Ndërlidhjet

Kosova dhe Katalonia s’janë njësoj


Referendumi në Kataloni
Referendumi në Kataloni

Rasti i Katalonisë, rajon ky i cili ka mbajtur referendumin me synimin e pavarësimit nga Spanja, si dhe rasti i Kosovës, e cila ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe është njohur deri më tash nga 114 vende, janë raste të ndryshme dhe ato nuk mund të vlerësohen në mënyrë të barabartë, thonë njohësit e të drejtës ndërkombëtare dhe të asaj evropiane.

Por, Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht se e drejta ndërkombëtare dhe mekanizmat ndërkombëtarë janë të aplikueshëm në të gjithë botën dhe ato vlejnë për secilin vend në botë, si në rastin e Katalonisë, si në rastin e Kosovës, megjithatë, rasti nga rasti dallon. Tendencat për ta baraspeshuar rastin e Katalonisë dhe atë të Kosovës, sipas tij, janë të gabueshme, tendencioze dhe joprofesionale.

Profesor Hoti thotë se ekziston një listë argumentesh që e bën të dallueshëm rastin e Kosovës nga rasti i Katalonisë, duke u nisur nga fakti që Spanja, për dallim nga ish-Jugosllavia, vazhdon të ekzistojë si tërësi shtetërore dhe shtet sovran. Mbi këtë bazë, tendencat e njësive të saj për tu shkëputur, nuk e marrin dritën jeshile.

Sikur Spanja të kalonte nëpër një proces të shpërbërjes (sikurse ish-Jugosllavia), atëherë mendoj se çështja e pavarësisë së Katalonisë sot nuk do të diskutohej fare. E dyta, konsiston në dallimin që në Kosovë është ushtruar gjenocid dhe kemi pasur shkelje masive të të drejtave të njeriut dhe bazuar në të drejtën ndërkombëtare, shteti që shkel të drejtat e shtetasve të vet, duke i vrarë ata, madje duke ushtruar edhe gjenocid, në mënyrë automatike e humbë të drejtën për t’i qeverisur. Ky ka qenë rasti i Kosovës, gjë që nuk është në rastin me Kataloninë”, thotë Hoti.

Në rastin e Kosovës, sipas profesor Hotit, ka ekzistuar një administratë ndërkombëtare funksionale, si mision i Kombeve të Bashkuara, që konsiderohet si një fazë transitore ndërmjet kalimit nga një sistem në një tjetër, gjë që nuk është në rastin e Katalonisë.

Mendim të ngjashëm ka edhe Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës. Sipas tij, pavarësia e Kosovës rezulton nga një proces i shpërbërjes së një shteti të përbashkët, të disa njësive federale, gjë që nuk është në rastin e Katalonisë në raport me Spanjën.

Ajo që e bën shumë të rëndësishme dhe që e bën diferencën në rastin konkret, është se populli i Kosovës dhe Kosova si njësi federale e shtetit jugosllav, kanë pasur një të kaluar jo të mirë në atë shtet. Ka dalë nga një konflikt, nga një luftë, e cila ka lënë viktima të shumta dhe pothuajse edhe gjatë gjithë kohës së funksionimit të këtij shteti, shumica e shqiptarëve në Kosovë, nuk kanë qenë të barabartë të trajtuar. Kanë qenë të privuar nga shumë të drejta, pothuajse elementare, gjë e cila nuk vlen dhe nuk mund të thuhet se vlen për Kataloninë”.

Se rastet e Katalonisë dhe Kosovës nuk janë të njëjta, këtë e kanë deklaruar edhe zyrtarët e Komisionit Evropian, por kjo deklaratë ka vënë në lëvizje autoritetet e Serbisë, për të kërkuar nga Komisioni Evropian sqarimin lidhur me këtë çështje.

Ana Bërnabiq, kryeministre e Serbisë, ka thënë se do t’i drejtohet Komisionit Evropian me një letër, përmes të cilës do të pyetet “nëse për BE-në vlen vetëm një e drejtë ndërkombëtare, apo ekziston ndonjë e drejtë tjetër ndërkombëtare, e cila vlen për të gjitha vendet e tjera, të cilat nuk janë anëtare të BE-së”.

Por, profesor Hoti, shpreh mendimin se përpjekjet e autoriteteve serbe për t’i vlerësuar si të barabarta rastet e Katalonisë dhe Kosovës, janë të ngjashme me përpjekjet që tashmë janë bërë edhe në të kaluarën për krahasime të ngjashme.

Këto përpjekje, tashmë po i shohim se janë evidente sepse tashmë kanë filluar të bëhen vlerësime të tilla. Unë mendoj se janë tërësisht pa ndikim, si përpjekjet e serbëve, por edhe përpjekjet e tjera të rusëve, të cilët kohë më parë edhe rajonet e Gjeorgjisë i patën krahasuar me Kosovën. Pastaj, Krimenë, e të tjera. Por, praktika ka treguar se janë raste krejtësisht të izoluara. Si të tilla nuk kanë marrë asnjë njohje dhe nuk kanë fituar asnjë lloj legjitimiteti ndërkombëtarë. Mendoj se këto janë përpjekje të kota, tendencioze dhe aspak profesionale”.

Profesor Ujkani, ka shprehur mendimin se në rast se Serbia do të insistojë në barasvlerësimin e rasteve të Katalonisë dhe Kosovës do të bënte gabim të madh politik, i cili do të reflektonte negativisht në përpjekjet e saj për integrim në Bashkimin Evropian, por edhe në dialogun me Kosovën, me të cilën, të paktën, në mënyrë deklarative, synon paqe të qëndrueshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG