Protestuesit duke u larguar nga Sheshi Sllavija
Turma në Sheshin Sllavija të Beogradit nisi të shpërndahej, pasi studentët që organizuan protestën, njoftuan se ajo ka përfunduar.
MPB-ja kërkon që të ndalen të gjitha sulmet dhe provokimet ndaj policisë
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se ka bërë thirrjen e fundit për ndalimin e menjëhershëm të të gjitha sulmeve dhe provokimeve ndaj punonjësve të policisë, në të kundërtën tha se policia do të ndërhyjë dhe do t'i mbrojë efektivët e saj konform ligjit.
Në deklaratë thuhet se disa incidente dhe përleshje kanë ndodhur në disa lokacione në qendër të Beogradit "midis disa pjesëmarrësve në protestë, të cilët sulmuan vazhdimisht policët, duke u përpjekur t'i pengojnë ata në kryerjen e detyrës".
Vuçiq: E kemi kuptuar mesazhin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha pas protestës së 15 marsit në Beograd se pushteti e ka kuptuar mesazhin.
"Të gjithë njerëzit në pushtet duhet ta kuptojnë mesazhin kur mblidhen kaq shumë njerëz. Ne do të duhet të ndryshojmë", tha ai.
Megjithatë, Vuçiq vlerësoi se shumica e qytetarëve nuk duan “revolucion me ngjyra”.
Qeveria pretendon se protestat për tragjedinë në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, janë përpjekje për një "revolucion me ngjyra" - gjë të cilën studentët protestues e mohojnë.
Vuçiq iu drejtua publikut pak orë pas përfundimit të një proteste të madhe në Beograd.
Ai tha se 56 persona janë lënduar në protestë, por se askush nuk ka pësuar lëndime të rrezikshme për jetën.
Sipas tij, 22 persona janë arrestuar për krime kundër pronës dhe për sulme ndaj policëve dhe personave të tjerë.
Arkivi i Tubimeve Publike: Në protestë ishin midis 275.000 dhe 325.000 njerëz
Organizata joformale, Arkivi i Tubimeve Publike, e cila vlerëson numrin e tubimeve në Serbi, tha se në mitingun e 15 marsit në Beograd, ishin midis 275.000 dhe 325.000 njerëz.
Ajo theksoi se ekziston mundësia që ky numër të jetë edhe më i lartë.
"Për shkak të madhësisë së jashtëzakonshme, natyrës dinamike dhe strukturës së tubimit, si dhe situatës së paqartë në pjesë të caktuara të qytetit, veçanërisht në Beogradin e Ri, një vlerësim më i saktë nuk është i mundur", tha organizata.