Ndërlidhjet

Donald Trump
Donald Trump

Donald Trump zgjidhet presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara

  • Donald Trump është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
  • Ai ka siguruar 295 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t'u shpallur president.
  • Trump është zotuar se do ta "shërojë" kombin, teksa u është drejtuar mbështetësve nga Florida.
  • Në garën e 5 nëntorit ishin demokratja Kamala Harris, aktualisht nënpresidente, dhe republikani Donald Trump, president nga viti 2017 deri më 2021.
  • Zgjedhja e Amerikës do t’i formësojë padyshim politikat globale, në kohën kur bota përballet me tensione në rritje dhe sfida komplekse të sigurisë.
22:05 6.11.2024

Joseph: Kurti do të përballet me zgjidhje të vështira

Edward P. Joseph
Edward P. Joseph

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbase do të kishte dashur ta ndryshonte qasjen e tij nën administratën e presidentit Joe Biden, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin John Hopkins në SHBA, pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet e mbajtura në SHBA më 5 nëntor.

Joseph shtoi se do Kurti do të përballet me zgjidhje të vështira, veçanërisht nëse Richard Grenell, i cili ka qenë shumë kritik ndaj Kurtit, emërohet sekretar i Shtetit, apo në ndonjë pozitë tjetër të lartë në politikën e jashtme.

“Në serbi po e festojnë fitoren e Trumpit. Richard Grenell, të cilin Trumpi e përmendi në një tubim rishtazi, ka mundësi ta mbajë një pozitë të lartë, madje edhe pozitën e sekretarit të Shtetit. Grenelli për kohë të gjatë ka pasur mospajtime me Albin Kurtin, dhe ka vazhduar me kritika edhe këtë vit”, tha Joseph.

Në vitin 2020, Kurti e kishte akuzuar Richard Grenellin, i cili gjatë administratës Trump ishte përfaqësues amerikan në dialogun Kosovë-Serbi ishte “drejtpërdrejt i përfshirë” në rrëzimin e qeverisë së tij më pak se dy muaj pasi mori detyrën si kryeministër.

Në atë kohë, Grenell kishte thënë se Kurti ishte antiamerikan dhe se ai ka qenë kundër politikave amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët amerikanë: Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump.

“Kryeministri Kurti do të presë zgjedhjet [në Kosovë] – dhe pastaj do t’i duhet të vendosë nëse do të vazhdojë me njëanshmëri dhe shpërfillje ndaj Shteteve të Bashkuara. Ai mbase mund të kishte dëshiruar ta ndryshonte kursin nën administratën Biden. Qëndrimi më i mirë i Kurtit është ai për të cilin unë kam bërë thirrje gjithmonë: je kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe tregoju serbëve se Prishtina i mbron interesat e tyre më shumë se Beogradi”, theksoi ai.

Duke komentuar kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, Joseph tha se populli amerikan injoroi gjithçka që dinte për Trumpin.

“Kjo është vërtet pika më befasuese. Është aftësia e kaq shumë mbështetësve të Trumpit për të ndarë në kategori të veçanta të kaluarën dhe skandalet e vazhdueshme të tij, si dhe fyerje dhe madje nxitjet e hapura për dhunë. Tre ditë më parë, në një tubim në Pensilvani, ai sugjeroi se nuk do t’i interesonte nëse gazetarët do të qëlloheshin me armë. E tha këtë si një ‘shaka’ — në një vend ku dhuna me armë nuk është aspak shaka. Nuk ka as zemërim dhe as shqetësim për një koment të tillë mes mbështetësve të tij. Dhe ky është vetëm një shembull”, shpjegoi ai.

Ai shton gjithashtu se, përtej kësaj, ekziston edhe e kaluara e tij në politikën e jashtme, “e cila i shpëton çdo lloj kontrolli”.

“Qasja e tmerrshme e Trumpit në negociatat për Kim Jong Un; vendimi i Trumpit për të hequr dorë nga marrëveshja bërthamore me Iranin – një vendim me gjasë vetëm për t’i bërë dëm Obamas – ishte katastrofike. Ishte Trump ai që negocioi me talebanët për të nxituar tërheqjen nga Afganistani, të cilën Biden vetë e zbatoi në mënyrë katastrofike”, tha Joseph.

Ata që votuan për Trump, sipas Joseph, si çështje që i shqetësonte më së shumti ishin ekonomia dhe emigracioni.

“Lidhur me inflacionin, politikat thelbësore të Trumpit për rritjen e tarifave posaçërisht ndaj mallrave kineze, do t’i rrisin çmimet. Kjo është poenta e tarifave: rritja e çmimit të një malli të importuar. Pra, kjo mosvazhdimësi flagrante injorohet”, përfundoi ai.

21:29 6.11.2024

Macron dhe Trump bisedojnë për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kishte një “diskutim shumë të mirë” me Donald Trumpin për krizat e mëdha të botës gjatë një bisede telefonike që zgjati 25 minuta, tha zyra e Macronit.

Macron shprehu qëndrimet e tij për “rëndësinë” që SHBA-ja ta marrë parasysh Bashkimin Evropian dhe ata folën edhe për Ukrainën dhe për Lindjen e Mesme, tha zyra e presidentit francez.

Presidenti francez tha se është i gatshëm të punojë me Trumpin në këto çështje dhe për të bërë përpjekje drejt paqes dhe stabilitetit, sipas zyrës së tij.

20:59 6.11.2024

Presidenti Biden e uron Trumpin

Presidenti Joe Biden i ka telefonuar presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për ta uruar për fitoren dhe e ka ftuar atë në Shtëpinë e Bardhë për të biseduar për kalimin e pushtetit.

Shtëpia e Bardhë tha se stafi i saj do ta caktojë një datë në “të ardhmen e afërt”.

Bideni pritet t’i drejtohet kombit për rezultatin e zgjedhjeve të enjten.

Biden gjithashtu foli edhe me nënpresidenten Kamala Harris për ta uruar për fushatën e saj.

Joe Biden
Joe Biden

20:45 6.11.2024

Prokurori i Posaçëm, Smith në bisedime për "t’i dhënë fund" ndjekjes penale ndaj Trumpit

Prokurori i Posaçëm Jack Smith është në bisedime të vazhdueshme me udhëheqësinë e Departamentit amerikan të Drejtësisë për të gjetur mënyrën se si t’i japë fund ndjekjes penale ndaj Donald Trumpit, sipas një zyrtari të këtij Departamenti, raporton CNN.

Diskutimet pritet të zgjasin disa ditë.

Zyrtarët e Departamentit amerikan të Drejtësisë janë duke i shqyrtuar opsionet për mënyrën se si t’i përfundojnë dy rastet penale ndaj Trumpit – atë për përpjekjet e tij për ta zhbërë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe keqmenaxhimin e dokumenteve të klasifikuara – duke respektuar një memorandum të Zyrës së Këshillit Ligjor të departamentit në lidhje me aktakuzat apo ndjekjet penale ndaj tij.

Trump ka thënë shpesh se synon ta shkarkojë Smithin dhe t’u japë fund rasteve federale kundër tij.

Më shumë rreth këtyre rasteve penale ndaj presidentit të zgjedhur amerikan mund të lexoni në artikujt më poshtë:

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG