Gara për presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm, ka nisur të nxehet. Republikanët po zhvillojnë debate për të zgjedhur kandidatin e tyre në mesin e 13 syresh, ndërsa presidenti Joe Biden po përpiqet ta bindë elektoratin se përse është i denjë edhe për një mandat.
Biden, 80 vjeç, ka qenë në politikë për më shumë se gjysmë shekulli.
“E dini çfarë? E vetmja gjë që vjen me moshën është zgjuarsia. E kam bërë këtë punë më gjatë se kushdo tjetër. Dhe e dini çfarë? Do të vazhdoj ta bëj me ndihmën tuaj”, ka thënë Biden në një takim me mbështetësit.
Gjasat janë të mira, edhe pse jo e sigurt, që Biden të sfidohet nga paraardhësi i tij, ish-presidenti Donald Trump, 77 vjeç. Sondazhet e opinionit e nxjerrin atë më lart se të gjithë republikanët e tjerë, që synojnë nominimin e partisë për kandidat presidencial.
“Ndihma po vjen. Joe Biden ia ka hequr kufijtë Amerikës. Ne do t’i rivendosim ata dhe do t’i sigurojmë ashtu sikurse më herët”, ka deklaruar Trump.
Një sondazh i opinionit, i publikuar nga gazeta New York Times dhe Siena College muajin e kaluar, ka treguar se presidenti Biden është në pozitë më të favorshme seç ka qenë një vit më parë, por në një përballje të re të mundshme me Trumpin, gara mes tyre do të ishte tejet e ngushtë. Sipas sondazhit Biden dhe Trump do të ishin të barabartë, me nga 43 për qind të votave, në përballjen hipotetike në vitin 2024.
Kjo, përkundër faktit se Trump është akuzuar se i ka nxitur mbështetësit e tij të sulmojnë Kongresin më 6 janar të vitit 2021, ka bërë përpjekje t’i përmbysë rezultatet e zgjedhjeve më 2020 dhe, aktualisht, përballet me një numër padish.
Gjatë presidencës së tij, Trump ka ndjekur politikën “Amerika e para”, e cila është karakterizuar me veprime të njëanshme dhe shpërfillje të aleatëve tradicionalë.
Trump ka kërcënuar se SHBA-ja do të tërhiqej nga NATO-ja, ku është fuqia më e madhe, dhe se do ta ndalonte ndihmën për Ukrainën, e cila asokohe përballej me një kryengritje separatiste, të mbështetur nga Rusia.
Ai ka urdhëruar tërheqjen e mijëra trupave amerikane nga Gjermania - edhe pse Biden më vonë e ka përmbysur vendimin - si dhe ka folur në disa raste me admirim për presidentin rus, Vladimir Putin.
Tomas Klvana, themelues i Institutit Aspen me seli në Pragë, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të ishte “një gjë vërtet e frikshme”. Sipas tij, ai garon me platformë të hakmarrjes kundër atyre që pretendon se ia kanë vjedhur fitoren, më 2020.
“Është e frikshme, sepse ai ka shumë përvojë nga mandati i parë katërvjeçar. Ai e di se ka nevojë për njerëz, për të përmbushur vizionin e tij të presidencës autoritare. Ai ka nevojë për shërbyes besnikë rreth vetes dhe do t’i zgjedhë ata nëse i fiton zgjedhjet më 2024”, thotë Klvana.
Sot, kur Evropa dhe Rusia janë në konflikt për shkak të Ukrainës dhe Putin bën vazhdimisht kërcënime të tërthorta për përdorimin e armëve bërthamore, çështja e angazhimit të SHBA-së merr një rëndësi edhe më të madhe.
Por, perspektiva e një mandati të dytë presidencial për Trumpin ngre pikëpyetje për kohezionin e aleancës transatlantike, për NATO-n dhe për luftën në Ukrainë. Analistët thonë se Biden e kupton rëndësinë e aleancave dhe të lidhjeve të mira transatlantike, por jo edhe Trump.
Për Exposenë flet Jeremy Shapiro nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë:
“Donald Trump, thjesht, nuk do të jetë i gatshëm ta mbrojë Evropën në mënyrën që e kanë bërë zakonisht presidentët amerikanë. Mendoj se këtë e kemi parë edhe në mandatin e parë, edhe pse nuk ka shkuar shumë larg. Tani do të shkojë më larg”.
