Ndërlidhjet

Kosova u zgjua vonë në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit


Ilustrim
Ilustrim

Autoritetet qeveritare thonë se Kosova ka arritur që për një periudhë të shkurtë kohore të shënojë rezultate të prekshme në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizimit.

Ndërkohë, njohës nga fusha e sigurisë thonë se Kosova e filloi vonë luftën kundër esktermizmit dhe terrorizmit dhe se tani më shumë po merret me pasojat.

Megjithatë, zyrtarët e lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme theksojnë se për nëntë muaj asnjë qytetar nga Kosova nuk është evidentuar se u është bashkuar grupeve terroriste, në vatrat e luftës në Lindje të Mesme.

Edon Miftari, këshilltar për siguri i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë se rezultatet pozitive dhe rënia e interesimit të qytetarëve nga Kosova për të shkuar në Siri dhe Irak mund të jenë ndikuar nga disa faktorë.

Si faktor kryesor, Miftari përmend miratimin e ligjit me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja, si dhe Strategjia Nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.

"Kjo nuk nënkupton se ka përfunduar puna. Ne do të jemi të angazhuar që të zbatojmë strategjinë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Bashkësinë Islame, me organizatat jo qeveritare, me komunitetin ndërkombëtar dhe me institucionet e tjera lokale e qendrore, në mënyrë që ta trajtojmë këtë fenomen dhe të jemi të gatshëm që të përballemi më pasojat e mundshme", tha Miftari.

Skënder Perteshi, analist nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, pajtohet se në muajt e fundit ka rënie të interesimit të qytetarëve nga Kosova për të shkuar në vatrat e luftës në Siri.

Perteshi thotë se qytetarët në Kosovë e kanë kuptuar se shkuarja në Siri është një rrezik i madh.

"Nëse në vitin 2012-13 shënohet numri më i madh i qytetarëve të Kosovës që kanë marrë pjesë në konflikt, në vitin 2014-15 ka filluar një rënie e këtij numri. Po ashtu, ka filluar edhe rënia e interesimit të qytetarëve për të marrë pjesë në luftë në Siri dhe Irak, për shumë faktorë.”

“Faktori i parë ka qenë që në vitet 2012 - 2013 ka qenë një mjegull e informacioneve se çka është duke ndodhur në Lindjen e Mesme dhe pse duhet shkuar për t’iu ndihmuar atyre në atë konflikt. E dyta është që në vitin 2014 në Kosovë filluan arrestimet e mëdha dhe kjo temë filloi të dsikutohet në diskursin publik dhe në media", tha Perteshi.

Analisti nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë konsideron se institucionet kompetente duhet të bëjnë më shumë në parandalimin e kësaj dukurie, që sipas tij, vazhdon të jetë një sfidë dhe shqetësim i madh për Kosovën.

"Ne ende jemi duke u marrë me pasojat e ekstremizmit të dhunshëm. Ne jemi në hapat fillestarë. Pse po them me pasojat? Sepse gjithçka që po flitet është që ne po merremi me personat që kanë qenë në luftën e Sirisë dhe Irakut, po e dimë se kush janë dhe po merremi me arrestimet, me gjykimet e hetimet ndaj këtyre personave, mirëpo shumë pak është duke u bërë në terren. Të paktën për të parandaluar personat që mund të indoktrinohen prej kësaj ideologjie ekstreme", tha Perteshi.

Në Qeverinë e Kosovës thonë se, bashkë me faktorët e tjerë relevantë, po punojnë për zbatimin e strategjisë. Edon Miftari thekson se aktivitetet rreth zbatimit të strategjisë po zhvillohen me njerëzit që punojnë në arsim e edukim, si dhe me bashkësitë fetare në Kosovë.

"Puna jonë nuk ka përfunduar, mirëpo deri sot, krejt çka është bërë nga qeveria dhe nga institucionet e tjera relevante, vërehet në numër dhe statistika", tha Miftari.

Përfaqësuesit nga shoqëria civile u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që lidhur me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm të ketë një bashkëpunim konkret mes Bashkësisë Islame , shoqërisë civile dhe nivelit qendror dhe atij lokal.

Në kuadër të luftimit të terrorizmit, Drejtoria Kundër Terrorizmit e Policisë së Kosovës të mërkurën ka realizuar dy operacione, në lokacione të ndryshme të vendit, duke arrestuar dy persona nën dyshimet për rekrutim dhe financim të terrorizmit.

Përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, por edhe ata nga shoqëria civile, thonë se që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që i janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste, në Siri dhe Irak, është rreth 300.

Autoritetet e rendit në Kosovë kanë theksuar se janë duke mbikëqyrur “çdo aktivitet të personave fizikë dhe juridikë, për të cilët siguron informata se mund të paraqesin rrezik për rendin kushtetues në të ardhmen apo mund të kryejnë ndonjë vepër penale” dhe se “e gjithë kjo bëhet me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të ndonjë vepre penale të mundshme, duke përfshirë veprat e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG