Trump fiton edhe në një shtet kyç
Kandidati republikan, Donald Trump, fitoi në Xhorxhia, raportojnë AP, Reuters dhe CNN.
Xhorxhia njihet si shtet i papërcaktuar, ku secili kandidat mund të fitojë.
Të tilla janë edhe gjashtë: Pensilvania, Uiskonsini, Karolina e Veriut, Nevada, Miçigani dhe Arizona.
Më herët, Trump u shpall fitues edhe në Karolinë të Veriut.
Me fitoren në Xhorxhia, ai siguroi edhe 16 vota nga Kolegji Zgjedhor.
Në zgjedhjet e vitit 2020, në këtë shtet fitoi kandidati demokrat.
Mirëmëngjesi të gjithë juve që sapo na jeni bashkuar!
Ja lajmet kryesore për ju:
- Kandidati republikan, Donald Trump, ka fituar në dy shtete vendimtare: Karolinë të Veriut dhe Xhorxhia.
- Në pesë shtetet e tjera të papërcaktuara - Pensilvani, Uiskonsin, Nevadë, Miçigan dhe Arizonë - rezultati nuk është shpallur ende, por në shumë prej tyre prin Trump.
- Rezultatet në shtetet e tjera kanë qenë kryesisht të pritshme - republikanët i kanë ruajtur bastionet e tyre, demokratët të vetat.
- Parashikimet janë që republikanët do ta marrin edhe kontrollin e Senatit amerikan.
Orban komenton zgjedhjet në SHBA
“Rrugës drejt një fitoreje të bukur” - kështu tha kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, teksa komentoi zgjedhjet në SHBA në një postim në Facebook.
Orban ka mbështetur hapur garën e Trumpit për president të SHBA-së.
Trump pritet t’u drejtohet mbështetësve
Kandidati republikan për president, Donald Trump, pritet të flasë nga selia e fushatës së tij në Floridë.
Mijëra mbështetës janë mbledhur tashmë aty.
Rezultatet e deritashme të zgjedhjeve e nxjerrin Trumpin në epërsi kundrejt kandidates demokrate, Kamala Harris.
Deri më tash, ai ka siguruar 246 vota të Kolegjit Zgjedhor nga minimumi prej 270 sa i duhen për t’u shpallur president.