“Ai mund të mos tërhiqet, por nuk do ta mbështesë NATO-n. Kjo do të thotë se evropianët do të duhet të ngrihen dhe të gjejnë një koncept alternativ për mbrojtjen e tyre. Nuk është një moment ideal për ta bërë këtë, marrë parasysh luftën me Rusinë dhe fuqinë në rritje të Kinës, por gjithsesi këtu do ta gjejnë veten”, thotë Shapiro.
Trump ka thënë se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë brenda 24 orësh, por nuk ka treguar si.
Për Shapiron, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, fitorja e Trumpit do të nënkuptonte më pak mbështetje amerikane për Ukrainën dhe më shumë trysni mbi Kievin për të bërë lëshime.
“Mendoj se ukrainasit do të detyrohen të bëjnë një lloj marrëveshjeje alternative. Ose do të bëjnë një lloj paqeje të komprometuar me rusët - gjë të cilën nuk kanë qenë të gatshëm ta bëjnë deri tani - ose do të gjejnë sponsorë të tjerë në Evropë. Por, kjo do të jetë mjaft e vështirë, sepse askush prej evropianëve nuk ka kapacitet ta ndihmojë individualisht. Ata duket se kanë shumë vështirësi për ta bërë këtë edhe në mënyrë kolektive”, thotë Shapiro.
Rikthimi i Trumpit edhe do të mirëpritej nga disa në Evropë që kanë gëzuar lidhje të mira me të. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili i ka dobësuar institucionet e pavarura dhe demokratike të vendit të tij, ka shprehur mbështetje të hapur për ish-presidentin amerikan. Rrjedhimisht, ka shqetësime se fitorja e mundshme e Trumpit mund t’u japë frymë të re forcave antidemokratike në Evropë. Fitorja e tij në vitin 2016 i ka dhënë një shtysë të madhe politikës populiste evropiane.
Klvana, nga Instituti Aspen, thotë se udhëheqësit evropianë duhet të përgatiten për perspektivën e kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Sipas tij, retorika si ajo e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për një autonomi evropiane, do të duhej të mbështetej edhe me masa konkrete.
“Ata do të duhet të nisin të mendojnë më shumë për disa zgjedhje, sidomos në fushën e mbrojtjes, për ta bërë Evropën jo vetëm fuqi ekonomike dhe rregullatore, por superfuqi edhe sa i përket mbrojtjes. Evropës do t’i duhet të lëvizë në këtë drejtim”, vlerëson Klvana.
Nëse Biden dhe Trump përballen edhe në një palë zgjedhje, kjo do të ishte vetëm hera e dytë në historinë e Shteteve të Bashkuara që një president në detyrë përballet me ish-presidentin që e ka mundur në zgjedhjet paraprake. Hera e parë ka ndodhur në vitin 1892. Klvana thotë se kjo rrethanë e rrallë do ta transformonte garën.
“Në thelb, do të jetë një referendum si për presidencën e Trumpit, ashtu edhe për presidencën e Bidenit. Biden do të argumentojë se Trump paraqet rrezik për demokracinë dhe se ai do të jetë ai që do ta shpëtojë demokracinë amerikane. Argumenti kryesor i Trumpit do të jetë se zgjedhjet e vitit 2020 janë vjedhur dhe se tani SHBA-ja e ka shansin për ta korrigjuar këtë”, thotë Klvana.
Në total janë 13 republikanë që garojnë për nomimin e partisë për kandidat presidencial. Në anën e demokratëve, përveç Bidenit, janë edhe dy kandidatë të tjerë. Një kandidat është po ashtu nga një parti e tretë.
Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara përcakton vetëm tri kushte për t’u bërë president. Kandidati:
- Duhet të jetë së paku 35 vjeç
- Duhet të ketë lindur në Shtetet e Bashkuara
- Duhet të ketë jetuar në SHBA së paku 14 vjet
Fituesin e përcakton ai që e fiton Kolegjin Zgjedhor, jo votën popullore. Në vitin 2016, për shembull, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka fituar më shumë vota se Trumpi, por ka humbur garën në Kolegjin Zgjedhor.
Ky sistem kompleks përbëhet nga një grup zgjedhësish, të cilët përfaqësojnë secilin prej 50 shteteve të SHBA-së dhe votojnë për presidentin.
Tash për tash, e vetmja gjë e sigurt është se zgjedhjet do të mbahen në nëntor të vitit 2024. Vëzhguesit politikë hezitojnë të bëjnë ndonjë parashikim për fituesin, sidomos pas befasisë që kanë sjellë zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.