Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar rrëzimin e Qeverisë së Kosovës dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, pasi, sipas saj, Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj, është duke shkaktuar vetëm dëme për qytetarët e vendit.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se Haradinaj duhet të japë dorëheqje pasi në krye të Qeverisë ai ka bërë vetëm veprime të dëmshme.
Kurti ka thënë se Haradinaj është një kryeministër i pakicës dhe se duhet të dorëhiqet ose të masë veten në Kuvend.
“Kryeministri Haradinaj duhet të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të lira dhe demokratike. Këto të zeza që na i bëri Haradinaj, nuk ua ka premtuar qytetarëve para një viti. Le të shkojmë në zgjedhje dhe atëherë qytetarëve të Rugovës, le t'ua hedhë hartën për fytyre siç ia hodhi Murat Mehës. Kush mund të ketë besim më në kryeministrin Haradinaj?! Dikur e mbante bajrakun për demarkacionin, kurse si u bë kryeministër, e ndërrooi qëndrimin”, ka deklaruar Kurti.
“Ky kryeministër për karrige e bën edhe Zajednicën”, ka theksuar Kurti.
Ndërkohë, Agim Veliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se vendi është në një krizë institucionale pasi nuk ka funksionim të mirëfilltë të Qeverisë e as të Kuvendit.
“Duke pasur parasysh se vendi po kalon nëpër procese të rëndësishme, ne si LDK, kemi dashur që t’i japim përparësi arritjes së një konsensusi të subjekteve politike për një periudhë të caktuar kohore. Në vazhdimin e këtyre tryezave, është mirë të arrihet konsensus se kur do të jetë edhe data e zgjedhjeve”, ka thënë Veliu.
Ndërkaq, Blerim Kuçi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është pajtuar me përmbajtjen dhe kërkesat e tryezës.
Ai ka thënë se tema e zgjedhjeve nuk është në interes të përbashkët nacional.
Kuçi i ka rekomanduar opozitës që nëse i ka 61 vota, të shkojë dhe ta rrëzojë Qeverinë në Kuvend.
“Sa i përket zgjedhjeve, edhe në takimin e parë kemi folur se nuk ka kuptim të kërkohen zgjedhje të parakohshme, nuk është temë me konsensus nacional. Z.Kurti e tha se ka një tendencë që tryezat e tilla të zëvendësojnë Kuvendin. Pikërisht kjo tryezë, kjo temë e zëvendëson Kuvendin. Kur opozita i ka votat, atëherë kjo çështje duhet të shkojë në Kuvend të kërkohet mocioni i mosbesimit të Qeverisë dhe i keni 61 vota të bjerë kjo Qeveri”, ka thënë Kuçi.
PDK-ja është shprehur e gatshme që të shkojë në zgjedhje, porse nuk është pajtuar se vendi është në krizë. Memli Krasniqi shef i GP të PDK-së, ka thënë se opozita është vetë në krizë.
“Tema e sotme realisht është farsë, sepse as nuk ka guxim e as interes për zgjedhje. Mbi të gjitha mua me vjen keq që është kidnapuar ideja e tryezave duke folur për zgjedhjet sot, në vend se ne me të vërtetë të diskutonim për një prej temave që ne jemi pajtuar që duhet t’i diskutojmë seriozisht, tentimin për ta arritur një konsensus më të gjerë”, ka deklaruar Krasniqi.
Para kësaj tryeze, kanë qenë LDK-ja dhe PDK-ja që kishin organizuar paraprakisht tryeza të tilla.
Në këtë tryezë, Vetëvendosje i ftoi të gjitha subjektet politike, përveç Listës Serbe.
Facebook Forum