Zyrtarët e Bashkimit Evropian po shtrëngohen për kthimin e pritur të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Ata po përgatiten për tensione të mundshme të rritura në tregtinë transatlantike dhe për mundësinë që blloku i 27 vendeve do të duhet të bartë një barrë më të madhe të mbështetjes politike dhe financiare për Ukrainën.
Shto këtu faktin se, në të kaluarën, Trump ka parapëlqyer të merret me aleatët rajonalë, si kryeministrin hungarez, Viktor Orban, sesa me BE-në si tërësi.
Më shumë këtu:
Të dashur lexues,
Të gjitha zhvillimet që lidhen me zgjedhjet presidenciale amerikane, tani e tutje jua sjell Ekrem Idrizi.
Unë Krenare Cubolli ju falënderoj për besimin!
Ju uroj një pasdite të mirë!
Mirëmbrëma nga unë, Ekremi!
Do të jemi së bashku për t’ju njoftuar për më të rejat pas zgjedhjeve në SHBA.
Kandidatja e demokratëve, Kamala Harris, pritet të deklarohet për herë të parë pas disfatës kundër kandidatit republikan, Donald Trump.
Faleminderit që po qëndroni me ne!
Lista Serbe mirëpret fitoren e Trumpit
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – e ka mirëpritur kthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
“Në emër të popullit serb nga ‘Kosova dhe Metohija’, Lista Serbe përgëzon Donald Trumpin për fitoren e tij bindëse dhe për zgjedhjen në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, të bindur se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i mirë midis SHBA-së dhe Serbisë, të ndërtuara në mandatin e parë të presidentit Trump, do të përparojnë dhe forcohen më tej”, tha Lista Serbe në një njoftim.
Ajo tha se beson dhe pret që “pozita dhe problemet e popullit serb në ‘Kosovë dhe Metohi’ do të jenë më shumë në fokus, të bindur se administrata e presidentit Trump nuk do të lejojë vazhdimin e përndjekjes sistematike të popullit serb nga vendet e tyre të lashta në Kosovë dhe Metohi’”, pa dhënë dëshmi për pretendimet për përndjekje të tilla të serbeve në Kosovë.
Lista Serbe i kundërshton fuqishëm vendimet e Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti për mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.
Gjithashtu, me iniciativën e Listës Serbe, serbët në veri i braktisën në nëntor 2022 institucionet e Kosovës për shkak të insistimit të Qeverisë për t’i hequr targat serbe dhe bojkotuan zgjedhjet lokale në komunat e veriut.
Lista Serbe tha se shpreson se administrata e ardhshme e Trumpit do të ndikojë që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Populli serb gjithmonë ka qenë përkrah presidentit Trump, prandaj është sinqerisht i inkurajuar nga kjo fitore historike”, tha ajo.