Xhorxhia në prag të shpalljes së rezultatit
Xhorxhia është një prej shteteve të papërcaktuara, që do të ketë ndikim të madh në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Ky shtet ka 16 vota në Kolegjin Zgjedhor.
Disa media, si BBC, raportojnë se Trump prin në këtë shtet, ku mbi 90% e votave tashmë janë numëruar.
Harris fiton në Uashington
Kandidatja demokrate, Kamala Harris, fitoi në Uashington, duke siguruar 12 vota të Kolegjit Zgjedhor.
Rezultati, megjithatë, nuk është befasi, pasi këtë shtet e kanë fituar kandidatët demokratë së paku nga viti 1992 e këndej.
Votimet vazhdojnë vetëm edhe në dy shtete
Qendrat e votimit janë mbyllur gati në të gjitha shtetet, përveç në Havaje dhe në Alaskë.
Më shumë se gjysma tashmë i kanë shpallur edhe rezultatet, të cilat, deri më tash, janë në përputhje me pritjet.
Trump ka mbajtur kontrollin në shtetet tradicionalisht republikane, ndërsa Harris në bastionet e demokratëve.
Deri më tash, asnjë prej shteteve të papërcaktuara - Nevada, Arizona, Karolina e Veriut, Xhorxhia, Uiskonsini, Miçigani dhe Pensilvania - nuk i ka shpallur rezultatet.
Trump fiton në Karolinë të Veriut
Kandidati republikan për president, Donald Trump, fitoi në Karolinë të Veriut, raportojnë AP, CNN dhe NBC.
Ky është shteti i parë i papërcaktuar, ku bëhet i ditur rezultati.
Ai është fituar edhe në vitin 2020 nga kandidati republikan, por këtë vit është parë si mundësi për t’u fituar nga Harris.
Gara është tejet e ngushtë edhe në gjashtë shtete të tjera: Nevadë, Arizonë, Xhorxhia, Uiskonsin, Miçigan dhe Pensilvani.