Duke qenë se mbyllja e Qeverisë amerikane është vetëm pesë ditë larg, Kongresi po futet në krizë pasi kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, përballet me pasiguri nga republikanët e ekstremit të djathtë, të cilët janë të vendosur për uljen e shpenzimeve, edhe nëse kjo nënkupton kufizimin e shërbimeve federale për miliona amerikanë.
Ligjvënësit rikthehen nga pushimi i fundjavës plot tensione, me mundësi të limituara dhe pa ndonjë rrugë të qartë përpara. Dhoma e Përfaqësuesve pritet ta votojë të martën mbrëma një pako me projektligje për financimin e disa pjesëve të Qeverisë, por nuk është plotësisht e qartë nëse McCarthy e ka përkrahjen e nevojshme për të ecur përpara.
Ndërkohë, Senati, në përpjekje për ta shmangur mbylljen federale, është duke e përgatitur planin e vet dypartiak për një masë të përkohshme për të blerë kohë dhe për ta siguruar financimin e zyrave edhe pas afatit të fundit këtë të shtune, derisa puna në Kongres vazhdon.
Por, planet për ndihma shtesë për Ukrainën kanë hasur në telashe, pasi një numër i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, po e kundërshtojnë shpenzimin shtesë për luftën në Ukrainë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i paralajmëroi konservatorët republikanë t’i lënë anash taktikat e linjës së ashpër, duke thënë se financimi i Qeverisë federale është “njëra prej përgjegjësive më thelbësore të Kongresit”.
Bideni iu kërkoi republikanëve të mos e shkelin premtimin për marrëveshjen e borxhit, të cilën ai e arriti në fillim të këtij viti me McCarthy, në të cilën u caktuan nivelet e financimit të Qeverisë federale dhe e cila u miratua si ligj pas aprovimit nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.
“Ne e bëmë një marrëveshje, i shtrënguam duart, dhe thamë se kjo është ajo çfarë ne do të bëjmë. Tani, ju po e shkelni marrëveshjen”, tha Biden të hënën vonë.
Mbyllja e Qeverisë do ta çrregullonte ekonominë amerikane dhe jetën e miliona amerikanëve të cilët punojnë për Qeverinë apo varen nga shërbimet federale – nga kontrolluesit e trafikut ajror të cilëve do t’iu kërkohej të punonin pa pagesë deri te 7 milionë njerëz në programin për gratë, foshnjat dhe fëmijët, përfshirë gjysmën e foshnjave të lindura në SHBA, të cilat do ta humbnin qasjen në përfitimet ushqimore, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Donald Trump – i cili pritet ta sfidojë Bidenin në zgjedhjet e vitit 2024 – po i nxit republikanët në Kongres për ta mbyllur Qeverinë dhe për ta zhbërë marrëveshjen e McCarthy me Bidenin.
“Nëse nuk arrini krejt çka kërkoni, mbylleni. Është koha që republikanët të mësohen se si të luftojnë”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
McCarthy mbërriti në Kapitol të hënën herët, pas një jave të trazuar gjatë të cilës rreth 10 republikanë të ekstremit të djathtë ia shkatërruan planet e fundit për ta çuar përpara një projektligj të zakonshëm për financimin e mbrojtjes. Ata bënë që të kishte mosmarrëveshje në Dhomën e Përfaqësuesve dhe liderët i dërguan pastaj ligjvënësit në shtëpi për fundjavë.
Pasi Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve u takua të shtunën për t’u përgatitur për votimit të kësaj jave, McCarthy tha se ka shpresa se pakoja me katër projektligje, për t’i financuar Mbrojtjen, Sigurinë e Atdheut, Bujqësinë dhe Organizatat Shtetërore dhe të Huaja, do ta niste procesin.
“Të sigurohemi se Qeveria do të mbetet e hapur derisa ne e mbarojmë punën tonë për miratimin e të gjitha projektligjeve individuale”, tha McCarthy.
Por, të paktën një aleate e madhe e Trumpit, republikania Marjorie Taylor Greene, e cila është e afërt edhe me McCarthy, tha se nuk do të votojë për ta hapur debatin, i njohur si Rregulla, për shkak së pakoja e projektligjeve vazhdon t’ia ofrojë Ukrainës të paktën 300 milionë dollarë për luftën kundër Rusisë.
Konservatorët e tjerë të ekstremit të djathtë dhe aleatët e Trumpit mund t’i ndjekin hapat e saj.
Derisa në numër ata janë vetëm dhjetë, fraksioni republikan i ekstremit të djathtë ka ndikim të tepërt për shkak se shumica në Dhomën e Përfaqësuesve është e ngushtë dhe McCarthyt i nevojitet pothuajse çdo votë nga partia e tij për projektligjet dypartiake, pa përkrahjen e demokratëve.
McCarthy ua ka plotësuar atyre shumë kërkesa, të cilat nuk kanë mjaftuar prapëseprapë, pasi ata po kërkojnë më shumë – përfshirë ndërprerjen e financimit për Ukrainën, për të cilën presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në Uashington javën e kaluar se është jetike për ta fituar luftën kundër Rusisë.
Republikani i Floridës, Matt Gaetz, një aleat i madh i Trumpit që e udhëheq fraksionin e djathtë, tha për FOX se mbyllja e Qeverisë nuk është optimale, por “është më e mirë se vazhdimi i rrugës së tanishme për rrënimin financiar të Amerikës”.
Gatez, i cili ka kërcënuar me thirrjen e votimit për ta përjashtuar nga puna McCarthyn, dëshiron që Kongresi ta bëjë atë që e bën rrallëherë: të debatojë dhe ta aprovojë secilin prej 12 projektligjeve vjetore të nevojshme për financimin e departamenteve të ndryshme të Qeverisë – ky është një proces për të cilin nevojiten javë, nëse jo muaj.
“Unë nuk jam për mbylljen”, tha ai. Por, ai shtoi se dëshiron që McCarthy ta mbajë fjalën.
Edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve ia del ta kryejë punën këtë javë për disa prej projektligjeve, gjë që është goxha e pasigurt, prapëseprapë ato duhet të bashkohet me legjislacione të ngjashme nga Senati, që është një tjetër proces i gjatë.
Ndërkohë, senatorët janë duke e përgatitur një masë të përkohshme, e cila lejon shpenzimin e përkohshëm, për ta mbajtur Qeverinë të financuar edhe pas të shtunës, por kanë hasur në telashe për shkak të kërkesës së Bidenit për financimin e luftës në Ukrainë.
Një zëdhënës i Zyrës së Shtëpisë së Bardhë për Menaxhim dhe Biznes tha se administrata do të vazhdojë të punojë me anëtarët e të dy partive në Kongres për të siguruar fonde shtesë dhe për t’u siguruar se ndihmat për Ukrainën do të vazhdojnë.
Kur kanë mbetur vetëm pak ditë para mbylljes, disa ligjvënës të tjerë thonë se nuk do të votojnë kurrë as për masën e përkohshme për ta financuar Qeverinë, derisa po i bëjnë trysni Kongresit të angazhohet në debat të plotë.