetuar një sërë emocionesh tani, e kuptoj. Por, ne duhet ta pranojë patjetër rezultatin”, tha ajo.

“Më herët gjatë ditës, bisedova me presidentin e zgjedhur Donald Trump dhe e urova për fitoren”, tha Harris.

“Derisa e pranoj humbjen në këto zgjedhje”, tha ajo, “nuk dorëzohem në luftën që e ushqeu këtë fushatë”.

“Nuk do të heq kurrë dorë nga lufta për një të ardhme ku amerikanët mund t’i ndjekin ëndrrat, ambiciet dhe aspiratat e tyre”, tha ajo. Amerika, shtoi ajo, “nuk do të heqë kurrë dorë nga lufta për demokracinë tonë”.

22:35 6.11.2024

Kamala Harris e pranon humbjen në zgjedhje

Kamala Harris e ka pranuar disfatën kundër Donald Trumpit në garën presidenciale 2024 në Shtetet e Bashkuara.

Harris u tha mbështetësve të saj, të mbledhur në Universitetin Howard, se e ka humbur garën presidenciale kundër Donald Trumpit.

“Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është ai që dëshironim, për të cilin luftuam, dhe votuam”, tha Harris.

Kamala Harris
Kamala Harris

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG