Donald Trump e fiton edhe Miçiganin
Ish-presidenti Donald Trump e ka fituar edhe një shtet tjetër kyç të mërkurën, Miçiganin, njofton Associated Press.
Kjo nënkupton se ai i ka fituar 15 votat elektorale në shtetin ku Joe Biden kishte fituar në vitin 2020 në rrugën e tij drejt Shtëpisë së Bardhë.
Trumpi e kishte fituar Miçiganin në vitin 2016 me një epërsi prej vetëm 10.000 votash, duke bërë që një kandidat republikan për president ta fitonte këtë shtet pas gati tri dekadash.
Kjo nënkupton se ai i ka fituar tri shtetet kyçe në garë kundër kandidates demokrate Kamala Harris, pasi më herët ai u shpall fitues edhe në Uiskonsin dhe Pensilvani.
SHBA-ja zgjeron sanksionet ndaj rrjetit të Dodikut
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj një individi dhe një kompanie në Bosnje e Hercegovinë, duke i akuzuar se e mbështesin një rrjet të korrupsionit në Bosnje e Hercegovinë, i cili është duke bërë përpjekje për t’i shmangur sanksionet amerikane.
Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha se ky rrjet është drejtpërdrejt i lidhur me të sanksionuarin Igor Dodik, djalin e Millorad Dodikut, presidentit të sanksionuar të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska (RS).
“Presidenti i RS-së, Millorad Dodik, bashkëpunëtorët e tij, dhe mundësuesit e tij, vazhdojnë t’i përdorin pozitat e tyre të privilegjuara, për ta çrrënjosur besimin e publikut në kornizat rajonale të paqes dhe në institucione që kanë sjellë stabilitet dhe siguri në Bosnje e Hercegovinë”, tha ushtruesi i detyrës së nënsekretarit të Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Bradley T. Smith.
OFAC tha se Dodiku për vite të tëra e ka përdorur pozitën e tij zyrtare për të mbledhur pasuri personale përmes kompanive të lidhura me të dhe me të birin, Igor.
Njoftimi për sanksione u bë pak orë pasi Millorad Dodik e uroi presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Kamala Harris e uron Donald Trumpin
Nënpresidentja Kamala Harris i ka telefonuar të mërkurën presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për ta uruar për fitoren në zgjedhje, ka thënë për Associated Press një zyrtar i lartë i saj.
Zyrtari foli në kushte anonimiteti.
Ai tha se Harrisi bisedoi me Trumpin për rëndësinë e kalimit të pushtetit në mënyrë paqësore.
Harris pritet ta mbajë një fjalim sonte më vonë, ku do ta pranojë disfatën.
Prokurori i Posaçëm, Smith në bisedime për "t’i dhënë fund" ndjekjes penale ndaj Trumpit
Prokurori i Posaçëm Jack Smith është në bisedime të vazhdueshme me udhëheqësinë e Departamentit amerikan të Drejtësisë për të gjetur mënyrën se si t’i japë fund ndjekjes penale ndaj Donald Trumpit, sipas një zyrtari të këtij Departamenti, raporton CNN.
Diskutimet pritet të zgjasin disa ditë.
Zyrtarët e Departamentit amerikan të Drejtësisë janë duke i shqyrtuar opsionet për mënyrën se si t’i përfundojnë dy rastet penale ndaj Trumpit – atë për përpjekjet e tij për ta zhbërë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe keqmenaxhimin e dokumenteve të klasifikuara – duke respektuar një memorandum të Zyrës së Këshillit Ligjor të departamentit në lidhje me aktakuzat apo ndjekjet penale ndaj tij.
Trump ka thënë shpesh se synon ta shkarkojë Smithin dhe t’u japë fund rasteve federale kundër tij.
Më shumë rreth këtyre rasteve penale ndaj presidentit të zgjedhur amerikan mund të lexoni në artikujt më poshtë: