Pse nuk është shpallur ende fituesi i zgjedhjeve?
Sepse ende jemi në pritje për më të rejat nga qarku Uejn i Miçigenit dhe qarku Milluaki i Uiskonsinit, dy baza të demokratëve, të cilat përbëjnë mundësinë e vetme që Harris të shënojë fitore në këto dy shtete të papërcaktuara.
Përveç tyre, edhe nuk dihet rezultati përfundimtar në Alaskë, Arizonë, dy qarqe në Mejn, Minesotë dhe Nevadë.
Në SHBA janë shtatë shtete të papërcaktuara, pra që mund të ndryshojnë rrjedhën e rezultatit zgjedhor.
Të tjerat, qëndrojnë zakonisht besnike në preferencë, votojnë tradicionalisht ose për demokratët, ose për republikanët.
Prej shtatë shteteve të papërcaktuara, Trump ka shënuar fitore në Pensilvani, Karolinë të Veriut dhe Xhorxhia.
Katër shtete tjera të papërcaktuara janë: Uiskonsin, Nevada, Miçigan dhe Arizona.
Trump i ka siguruar 267 votat e Kolegjit Elektoral prej 270 të tillave, sa duhet që një kandidat të shpallet fitues.
Kandidatja e demokratëve, Harris, i ka 224 vota deri më tani.
A do ta urojë Putini Trumpin?
Kështu mund të jetë pyetur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov më herët gjatë ditës, kur ka deklaruar se për Rusinë, Shtetet e Bashkuara janë vend jomiqësor, i përfshirë në luftën kundër Rusisë, dhe që “Putin nuk ka plan të urojë Trumpin”.
Por, kur është pyetur nëse gjërat mund të përkeqësohen edhe më shumë nëse Putin nuk e uron Trumpin, Peskov ka thënë se “duket e pamundshme të përkeqësohen më shumë se kaq, marrëdhëniet janë në pikën më të ulët. Çfarë ndodh tani e tutje do të varet nga udhëheqësia e re amerikane”.
“Presidenti Putin e ka përsëritur se është i hapur për dialog konstruktiv, të bazuar në drejtësi dhe barazi, dhe gatishmëri për t’i pasur parasysh shqetësimet e njëri-tjetrit”.
Shtetet e Bashkuara nuk janë të përfshira direkt në luftën e Rusisë në Ukrainë, mirëpo SHBA-ja është lidere në ofrim të ndihmës për Kievin, teksa mbrohet nga pushtimi rus, i nisur në shkurt të vitit 2022.
Përgjatë fushatës zgjedhore, Trump është zotuar disa herë se mund t'i japë fund kësaj lufte, "vetëm me një telefonatë".
Dodik nga Banja Lluka: Kjo është fitore e Amerikës në të cilën ne besojmë
Presidenti i Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik, u është drejtuar qytetarëve para pallatit të Republikës Sërpska në Banja Llukë, pas fitores së shpallur nga Trump.
Krah tij ishte anëtarja serbe në Presidencën e Bosnje-Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, dhe ministri i Energjisë dhe Minierave në Republikën Sërpska, Petar Gjokiq.
“Kjo është fitore e Amerikës në të cilën ne besojmë, e Amerikës që është për paqen,” ka thënë Dodik në një fjalim të shkurtër para pallatit.
Të pranishmit janë parë duke mbajtur flamuj të Republikës Sërpska, Serbisë dhe Rusisë.
Dodik është prej kohësh nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Ai është futur në listën e zezë amerikane prej vitit 2017 për "pengimin e zbatimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit”, e cila u ka dhënë fund luftimeve në Bosnje më 1995.
Ai është goditur me sanksione të reja në janar të vitit 2022.
Pas Osmanit, Trumpin e urojnë edhe krerë opozitarë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar e para Trumpin nga Kosova.
Të shpejtë kanë qenë edhe krerë të partive opozitare.
Vetë Trump e ka shpallur fitoren, por diçka e tillë nuk është zyrtarisht ende, pasi numërimi i votave po vazhdon.
Kandidati i Partisë Demokratike për kryeministër, Bedri Hamza, e ka uruar Trumpin dhe i ka lavdëruar republikanët dhe demokratët për garën e zhvilluar.
"Zgjedhjet në Amerikë janë festë e mrekullueshme e demokracisë. I shpreh urimet më të përzemërta presidentit Donald Trump për fitoren e tij", ka thënë Hamza në llogarinë e tij në Facebook.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka uruar Trumpin dhe ka thënë se shpreson që Kosova do ta ketë vëmendjen e administratës së ardhshme në SHBA.
"Rikthimi i Kosovës në agjendën e Washingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Pa SHBA-në, ecja e Kosovës si shtet i ri në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur! Në Qeverinë e ardhshme, këto lidhje do të rikuperohen e mirëmbahen si orientime të pandryshueshme, të pathyeshme, të pazëvendësueshme!", ka thënë Abdixhiku në Facebook.
Urimeve u është bashkuar edhe udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili shpreson se fitorja e pretenduar e Trumpit do të ndihmojë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
"Nën udhëheqjen e presidentit Trump kemi krijuar ushtrinë e Kosovës. Jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë si aleati ynë më i fortë dhe i palëkundur", ka thënë Haradinaj në Facebook.
Kosova ka gëzuar përkrahjen e SHBA-së, ndër vite, pavarësisht kush ka qenë në krye të saj.
Administrata aktuale ka inkurajuar vazhdimisht Kosovën që t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë si një kusht për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian, ndërsa Trumpi, sa ishte president, ishte dëshmitar i nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.
Administrata e mëparshme e Trumpit ka thënë se nuk do ta kundërshtonte shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen mes tyre, me kusht që Prishtina dhe Beogradi do të përpunonin një “zgjidhje të kënaqshme reciproke”. Qeveria aktuale e Kosovës e ka kundërshtuar një ide të tillë.
Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar ende lidhur me fitoren e pretenduar të Trumpit.