Ndërlidhjet

Raportohet se SHBA-ja do ta furnizojë Ukrainën me raketa me rreze të gjatë


Raketa amerikane me rreze të gjatë - ATACMS.
Raketa amerikane me rreze të gjatë - ATACMS.

Presidenti amerikan, Joe Biden, planifikon të dërgojë në Ukrainë raketa me rreze të gjatë, për t’i ndihmuar Kievit në kundërofensivën kundër ushtrisë ruse, kanë raportuar mediat amerikane.

Ato i kanë cituar disa zyrtarë amerikanë, të familjarizuar me këtë çështje, të kenë thënë se Ukraina do t’i marrë disa raketa ATACMS me rreze deri në 300 kilometra.

Diçka e tillë do t’ia mundësonte Kievit sulmin në shënjestrat ruse në zona shumë më të thella sesa linja e frontit.

Të paktën një raketë ukrainase e ka goditur flotën e Rusisë në Detin e Zi të premten, përkatësisht në Krime, gadishullin ukrainas të aneksuar nga Moska më 2014.

Një burim brenda ushtrisë ukrainase i ka thënë transmetuesit britanik BBC se sulmi në portin në Sevastopol është kryer duke përdorur raketa Storm Shadow, të cilat janë dërguar në Ukrainë nga Britania dhe Franca, duke e vënë në pah rëndësinë e armatimit perëndimor në këtë luftë.

Megjithatë, asnjëri prej liderëve nuk i kanë konfirmuar raportimet e mediave amerikane.

Ajo çka dihet është se tanket amerikane Abrams do të arrijnë në Kiev në javën e ardhshme.

Kur presidenti rus, Vladimir Putin e ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, administrata e Bidenit ka hezituar që ta furnizojë Ukrainën me armë moderne.

Mirëpo qëndrimi i saj ka ndryshuar me kalimin e kohës, pasi Kievi tani ka sisteme raketore të avancuara Himars, dhe sistem raketor për mbrojtje ajrore Patriot.

Biden deri më tani ka hezituar për armët me rreze të gjata, duke thënë se raketa të tilla mund ta përballin SHBA-në drejtpërdrejt me Rusinë, shtet që posedon armë bërthamore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG