Tubime pa maska, pa distancë, pa dezinfektues por me qindra të pranishëm janë duke mbajtur partitë politike në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Sipas vendimit të fundit të qeverisë në detyrë, në ambiente të mbyllura lejohen vetëm 30 persona, ndërsa në hapësira publike deri në 50, gjithmonë duke respektuar masat kundër COVID-19. I vetmi institucion që është duke i dënuar partitë politike për shkelje të masave është Inspeksioni i Komunës së Prishtinës. Më poshtë, kemi zgjedhur t'ua pasqyrojmë shkeljet e partive përmes këtyre fotografive, të cilat, vet partitë politike i kanë publikuar në rrjetet sociale.
“S’ka” COVID-19 në kohë zgjedhjesh

1
Deri më tani ky është tubimi me numrin më të madh të pjesëmarrësve që ka publikuar ndonjë nga partitë politike. Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj ka publikuar disa fotografi nga ky aktivitet që shkel vendimin e Qeverisë së Kosovës i cili përcakton numrin e lejuar për pjesëmarrje në organizime në ambiente të mbyllura. 27.01.2021, Skenderaj.

2
Qindra njerëz kanë marrë pjesë edhe në këtë organizim paraelektoral të organizuar nga PDK-ja në Burojë, fshatin e lindjes së Hashim Thaçit, themeluesit të këtij subjekti politik. Siç shihet në fotografi, nuk respektohen masat kundër COVID-19. 26.01.2021, Burojë, Skenderaj.

3
As vet kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj nuk mban maskë nëpër këto tubime. Edhe këtu, në Drenas ku ka një numër të madh të pjesëmarrëseve nuk përdoren maskat dhe nuk respektohet distanca. 26.01.2021, Drenas.

4
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj që po synon postin e presidentit, gjatë kësaj vizite në vendlindjen e tij zhvilloi disa aktivitete. Në shumicën prej tyre të pranishmit shihet se nuk respektojnë masat. Pa distancë dhe pa maska. 26.01.2021, Deçan.