Ndërlidhjet

Donald Trump
Donald Trump

Donald Trump zgjidhet presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara

  • Donald Trump është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
  • Ai ka siguruar 295 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t'u shpallur president.
  • Trump është zotuar se do ta "shërojë" kombin, teksa u është drejtuar mbështetësve nga Florida.
  • Në garën e 5 nëntorit ishin demokratja Kamala Harris, aktualisht nënpresidente, dhe republikani Donald Trump, president nga viti 2017 deri më 2021.
  • Zgjedhja e Amerikës do t’i formësojë padyshim politikat globale, në kohën kur bota përballet me tensione në rritje dhe sfida komplekse të sigurisë.
09:38 6.11.2024

Rama dhe Mickoski urojnë Trumpin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është bashkuar listës së liderëve botërorë që kanë uruar Trumpin për fitoren në zgjedhjet e 5 nëntorit, ndonëse ai ende nuk është shpallur zyrtarisht fitues.

“Ka qenë nder të punoj me ju sa keni qenë president për t’i forcuar lidhjet në mes të të dyja shteteve. Do të kem privilegjin të punoj me ju si presidenti i 47-të, për të rritur partneritetin për paqe dhe përparim të mëtejmë”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, ka thënë se vendi i tij mbetet i përkushtuar në ndërtimin e lidhjeve të forta me SHBA-në.

“Kjo fitore është një konfirmim i besimit të thellë të popullit amerikan në parimet e lirisë dhe demokracisë. Ne shpresojmë që të thellojmë më tej partneritetin dhe bashkëpunimin tonë të fortë, veçanërisht në fushat e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe reformën demokratike. Maqedonia [e Veriut] mbetet e përkushtuar në ndërtimin e lidhjeve edhe më të forta me SHBA-në, si aleat dhe mik strategjik, që do të vazhdojë të forcojë stabilitetin dhe përparimin e të gjithë rajonit”, ka thënë mes tjerash Mickoski.

09:33 6.11.2024

Shefi i NATO-s uron Trumpin

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se e ka uruar Trumpin për “fitore si president i SHBA-së”.

Rutte ka thënë se “udhëheqësia e tij do të jetë edhe një herë kyçe për ta mbajtur aleancën të fortë. Mezi pres të punoj me të dhe të avancojmë paqen përmes NATO-s”, ka thënë shefi i NATO-s.

Rikujtojmë sërish se kandidati i republikanëve, Trump nuk është shpallur ende zyrtarisht si president.

09:27 6.11.2024

Zelensky uron Trumpin dhe llogarit në mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka uruar, po ashtu, Trumpin për “fitoren impresionuese në zgjedhje”.

“Rikujtoj takimin tonë të mrekullueshëm me Trumpin në shtator, kur kemi diskutuar në hollësi për partneritetin strategjik Ukrainë – SHBA, Planin e Fitores dhe rrugët për t’i dhënë fund agresionit rus kundër Ukrainës. E çmoj përkushtimin e Trumpit për qasjen për ‘paqe përmes forcës’ kur vjen puna për çështjet globale. Ky është saktësisht parimi që mund të afrojë Ukrainën me paqen. Mezi presim për një epokë të SHBA-së së fuqishme nën udhëheqësinë e Trumpit. Ne llogarisim në mbështetjen e fuqishme dypartiake në SHBA për Ukrainën”, ka thënë Zelensky në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Ai ka thënë se Ukraina, me njërën prej ushtrive më të fuqishme në Evropë, është e përkushtuar për të garantuar paqe afatgjatë dhe siguri në Evropë dhe komunitetin transatlantik, me mbështetjen e aleatëve.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka nisur në shkurt të vitit 2022. Shtetet e Bashkuara janë lidere në ndihmën që i kanë ofruar Kievit për të luftuar pushtimin rus.

Më parë, Trump është zotuar se do t'i japë fund luftës në Ukrainë, vetëm duke biseduar me presidentët e Ukrainës dhe Rusisë.

Ai e ka kritikuar shpesh ndarjen e miliarda dollarëve ndihmë për Ukrainën, duke thënë se Kievi “nuk do ta fitojë luftën”.

Ai, gjithashtu, ka thënë se kushtet e Putinit për bisedime për paqe janë “të papranueshme” dhe beson që Putin nuk do ta niste pushtimin në Ukrainë, nëse ai, pra Trump, do të ishte në Shtëpinë e Bardhë.

Më 2017, ai e ka dhënë dritën e gjelbër që SHBA-ja të dërgojë ndihmë vdekjeprurëse në Ukrainë.

09:14 6.11.2024

Osmani uron Trumpin: Mezi pres të punoj me administratën e re

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar republikanin Trump dhe kandidatin e tij për nënpresident, Vance për fitore si “president dhe nënpresident të Shteteve të Bashkuara”.

“Shtetet e Bashkuara mbesin partnere të palëkundura dhe të domosdoshme të Kosovës. Mezi pres të punoj me administratën e re, dhe të thellojmë lidhjet tona unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, lideren e botës së lirë”, ka thënë Osmani përmes një postimi në X - platformë e njohur më parë si Twitter.

Rikujtojmë sërish se kandidati i republikanëve, Trump nuk është shpallur ende zyrtarisht si president.

Kosova njihet si një prej shteteve më proamerikane në botë.

SHBA-ja ka ndarë për këtë shtet mbi 2 miliardë dollarë prej vitit 1998.

Mbështetja amerikane ka qenë vendimtare për nisjen e bombardimeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 1999, dhe në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë.

Uashingtoni ka qenë ndër të parët që e ka njohur shtetësinë e Kosovës, më 2008.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e përsërisin shpesh që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG