Ndërlidhjet

Prokuroria Speciale e Kosovës heton “organizatat ilegale” nga Serbia


Protestë e organizuar në Beograd nga grupet serbe të ekstremit të djathtë, si shenjë mbështetjeje ndaj Rusisë. 4 mars 2022.
Protestë e organizuar në Beograd nga grupet serbe të ekstremit të djathtë, si shenjë mbështetjeje ndaj Rusisë. 4 mars 2022.

Policia e Kosovës ka informacione se në territorin e Kosovës veprojnë “grupe apo organizata ilegale” nga Serbia, ndërsa Prokuroria Speciale në Prishtinë është duke zhvilluar hetime ndaj disa prej tyre.

Këtë informacion e ka konfirmuar Policia e Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ky institucion nuk ka dhënë informata për këtë çështje, për shkak të hetimeve të Prokurorisë.

Prokuroria Speciale nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë në kërkesën për informacion.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera të sigurisë në Kosovë, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, trajton të gjitha të dhënat lidhur me grupet ilegale që mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Për çfarë paralajmëroi Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë në fund të marsit se rreth dhjetë organizata të ekstremit të djathtë nga Serbia, po përpiqen të destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë, por ai nuk pati dhënë informacione më të detajuara.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 8 gusht, ai gjithashtu nuk ka dashur të zbulojë se për cilat organizata bëhet fjalë, duke shpjeguar se nuk dëshiron t’i bëjë të famshme duke ua përmendur “emrat e princërve nga Mesjeta".

Megjithatë, Kurti ka thënë se këto grupe aktivizohen publikisht në festa, siç është 28 qershori, kur shënohet Beteja e Kosovës e vitit 1389.

“Ata, duke mos qenë në përputhje me ligjin, një situatë si konflikti ua sjell lirinë e dëshiruar dhe gjithashtu bëjnë aktivitet në rrjetet sociale. Ne, me gjithë kapacitetet që kemi, i luftojmë ata, përballemi me ta”, ka thënë Kurti.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it në kërkesën për të marrë listën e organizatave për të cilat ka folur Kurti, dhe as nëse në Kosovë ndalohet aktiviteti i organizatave të djathta nga Serbia.

Ismail Hasani, sociolog nga Prishtina, dhe Predrag Petroviq nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd, vlerësojnë se grupet e djathta nga Serbia mund të kontribuojnë në rritjen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe të sjellin trazira dhe shqetësim shtesë mes njerëzve.

Të dy ekspertët nënvizojnë gjithashtu se aktivitetet e grupeve të ekstremit të djathtë nga Serbia, janë të lidhura me luftën në Ukrainë, e cila filloi në fund të shkurtit, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi atë që e quan si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë në disa raste se, Serbia është "satelit i Rusisë" dhe se Beogradi dhe Moska po punojnë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Organizatat e “lidhura” me Vidovdanin, Moskën dhe barrikadat

Në Serbi ekzistojnë një sërë organizatash që e lidhin aktivitetin e tyre me Vidovdanin, pra me 28 qershorin kur shënohet Beteja e Kosovës e vitit 1389.

Shumica prej tyre, përmes disa aktiviteteve, veprojnë edhe në Kosovë.

Kështu, Lëvizja “1389” (Pokret “1389) organizon çdo vit shkuarjen e serbëve në Gazimestan, Kosovë, më 28 qershor.

Këtë ditë e shënon edhe Kisha Ortodokse Serbe (KPS) – e cila njihet si Vidovdan.

Në faqen zyrtare të Lëvizjes “1389”, thuhet se grupi është “shoqatë ortodokse shtet-formuese humanitare kombëtare, e cila merret me ruajtjen e vlerave shpirtërore, historike, kulturore e të tjera të popullit serb dhe afirmimit të traditës, duke mos anashkaluar nevojën e zhvillimit të shtetit”.

“Ne po punojmë për ringjalljen e shtetit ortodoks, me theks në dinastinë të Nemanjiqit (themeluesit mesjetar të shtetit serb), Obrenoviqit dhe Karagjorgjeviqit (dy dinastitë që ishin në pushtet në Serbi gjatë shekullit të 19-të dhe në gjysmën e parë të shekullit të 20-të) në Serbi dhe Romanovët në Rusi (familja e fundit perandorake ruse)”, thuhet në përshkrim.

Por, “1389” është një lëvizje e djathtë nga Serbia, anëtarët e së cilës flasin hapur për “mbrojtjen” e Kosovës dhe janë kundër bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, në kuadër të dialogut mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Pjesëtarë të kësaj lëvizjeje janë parë edhe në vitin 2011 në barrikada në veri të Kosovës.

Në zgjedhjet e fundit presidenciale në Serbi, ish-lideri i kësaj lëvizjeje, Misha Vaçiq, ka qenë kandidat për president para grupit qytetar “Patrioti serb”. Nënshkrimet për kandidaturën për president i ka dorëzuar me pishtar.

Shërbimi informativ i së djathtës serbe pati njoftuar më pas se ai ka mbërritur në Komisionin Republikan të Zgjedhjeve, me një “xhip të blinduar me targa ruse”. Në kolonën e automjeteve me flamuj serbë dhe rusë, disa automjete kanë pasur shenjën “Z”, simbol i pushtimit rus në Ukrainë.

Përveç Lëvizjes “1389”, Radio Evropa e Lirë ka identifikuar edhe disa organizata të tjera që i përshtaten përshkrimit të “organizatave ekstremiste serbe, të ekstremit të djathtë, të cilat propagandojnë frymë mesjetare të ortodoksisë mistike”, siç i ka quajtur kryeministri i Kosovës.

Në deklaratat e mëparshme për mediat lokale në Kosovë, ai tha se këto organizata “njërën këmbë e kanë në Beograd, dhe tjetrën në Moskë”.

“Lëvizja për mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë” është formuar në vitin 2020, ndërsa një degë e saj në Kosovë është hapur në fillim të këtij viti.

Organizata tha në atë kohë se "do të punojë për të ruajtur krahinën si pjesë të Serbisë".

Nebojsha Joviq nga Mitrovica e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, u emërua si kryeadministrator, ndërsa anëtarët janë nga komunitetet serbe në jug të Ibrit, Zvonko Mihajloviq nga Shtërpca dhe Nenad Kojiq nga Vitia.

Në fillim të marsit, kjo Lëvizje publikoi një “apel për mbështetje Rusisë”, duke dënuar faktin se Serbia e mbështeti Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Anëtarët e grupit “Lëvizja për mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”, duke mbajtur mbishkrimin "Mbështetje vëllezërve rusë dhe Rusisë nga Kosova dhe Metohija". 6 mars 2022, Mitrovicë e Veriut.
Anëtarët e grupit “Lëvizja për mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”, duke mbajtur mbishkrimin "Mbështetje vëllezërve rusë dhe Rusisë nga Kosova dhe Metohija". 6 mars 2022, Mitrovicë e Veriut.

“Prandaj ne e dënojmë fuqishëm këtë gjest të turpshëm, i cili është kundër traditave dhe interesave më të rëndësishme jetike të popullit serb”, theksuan ata.

Se barrikadat në veri të Kosovës janë “frymëzim” i organizatave të djathta, tregon edhe fakti se Kuvendi serb i Lëvizjes Besëlidhja (Zavetnici) u themelua në fillim të vitit 2012 nga një grup njerëzish që ishin parë te barrikadat në veri të Kosovës.

Mirëpo, në gusht të vitit 2019, kjo Lëvizje u bë parti politike e quajtur, Partia serbe Zaventici (Spska stranka Zavetnici).

“Zavetnici” rregullisht mban protesta në Beograd kundër festivalit të kulturës kosovare “Mirdita, Dobar dan!”.

Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski, e cila drejton këtë parti serbe të ekstremit të djathtë, ishte gjithashtu kandidate në zgjedhjet e fundit presidenciale në Serbi.

Kjo parti e ka marrë emrin e saj, siç thuhet në faqen e tyre, bazuar në përvojën historike në të cilën Besëlidhja e Kosovës, është pika qendrore.

Ata e konsiderojnë të papranueshme pjesëmarrjen e Serbisë në “ndjekjen politike të shtetit të (Rusisë), e cila si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit është garantuesi më i fortë i Rezolutës 1244 dhe i ruajtjes së sovranitetit të saj në Kosovë e Metohi”.

Disa organizata veprojnë si humanitare, por organizojnë edhe aksione të Vidovdanit “Vidovdan aksione”, me rastin e shënimit të përvjetorit të betejës në Kosovë.

Disa prej tyre janë: “Serbët për serbët” dhe organizata “28 Qershori”.

Kush u arrestua më 28 qershor në Kosovë?

Profesori i sociologjisë, Ismail Hasani, thekson se organizatat e ekstremit të djathtë më së shumti u shfaqën në Serbi dhe Kroaci, pas luftërave të viteve '90 në territorin e ish-Jugosllavisë dhe se ato ishin të lidhura me organizata fetare.

"Organizatat fetare ishin të lidhura ngushtë edhe me udhëheqjen shtetërore. Kam pasur rastin të shoh individë që shfaqin sjellje ekstreme në Vidovdan", thotë Hasani.

