Ndërlidhjet

Temat e interesit të Kosovës apo të partive politike?


Tryezat politike janë bërë tashmë një formë e rregullt e organizimit të debateve ndërmjet partive politike. Pas Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, tryeza e tretë me radhë është ftuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Por, ndonëse janë paramenduar që tryeza të tilla si rezultat të sjellin kompromise rreth çështjeve të cilësuara si madhore për vendin, secila parti politike që ka qenë apo do të jetë nikoqire, e ka përcaktuar vet agjendën e diskutimeve.

Tryeza e organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës
Tryeza e organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës

Në tryezën e parë, LDK kishte kërkuar konsensus rreth dërgimit të vendit në zgjedhje me marrëveshje politike. Në tryezën e dytë, PDK kishte kërkuar konsensus rreth platformës së Kosovës për fazën finale të dialogut me Serbinë dhe themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurse Lëvizja Vetëvendosje pret që në tryezën e radhës, të thirrur për të premten, të diskutohet për zgjedhjet e parakohshme. Ndërkaq, e veçanta e tryezës nën drejtimin e Vetëvendosjes është se nuk i është dërguar ftesë edhe subjektit politik që përfaqëson komunitetin serb, përkatësisht Listës Serbe.

Sekretari për marrëdhënie me jashtë i Lëvizjes Vetëvendosjes, Bojken Abazi tha për Radion Evropa e Lirë se ftesë iu kanë dërguar të gjitha subjekteve politike të regjistruara në Republikën e Kosovës brenda dhe jashtë Kuvendit, përshirë këtu pakicat kombëtare, por jo edhe Listës Serbe.

Sipas Abazit, nuk ka kuptim që të përfshihen në një tryezë të tillë personat apo përfaqësuesit që punojnë kundër shtetit dhe pavarësisë së Kosovës.

Sa i përket arritjes së konsensusit politik për tema të cilësuara si të interesit të përgjithshëm, Vetëvendosje ka përcaktuar që kësaj radhe të diskutohet në temën, “Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve”. Kjo është një temë, që sipas Abazit, konsensusi mund të arrihet edhe pa Listën Serbe.

“Tashmë numrat në Kuvend ekzistojnë, po të llogariten deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje, ata të Partisë Socialdemokrate të Kosovës dhe këta numra po të bëhen të gjithë bashkë janë më shumë se numrat e qeverisë aktuale pa Listën Serbe dhe këto numra do të mjaftonin për të çuar çështjen përmes një votëbesimi nga ana e qeverisë ose mosbesimi nga ana e opozitës”, thotë Abazi.

Ai shton se ka pakënaqësi edhe brenda koalicionit aktual qeverisës nga deputetë të ndryshëm të Kuvendit të Kosovës dhe sipas tij, në një tryezë të tillë do të duhej të arrihej një konsensus për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme brenda këtij viti.

Vetëvendosje, nuk ka marrë pjesë në tryezën e kaluar, të mbajtur nën drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të arrihet konsensus politik duke mos iu përgjigjur ftesës në tryeza apo duke mos ftuar një subjekt politik.

“Nuk është në rregull dhe dyshoj në sinqeritetin e atyre subjekteve politike dhe liderëve të tyre që bëjnë përjashtime ose që nuk shkojnë në tryeza ose takime që i ftojnë partitë tjera ose i izolojnë partitë që janë pjesë e jetës sonë institucionale. Mendoj që me këtë nuk mund të arrijmë te një pajtueshmëri unike, te një konsensus sa u përket proceseve që janë me peshë për këtë vend”, thotë Reçica.

Ai shton se çdo bashkëbisedim, dialog do të duhej të ishte obligativ për të gjithë ata që mendojnë t’i ecin proceset përpara.

“Deri më tani ne kemi pasur shumë takime e tryeza të tilla, por ka pasur një shtendosje mes partive politike, nuk janë përmbyllur me një marrëveshje më të gjerë dhe të qëndrueshme sa i përket proceseve që janë me peshë, me rëndësi dhe jetike për vendin”, thotë Reçica.

Në anën tjetër, Bojken Abazi nga Vetëvendosje thekson se në tryezën e së premtes do të kërkojnë nga subjektet politike një deklarim lidhur me temën kryesore që ka të bëjë me zgjedhjet si zgjedhje, por edhe për zhvillimet tjera të rëndësishme për vendin siç janë integrimet euroatlantike.

Ai thotë që në fund gjatë kësaj kohe çështja e zgjedhjeve duhet të rikthehet në Kuvendin e Kosovës brenda institucioneve të vendit, në mënyrë që këto tryeza të mos përdoren si zëvendësim i punës që duhet të ndodh brenda institucioneve.

“Është për t’u parë qëndrimi i subjekteve politike në këtë tryezë për t’u qartësuar njëherë e mirë sepse duket se nganjëherë këto qëndrime kanë ndryshuar brenda ditës apo brenda javës, kështu që ne do të kërkojmë nga subjektet politike një deklarim lidhur me temën kryesore që po mbahet kjo tryezë, por edhe për zhvillimet tjera të rëndësishme për vendin siç janë integrimet euroatlantike”, tha Abazi.

Ndryshe, në tryezën e dytë partitë politike pjesëmarrëse në këtë tryezë ishin dakorduar që kryetarët e grupeve parlamentare ta marrin rolin e përgatitjeve të tryezave.

Aty ishte përcaktuar që në tryezat e ardhshme të trajtohen temat si themelimi i Ushtrisë së Kosovës, dialogu Kosovë – Serbi, agjenda e reformave evropiane, konsensusi nacional për asociacionin dhe reforma zgjedhore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG