Ndërlidhjet

Ende e paqartë a do të ulen Kosova dhe Spanja së bashku në Sofje 


Përfaqësuesit e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në samitin e vitit 2017, që është mbajtur në Itali.
Përfaqësuesit e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në samitin e vitit 2017, që është mbajtur në Itali.

Edhe Spanja edhe Kosova do të marrin pjesë në Samitin e Sofjes, mirëpo Presidenca bullgare nuk ka bërë të ditur nëse Madridi është pajtuar më përfaqësimin e Kosovës si shtet.

Presidenca e Bullgarisë në Bashkimin Evropian e ka konfirmuar pjesëmarrjen e Kosovës në samit, porse kanë refuzuar të përgjigjën nëse Republika e Kosovës do të ketë përfaqësim me simbole shtetërore.

“Pjesëmarrja e Kosovës do të jetë në përputhje me kërkesat e protokollit”, ka thënë shkurt për Radio Evropa e Lirë, Genoveva Chervenakova, zëdhënëse e Presidencës bullgare në BE.

Ditë më parë, Spanja deklaroi se nuk do të marrë pjesë në Samitin e Sofjes në rast se Kosova përfaqësohet si shtet. Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy tërhoqi vërejtjen se nuk do të ulet në tavolinën e njëjtë në të cilën ulet Presidenti i Kosovës.

Përkundër këtyre deklaratave, Presidenca bullgare, që aktualisht udhëheq Bashkimin Evropian, ka konfirmuar pjesëmarrjen e kryeministrit spanjoll.

“Kryeministri i Spanjës do të mbërrijë nesër në Bullgari”, ka deklaruar Chervenakova.

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy. Foto nga arkivi
Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy. Foto nga arkivi

Megjithatë, zyrtarët bullgarë kanë hezituar që të japin më shumë detaje sa i përket pjesëmarrjes në samit të kryeministrit spanjoll, Mariano Rajoy, pasi siç kanë raportuar mediat në Spanjë, ai do të marrë pjesë vetëm në një darkë me liderët evropianë një ditë para samitit dhe më pas do të kthehet në vendin e tij.

Samiti i Sofjes ka për qëllim krijimin e një energjie të re në mes të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Sipas Bashkimit Evropian, në këtë samit do të synohet riafrimimi i angazhimit të BE-së ndaj partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në infrastrukturë, në aspektin digjital dhe njerëzor.

Vendet pjesëmarrëse do të diskutojnë mundësitë që të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat e përbashkëta, si siguria, migracioni, zhvillimet gjeopolitike dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG