Reagimi i ish-presidentit rus, Dmitry Medvedev
Dmitry Medvedev, zëvendëskryesues i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, dhe ish-president rus, ka thënë në platformën Telegram:
“Disa ditë më parë, kam shkruar në Telegram për konsensusin e ashpër dypartiak kundër Rusisë, në Kongres. Këto vëzhgime dalin të sakta, sidomos tani që shumicën në Senat e kanë republikanët. Mirëpo, Trump e ka një cilësi prej të cilës mund të përfitojmë të gjithë. Si biznesmen, ai ka aversion nga shpenzimi i parave për aleatë budallenj dhe organizata ndërkombëtare të këqija".
Medvedev ka thënë se në këtë mes “hyn edhe Ukraina” dhe që pyetja tani është se sa do të ketë presion Trump për të ndarë fonde për luftën në Ukrainë.
“Ai është kryeneç, por sistemi është më i fuqishëm”, ka thënë ai.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka nisur në shkurt të vitit 2022. Shtetet e Bashkuara janë lidere në ndihmën që i kanë ofruar Kievit për të luftuar pushtimin rus.
Megjithatë, Trump e ka bërë të ditur disa herë gjatë fushatës zgjedhore, se heziton të ndajë fonde për këtë shtet.
Orban reagon sërish
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka reaguar sërish për zgjedhjet amerikane, duke e uruar Trumpin, për, siç ka thënë, fitore.
Rikujtojmë sërish se kandidati i republikanëve nuk është shpallur ende i tillë.
“Rikthimi më i madh në historinë politike amerikane! Përgëzime presidentit Trump për fitoren e madhe. Një fitore shumë e nevojshme për botën”, ka thënë ai në X.
Vuçiq dhe Dodik urojnë Trumpin për "fitoren në zgjedhje"
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka përgëzuar Trumpin, për, siç ka thënë, fitoren në zgjedhje.
Agjencitë më të mëdha amerikane ende nuk e kanë shpallur Trumpin fitues dhe janë në pritje të numërimit të mëtejmë të votave.
“Së bashku, ne do të përballemi me sfida serioze. Serbia është e përkushtuar për të punuar me Shtetet e Bashkuara për stabilitet, rritje dhe paqe”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Më shumë për qasjen e presidentit serb sa i përket politikës së jashtme:
Fitoren e Trumpit e ka mirëpritur edhe presidenti pro-rus i entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili është në listën e zezë amerikane.
"Një nga fitoret më të rëndësishme elektorale në historinë e fundit të SHBA-së, por edhe të botës," ka thënë Dodik në platformën X.
Trump: Do t’i ndihmojmë shtetit të shërohet
Republikani Trump po u drejtohet mbështetësve të tij nga Florida.
Afër tij janë familjarët dhe pjesëtarë të ekipit politik, përfshirë të nominuarin për nënpresident, J.D.Vance.
Ai ka thënë para mbështetësve se kjo ka qenë lëvizja më e madhe politike në historinë amerikane.
“Do t’i ndihmojmë shtetit tonë të shërohet”, ka thënë Trump.
Deri më tani, Trump ka fituar 267 vota elektorale, ndërsa Harris 224.
Për të fituar, një kandidat duhet të sigurojë të paktën 270 vota.
“Amerika na ka dhënë një mandat të pashembullt dhe të fuqishëm”, ka thënë Trump, si referencë për fitoren e republikanëve në Senat, i cili deri më tani është kontrolluar nga Partia Demokratike.