Ndërlidhjet

Biden e siguron Zelenskyn lidhur me mbështetjen globale për Ukrainën


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe ai amerikan, Joe Biden, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë më 21 shtator 2023.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe ai amerikan, Joe Biden, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë më 21 shtator 2023.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takua me liderin amerikan, Joe Biden, në Shtëpinë e Bardhë. Ai falënderoi presidentin amerikan për ndihmën që i jep Kievit për të luftuar “terrorin rus”, ndërkaq Biden i tha homologut ukrainas se ai do të sigurohet “se bota qëndron” me Ukrainën, duke shtuar tanket e para amerikane Abrams janë nisur për në Ukrainë.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë përmbylli një sërë takimesh të Zelenskyt në SHBA, i cili foli para Kombeve të Bashkuara dhe u takua me liderët e Kongresit amerikan dhe me shefat e ushtrisë amerikane.

Biden lavdëroi “trimërinë e madhe” të popullit ukrainas në luftën e tyre kundër pushtimit rus dhe tha se “populli amerikan është i vendosur të shohë që ne të bëjmë gjithçka që të sigurohemi që bota të qëndrojë me ju".

“Ne po mbështesim një paqe të drejtë dhe afatgjatë, një paqe që respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, tha presidenti Biden.

Biden tha se Rusia “po pengon” paqen në rajon dhe se Moska po shpreson që të përdorë stinën e dimrit “si armë” kundër popullit ukrainas.

Zelensky i tha Bidenit se ukrainasit “e vlerësojnë shumë ndihmën e ofruar nga SHBA-ja për të luftuar terrorin rus".

Ai tha se ndihma e Uashingtonit do të ndihmojë në forcimin e aftësive të mbrojtjes të Ukrainës gjatë stinës së dimrit.

Shtëpia e Bardhë tha se SHBA-ja do t’i japë Ukrainës “aftësi të reja të rëndësishme të mbrojtjes ajrore”, por tash për tash nuk do t’i ofrojë Kievit raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS, që Ukraina i kërkon.

Pas takimit me Zelenskyn, Biden tha se tanket e para M1 Abrams do të arrijnë në Ukrainë javën e ardhshme.

Paraprakisht, Zelensky u takua me liderët e Dhomës së Përfaqësuesve, duke kërkuar që të marrë më shumë mbështetje për shtetin e tij që po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit 2022.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG