Një urim më ndryshe për Trumpin nga Mitrovica e Veriut
Liderë shtetërorë e partiakë në Kosovë, tashmë e kanë uruar Trumpin për fitore në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
Ata e kanë uruar përmes postimeve në Facebook apo X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Por, banorët e Mitrovicës së Veriut kanë shkuar një hap tutje.
Duke vendosur një poster në shesh, me fotografi të Trumpit dhe afër flamurin amerikan dhe atë serb, me shkronja cirilike, kanë shkruar: "Urime fitorja, president!"
Mbrapa posterit qëndron Partia Demokratike Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit.
Çfarë do të thotë për Kinën fitorja e Trumpit?
Është e vështirë të thuhet nëse Pekini e ka pasur ndonjë kandidat të preferuar në zgjedhjet amerikane, mirëpo ideja e të përballurit me një tjetër administratë amerikane, në krye me presidentin e saposhpallur, Donald Trump, mund të jetë sfiduese për liderin kinez, Xi Jinping.
Për Kinën, Trumpi është përfundimisht një kartë e egër.
Përgjatë mandatit të parë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, dy vendet janë përfshirë në luftë tregtare, Trump ka vendosur tarifa në mallrat kineze në vlerë të qindra miliarda dollarëve, dhe ka nisur fushatë globale kundër gjigantit teknologjik kinez, Huawei.
Përgjatë fushatës zgjedhore, ai ka kërcënuar me vendosjen e tarifave prej 60 për qind në të gjitha importet prej Kinës, dhe ka folur hapur për dëshirën e nisjes së një tjetër lufte tregtare.
Asnjëra prej këtyre nuk përbën lajm të mirë për Pekinin, sidomos në periudhë afatshkurtër, teksa përballet me ngadalësim të ekonomisë.
Në çështjet tjera, sikurse Ukraina, për ku Trump ka bërë thirrje për dhënie fund të luftës sa më shpejt që është e mundshme, apo sa i përket Tajvanit, ku ka thënë se ishulli nuk është duke i dhënë mjaftueshëm Uashingtonit për mbështetjen ushtarake dhe politike që ia ofron, Kina mund të kapitalizojë nga një qasje jo fort tradicionale e Trumpit.
Megjithatë, ka shumë mundësi që ushtria amerikane të rrisë prezencën në Indo-Paqësor dhe të krijojë kokëdhimbje të re për Pekinin në Azi.
Kurti uron Trumpin për fitore
E kemi tani edhe reagimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për zgjedhjet në SHBA.
Kurti e ka uruar Trumpin për fitore në zgjedhje, ka thënë se SHBA-ja është aleate kyçe, mike dhe partnere e Kosovës, dhe që mezi pret të punojë së bashku me të për përparim dhe paqe.
Kosova ka gëzuar përkrahjen e SHBA-së, ndër vite, pavarësisht kush ka qenë në krye të saj.
Administrata aktuale ka inkurajuar vazhdimisht Kosovën që t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë si një kusht për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian, ndërsa Trumpi, sa ishte president, ishte dëshmitar i nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.
Megjithatë, Richard Grenell, i cili gjatë administratës Trump ishte përfaqësuesi amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, shtyu përpara marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve, të cilën Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton ashpër.
Trump, presidenti i ri i SHBA-së
Donald Trump, kandidat i republikanëve dhe ish-president, është shpallur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
Ai ka garuar kundër demokrates, Kamala Harris, aktualisht nënpresidente amerikane, në zgjedhjet 5 nëntorit.
Trump ka fituar në shumicën e atyre që njihen si shtete të papërcaktuara, duke siguruar 277 vota të Kolegjit Elektoral.
Një kandidat duhet të fitojë të paktën 270 vota për t'u shpallur fitues.
Vetë Trump, u është drejtuar mbështetësve nga Florida më herët gjatë ditës, dhe është zotuar se do të punojë për ta"shëruar" SHBA-në.
Fitorja e tij është konfirmuar pasi ka triumfuar në katër shtete të papërcaktuara: Pensilvani, Uiskonsin, Karolinë të Veriut dhe Xhorxhia.