Policia e Kosovës, më 28 qershor të këtij viti, ka arrestuar një shtetas serb për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.

Hasani beson se të dyja palët duhet të bashkëpunojnë dhe të parandalojnë veprimet e të djathtëve të cilët, siç thotë ai, avokojnë politikë ekstreme, që nënkupton konflikte.

“Ballkani ende po zien”, thotë Hasani dhe shton se disa organizata të ekstremit të djathtë veprojnë nën “vellon e punës humanitare” dhe me këtë e lidh punën e Qendrës Humanitare në Nish, qytet në Serbi, rreth 150 kilometra larg Prishtinës.

Sipas tij, ajo qendër është formuar për të shkaktuar destabilizimin e Ballkanit.

“Nëse Rusisë nuk i ec plani, ashtu siç kishte planifikuar të zgjidhte çështjen me Ukrainën, kam frikë se hapi tjetër do të jetë Ballkani, të ndezë zjarrin në Ballkan. Në këtë situatë është e vështirë të imagjinohet sepse KFOR-i (misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë) është ende këtu”, thotë Hasani.

Qëndrimi i Serbisë ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës

Pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, Serbia ka pranuar thirrje të vazhdueshme nga zyrtarë evropianë për të harmonizuar politikën e saj me vendet perëndimore dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, por gjithashtu pati thirrje të shpeshta për mbylljen e Qendrës Humanitare serbo-ruse në Nish.

Puna humanitare e kësaj qendre vihet në dyshim, sepse Moska zyrtare ka kërkuar që stafit rus t'i jepet statusi diplomatik. Ky është status i veçantë që përfshin disa privilegje, si liria e lëvizjes, jo vetëm në Serbi, por edhe në rajon, si dhe imuniteti në rast të veprës penale të kryer në territorin e Serbisë.

Autoritetet në Serbi deri tani nuk i kanë dhënë një status të tillë kësaj Qendre.

Ndryshe, Serbia llogarit në mbështetjen e Rusisë, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), për çështjen e Kosovës, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.

Beogradi zyrtar refuzon ta njohë Kosovën si shtet dhe të dyja palët janë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.

Pse të djathtët thirren në Rusi?

Predrag Petroviq nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë shpjegon se të djathtët shpesh konfliktet dhe dhunën i “mbështjellin nën maskën e mbrojtjes së serbëve në Kosovë".

"Mund të jetë veçanërisht shqetësuese që tani veprimet e tyre janë të lidhura me luftën në Ukrainë, pushtimin rus të Ukrainës, me shpresën dhe dëshirën e ekstremistëve të djathtë serbë që Rusia të ndihmojë në fakt Serbinë për të rivendosur Kosovën nën sovranitet de fakto", thotë ai.

Ai shton se në Serbi ka një numër të madh të organizatave të djathta dhe thekson se janë të ndara, dhe kjo është ajo që e shqetëson.

"Është pikërisht ndarja e tyre që mund të kontribuojë në një përhapje më të madhe të pikëpamjeve të krahut të djathtë", thotë Petroniq, duke iu referuar një studimi të Qendrës për Politika të Sigurisë, i cili tregoi se organizatat e krahut të djathtë e kanë të vështirë të "rekrutojnë" anëtarë të rinj, që përhapin lehtësisht dezinformata dhe vlera që bien ndesh me demokracinë.

Aktivitetet e Rusisë në Kosovë

Edhe pse Rusia ka që 16 vjet zyrën e saj ndërlidhëse në Kosovë, publiku nuk di pothuajse asgjë për aktivitetet e tyre.

Kjo zyrë ka rreth dhjetë diplomatë, por lind pyetja se çfarë saktësisht bëjnë ata në Kosovë, duke pasur parasysh se Moska zyrtare është kundërshtare e ashpër e pavarësisë së Kosovës dhe së bashku me Serbinë po punon për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua kësaj Zyre me pyetje për aktivitetet e tyre në Kosovë dhe si e komentojnë faktin që disa shtetas rusë janë dëbuar nga Kosova, por ata nuk janë përgjigjur.

E njëjta pyetje i është dërguar edhe Ambasadës së Federatës Ruse në Beograd, por deri në publikimin e këtij teksti as ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Deri më tani, Prishtina zyrtare ka shpallur si persona të padëshiruar disa shtetas të Rusisë, e ndër të fundit ishte gazetarja, Daria Aslamova.

Ajo fillimisht u ndalua teksa tentonte të hynte në Kosovë nga Serbia nën dyshimin për spiunazh, por më pas u lirua dhe u shpall person i padëshiruar.

Kontribuoi: Arton Konushevci

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG